KRIJIMTARIA LETRARE PËR FËMIJË

Fituesit e Fondit “Krijimtaria letrare për fëmijë”

Fituesit e Fondit “Krijimtaria letrare për fëmijë” janë shpallur nga Ministria e Kulturës. Shtëpia botuese Albas u bë pjesë e çmimit fitues, përmes kategorisë së librit didaktik, që u fitua nga Luan Rama.

Fituesit e Fondit “Krijimtaria letrare për fëmijë” janë shpallur nga Ministria e Kulturës. Mes 27 aplikuesve, juria përzgjodhi pesë veprat më të mira në poezi, roman dhe përralla.


Juria që shqyrtoi veprat në këtë garë, përbëhej nga shkrimtarë, përkthyes dhe studiues, si Lili Sula, Virgjil Muçi, Erion Kristo, Rovena Rrozhani dhe Suela Bala. Ndërsa, emrat e autorëve kanë qenë të fshehur pas kodesh numerike. Juria u njoh me emrat e fituesve vetëm pasi ishte dorëzuar dhe firmosur lista e fituesve. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpërndau certifikata për pesë fituesit.


“Përpara se të hapnim fondin për krijimtarinë letrare, kisha dëgjuar shpesh nga shkrimtarë, botues, por edhe prindër për një mungesë të krijimtarisë letrare për fëmijë, që flasin shqip. Nga njëra anë shkrimtarët që ankoheshin se Ministria e Kulturës nuk i mbështet dhe nuk e nxit krijimtarinë letrare për fëmijë dhe nga ana tjetër prindërit që ankoheshin për mungesën, por edhe cilësinë, që lë për të dëshiruar të kësaj letërsie. Andaj vendosëm, që pikërisht, në ditën e fëmijëve, 1 Qershor ne të hapnim këtë fond, duke ia dedikuar pikërisht atyre. Impakti ka qenë tepër pozitiv. Kemi pasur mbështetjen e të gjitha palëve dhe jam e kënaqur për pjesëmarrjen e lartë, për mënyrën  e përzgjedhjes dhe emrat e nderuar që qëlluan të ishin mes fituesve. Jam besimplotë që kjo eksperiencë do të vijojë. Mbështesim jo vetëm shkrimtarët, por nisim krijimtarinë e mirë dhe qasim lexuesin e ri. Mendoj se fushata më e mirë e nxitjes së leximit është në faqet e një libri të mirë”, u shpreh Margariti.


Ndër të tjera ajo ndau me të pranishmit edhe lajmin e rikthimit të Çmimit Kombëtar të Letërsisë për Fëmijë.

“Dikur, mes shumë çmimeve të tjera letrare, akordohej një çmim për krijimtarinë për fëmijë, por që më pas hoq. Gjej rastin t’ju them se ne do ta rikthejmë atë Çmim Kombëtar si një nxitje permanente dhe të qëndrueshme për këtë lloj letërsie, e cila për mendimin tim ka një rol kyç në edukimin  brezit të ri. Dashuria për leximin ngjizet në vitet e para të jetës dhe një libër i mire mund ta bëjë këtë”.


5 fituesit ishin Gaqo Bushaka, për kategorinë në poezi, Hysen Kobellari për rrëfenjat, Luan Rama për librin didaktik, Viktor Cenosinaj për romanin më të mirë dhe Rudina Çupi për përrallën më të mirë.


Përkthyesi Erion Kristo, anëtar jurie, u shpreh se nuk bëhet fjalë për një konkurs, por për politika për librin për fëmijë. Ai e quajti risi mbështetjen nga ana e Ministrisë së Kulturës, të kësaj krijimtarie dhe autorëve për fëmijë.


Studiuesja Lilia Sula u shpreh se kjo ishte mënyra më e mirë për të sjellë vepra serioze. Ajo tha se nëse e edukojmë sot brezin e ri me letërsi të mirë shqipe nesër do të kemi një lexues të mirë, studentë të mirë dhe qytetarë të mirë.


Suela Bala u shpreh se nuk mund të merremi me lexuesin, nëse më herët nuk do të merremi me shkrimtarin për fëmijë. “nëse do të dimë t’ua servirim mirë materialin, do të rrisim fëmijë të mrekullueshëm”, tha ajo, me shpresën që kjo përvojë të vijojë edhe më tej.


Shtëpia botuese Albas u bë pjesë e çmimit fitues, përmes kategorisë së librit didaktik, që u fitua nga Luan Rama me motivacionin:

“Një tekst letrar që mbart vlera të spikatura didaktike, përmes kultivimit artistik të dijes dhe vlerave kombëtare për fëmijët, me një ligjërim të zhdërvjellët e të ilustruar bukur”.


Fiton në kategorinë Poezi Gaqo Bushaka, me motivacionin:

“Për mjeshtërinë e vargëzimit të thjeshtë shumë afër botës fëminore, me tingullim melodik, pastërti gjuhësore dhe larmi tematike”.


Fiton në kategorinë Rrëfenja Hysen Kobellari, me motivacionin:

“Për merita të spikatura në qëmtimin, përpunimin dhe sjelljen në një kontekst të ri letrar të një trashëgimie folklorike që kemi nevojë ta kultivojmë tek fëmijët tanë si pasuri identitare”.


Fiton në kategorinë Përrallë Rudina Çupi, me motivacionin:

“Për kurajën e një narrative me peshë të lartë përmbajtjesore për fëmijët, që e sfidon dhe edukon lexuesin me inteligjencën e humorit dhe frymën e lojës, duke kthyer në vëmendje FJALËN”.


Fiton në kategorinë Roman Viktor Canosinaj, me motivacionin:

“Arrin të mbajë zgjuar interesin e lexuesit të ri, duke ruajtur brenda një strukture të pastër konceptuale dhe gjuhësore, ligjërimin artistik grishës dhe formues njëkohësisht”.



(Portali Shkollor)

2,962 Lexime
4 vjet më parë