Festë, gjuhë dhe traditë, Pashkët në kurset shqipe të “Jeta”

Fundjava në kurset e gjuhës shqipe të organizatës “Jeta” u festua në atmosferën e Pashkës, me aktivitete kreative, mësim dhe traditë. Nxënësit punuan me përkushtim për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Shkrim nga Boralda Petromilo Papagianni.

Nga Boralda Petromilo Papagianni


Fundjava në kurset e mësimit plotësues të gjuhës shqipe të organizatës “Jeta” u zhvillua në kuadër të festës së Pashkës, duke sjellë një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ku nxënësit sollën gëzim dhe kreativitet përmes urimeve në gjuhën shqipe.


Në disa klasa, nxënësit përgatitën kartolina të bukura dhe zbukuruan vezë shumëngjyrëshe, duke i dhënë festës edhe më shumë ngjyra e gjallëri, ndërsa në klasa të tjera, përveç urimeve, u zhvilluan edhe biseda mbi historinë dhe domethënien e kësaj feste të rëndësishme.


Mësimi u zhvillua si gjithmonë me përkushtim, dashuri dhe dëshirë nga nxënësit tanë të palodhur, të etur për të mësuar dhe për të ruajtur gjuhën e bukur shqipe, ku në klasat e niveleve më të ulëta ata u njohën me shkronja të reja, ushtruan leximin përmes vjershave dhe tregimeve, si dhe punuan me elementë bazë të gramatikës si emri, përemri dhe folja me zgjedhimet e saj.


Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe trashëgimisë sonë kulturore, ku nxënësit u njohën me legjendat shqiptare dhe së bashku lexuan pjesë të përzgjedhura nga libri “Tregime të moçme shqiptare”, duke nxitur imagjinatën dhe dashurinë për rrëfimet tradicionale.


Ndërkohë, në klasat e niveleve më të larta, ora mësimore mori një dimension më të avancuar, duke u përqendruar në ndërtimin e fjalisë dhe pasurimin e fjalorit përmes sinonimeve dhe antonimeve, si dhe u rikujtua historia e qëndisjes së flamurit tonë kombëtar, bazuar në tekstin “Marigona”.


Për ta përjetuar më afër historinë, nxënësit ndoqën në ekran edhe filmin “Nëntori i dytë”, duke thelluar njohuritë e tyre mbi të kaluarën e Shqipërisë.


Si çdo të shtunë, nuk mungoi as ora e mësimit të valleve shqiptare, e cila sjell gjithmonë energji dhe gëzim, ndërsa nxënësit dhe nxënëset e kursit presin me padurim këtë orë, ku mësojnë këngë dhe valle të reja nga tradita jonë e pasur.


Në fund, duke iu uruar të gjithë nxënësve pushime të mbara dhe ditë sa më të bukura gjatë këtyre festave, e mbyllëm këtë ditë të veçantë, për t’u rikthyer sërish të shtunën e ardhshme me po të njëjtin entuziazëm.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

184 Lexime
16 orë më parë