Festivali & Panairi i Librit për Fëmijë rikthehet në Prishtinë, Albas-i sponsor gjeneral në 25-vjetorin e themelimit

Nga data 8 deri më 11 tetor 2025, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë zhvillohet edicioni i tretë i Festivalit & Panairit të Librit për Fëmijë. Ngjarja sjell aktivitete kulturore për fëmijë, ndërsa Albas, në 25-vjetorin e themelimit, është sponsor gjeneral i festivalit.

Nga data 8 deri më 11 tetor 2025, sheshi “Zahir Pajaziti” në Prishtinë do të kthehet në një hapësirë të dedikuar për fëmijët dhe dashurinë për librin, me mbajtjen e Festivalit & Panairit të Librit për Fëmijë, edicioni i tretë me radhë.

Ky festival i organizuar nga ETEA dhe Biblioteka “Hivzi Sulejmani”, sjell një program të larmishëm me lexime publike, takime me shkrimtarë dhe ilustrues, shfaqje teatrore, performanca muzikore dhe punëtori kreative që e bëjnë librin një përvojë të paharrueshme për të vegjlit.


Në këtë edicion, një vend të rëndësishëm zë edhe Shtëpia Botuese Albas, e cila në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të saj, është shpallur sponsor gjeneral i festivalit. Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua nga drejtori i ETEA-s, Agon A. Ahmeti, dhe drejtori i Albas Prishtinë, Fatlum Q. Hetemi, duke i dhënë festivalit një mbështetje të fuqishme në shërbim të kulturës dhe brezave të rinj.

Për katër ditë me radhë, Festivali & Panairi i Librit për Fëmijë do të ofrojë një atmosferë festive, duke bashkuar fëmijët, prindërit, shkrimtarët dhe dashamirësit e librit në një ngjarje që forcon kulturën e leximit dhe krijimtarinë letrare.


Shënojeni: Prishtina pret të gjithë vizitorët nga data 8 deri më 11 tetor, çdo ditë duke nisur nga ora 10:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

251 Lexime
1 javë më parë