"Fjala Artistike 2025" – Evans Drishti apelon për më shumë hapësira të tilla kulturore për fëmijët
Shkrimi i profesorit Evans Drishti sjell atmosferën emocionuese të eventit "Fjala Artistike 2025" në QKF Kujtim Alija, ku nxënësit e ciklit 9-vjeçar shpalosin talentet poetike, prozaike e satirike. Një nismë që frymëzon dashurinë për artin, fjalën e bukur dhe zhvillimin kulturor të fëmijëve.
Jemi në një atmosferë mjaft emocionuese dhe jetëdhënëse, po aq edhe shpresëdhënëse, kur këto ditë organizohet një event në Shkodër, e konkretisht në QKF Kujtim Alija, tashmë i kthyer në traditë të mrekullueshme. Bëhet fjalë për eventin “Fjala artisike 2025”.
Një konkurim i interpretuesve për ciklin AMU në krijimtari poetike, prozaike dhe satirike. Nxënësit e ciklit të 9-vjeçares gjejnë hapësirën e volitshme që të nxjerrin në pah aftësitë dhe talentet e tyre në fushën e interpretimeve letrare dhe artistike. Ky konkurim nis fillimisht brenda shkollave 9-vjeçare si fazë e parë, duke vijuar në fazën e dytë, e cila organizohet në QKF Kujtim Alija, ku nxënësit tashmë konkurrojnë mes shkollave, për tu përmbyllur në fazën finale, ku fituesit e fazës së dytë prezantohen në fazën e tretë finaliste në kuadër të festave të Nëntorit.
Cilat janë prioritet e një pjesëmarrje të tillë?
- Nëse dëshironi të njihni më nga afër një fëmijë, sikurse edhe dihet, këtë e arrini më së miri vetëm në evente sociale e kulturore.
- Çdo fëmijë, në mënyrë të natyrshme vjen në jetë me aftësi të ndryshme, për rrjedhojë janë të shumtë ajo kategori e fëmijëve që mbartin talente dhe aftësi në aspektin e interpretimit.
- Në çdo aftësi interpretimi ushqehen edhe aftësi të tjera si: shqiptimi, intonacioni, theksi i duhur i një fjale, e për rrjedhojë i një fjalie, komunikimi i rrjedhshëm dhe influencues.
- Çdo fëmijë ka të drejtë të ushqehet me përjetime dhe ndjesi tepër të veçanta duke u përfshirë në një larmi ngjarjesh, rrëfenjash, fabulash, përrallash, mitesh, situatash, e për më tepër të bëhet pjesë e emocioneve që përcjellin kolosët e letrave shqipe.
- Fëmijët njihen nga afër dhe përjetojnë bukuritë e magjishme të vendlindjeve të tyre, veçoritë e personazheve të admiruar prej tyre duke u unifikuar me ta në kohë dhe rrethana të caktuara.
Sa me seriozitet merren të tilla organizime në institucionet arsimore AMU, në mënyrë që fëmijët tanë, ky brez i ri të gjallërojë mendjen dhe shpirtin e vet përtej orëve mësimore duke njohur një botë të magjishme siç është “fjala artistike” dhe “harmonia fëmijërore”?
Mendoni për pak çaste lotët e një vogëlushi të klasës së 6-të, i cili teksa konkurron në shkollën e tij në fazën e parë, përjeton emocione të forta dhe të paimagjinueshme, kur dëgjon t’i thirret emri si njëri nga fituesit që do kalojë në fazën e dytë, në konkurrimin mes shkollave. Ato nuk janë thjesht dhe vetëm “lot gëzimi”, por edhe “lot triumfi” të një dëshire dhe kënaqësie të pashtershme, që kërkon ta zhvilloje veten përtej orëve mësimore duke ngritur zërin e tij nëpërmjet magjisë së interpretimit dhe fjalës artistike për t’u thënë miqve të tij konkurrues dhe mbarë shoqërisë:
“Mjaft më me lajme hidhëruese! Mjaft më me bullizime! Dua të jem i lumtur! Dua ta shijoj jetën time pikërisht nëpërmjet fjalës së bukur dhe të ëmbël! Dua të jem fitues! Fitues i së bukurës!”.
Mendoni për pak çaste shpirtin luftarak të një fëmije që është mëse i bindur në aftësitë e tij në të folurën bukur, në të interpretuarin në mënyrë therëse dhe tunduese, e pse jo ç’armatosëse të shpirtit të njeriut. Një fëmijë i tillë me shpërthimet shpotitëse ngre zërin e magjishëm për të thënë:
“Ja ku jam, o mbretër të fjalës së bukur! Ja ku më kini o njerëz që kërkoni kënaqësinë! Mos më “zhvishni” nga emocionet! Besomëni në forcën dhe shpirtin tim! Dua t’i gëzohem magjisë së fjalës së bukur! Është koha ime! Është epoka ime!”.
Ndaj ju mësues, drejtues të institucioneve! Ju prindër!
Është koha më e volitshme të investoni me kohën dhe aftësitë tuaja në orientimet dhe zhvillimet e drejta të fëmijëve në drejtimet sociale dhe kulturore! Jepuni kohë fëmijëve, zbuloni aftësitë e tyre dhe kultivoni ndër ta shpirtin artistik, në mënyrë që “e bukura” të triumfojë mbi “të shëmtuarën”.
Nëse dëshironi të mos dëgjoni më kronika të zeza rreth bullizimeve të pamëshirshme mes adoleshentëve, vrasjeve dhe plagosjeve të tyre, drejtoni fëmijët në programe sociale dhe kulturore si brenda institucioneve arsimore, ashtu edhe në qendrat kulturore qofshin ato publike apo jopublike.
Një fëmijë që përqafon artin dhe kulturën është shumë herë më i predispozuar ta dojë edhe shkemcën. Tingujt e mahnitshëm të një vegle muzikore, nuancat rrezatuese të një tabloje në pikturë, elektriciteti që tejçon ëmbëlsia e fjalës së bukur e zgjojnë mendjen dhe shpirtin e fëmijës duke e bërë më kërkues ndaj të bukurës dhe vlerës për jetën.
Mendoni për një çast, kur ky seriozitet i treguar në QKF Kujtim Alija Shkodër të shfaqet i njëjtë edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë, nga veriu në jug, nga lindja në perëndim, do kishim një unifikim të fjalës së bukur, e për rrjedhojë edhe të shpirtit rrezatues.
Nuk po flasim për një ëndërr, pasi fëmijët janë një realitet, që mbeten gjithnjë në pritje të fjalës artistike.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Panairi i 27-të i Librit në Tiranë këtë vit do të zhvillohet në datat 13-17 nëntor