OPINION

Foli mendjes edhe atëherë kur të dridhet zëri, reflekto dhe mos u ndjej asnjëherë vetëm!

Çfarëdo që keni bërë deri tani ose jeni duke bërë, NDËRPRITENI! Është koha kur ju duhet të bëni një pushim të shkurtër! Pa qëllime në jetë, njeriu ndihet i mbytur!

Çfarëdo që keni bërë deri tani ose jeni duke bërë, NDËRPRITENI! Është koha kur ju duhet të bëni një pushim të shkurtër!

Ikin sekondat, minutat, orët, ditët dhe vitet, e ne nuk po arrijmë të kuptojmë se çfarë me të vërtet po ndodh NË dhe me jetën tonë. Një gjë e dimë dhe e ndjejmë çdo ditë, jemi human por të kapluar nga sjelljet robotike jo humane. Nuk po na pëlqen, por po dorëzohemi e konformohemi lehtë me këtë status. Herën e fundit kur me një djalosh u fjalosëm, me dhimbje më tha, se nuk ka kohë të flasë e mendojë për veten e tij. Thellë në palcë, sistemi robotik i jetesës e kishte okupuar kohën dhe nuk i jepte rast mendjes të propozojë asgjë të re. Po, ky ishte motiv shtesë të shkruaj.


Na është bërë klishe të dëgjojmë ankesat për ujin, rrymën, komunikacionin, sjelljen e komshiut, përmbajtjen e programeve në televizionet tona, mungesën e transparencës në të gjitha nivelet, e forca jonë dhe kufijtë tanë për ta ndryshuar këtë realitet, duke praktikuar metoda dhe mjete të njëjta, vetëm sa vijnë e trashen. Optimizimi i pabazë dhe i tepërt sjellë vetëm terr. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençur, inteligjenca nuk mjafton, nevojiten edhe shumë komponente tjera.


E kuptojmë se në mendjen e secilit ekziston një kufi përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh, pasi e keni kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh prapa, thoshte Dostojevski. Pavarësisht që pikëpamja negative e kësaj shprehje është sinonim i çmendurisë por në të njëjtën kohë është sinonim edhe i gjenialitetit! Pas çdo suksesi fshihet edhe një risk potencial, pas çdo udhëtimi ne jemi ndryshe, jo si më parë.


Dikur në fillet tona, një mik i imi thoshte se Bill Gates po propozon të meditojmë së paku pesë minuta në ditë, sepse vetëm kështu hapemi ndaj ideve inovative. Me ëndje e thoshte se është proces i dëshirueshëm për ndërmarrësit e rinjë! E ne sot po flasim për humanin, ku kërkojmë me dashamirësi që ta kthejnë objektivin drejt vetes, ta ruajnë veten e tyre nga vetvetja dhe ky mjedis social, që sillet me ne me një agresion të pa kuptueshëm e vështirë të konceptueshëm. Humani ka nevojë për pushim dhe reflektim. “Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë një rreze dielli në shpirtin tënd”. Andaj hapi perdet e territ përmes reflektimit, lejoje veten tënde të frymojë sepse besoj që e meriton !


Dinamika e jetës është fajtore, puna, kushtet janë problematikat e shumicës. Me një kompromis të dhimbshëm dhe me një pajtueshmëri të lartë, jemi duke u konformuar me këto konkluzione. Pyes shpesh veten a kaq të pafuqishëm jemi?! Pastaj, zhytja në skëterrat e botës virtuale, sikurse dikur zhytej në përrallat e veta unike Liza në Botën e Çudirave, nuk janë bota e realitetit, do duhej të qëndrojmë sa më larg kësaj bote. Do duhej ta shfrytëzonim ne atë e jo ajo të na kaplonte ne. Virtualiteti ja ka humbur kuptimin madje edhe “dhimbjes”, më nuk po mësojmë e bashkndjejmë nga ajo si dikur!


Mos të lejojmë ta mbushim kujtesën tonë me të gjitha momentet kur jemi ndier të fyer, mund të përfundojmë duke mos lënë hapësirë për momentet briliante që keni përjetuar në jetë. Ruaje higjenën tënde mentale, ka vlerë më të madhe se sa dhëmbët tuaj që i pastroni së paku dy herë në ditë. Duajeni vetveten, sepse duke u kujdesur për veten tuaj, ju e doni jetën, shoqërinë dhe vendin tuaj. Duke e dashur veten ju jeni i dobishëm për shoqërinë. Mos harroni se mënyra më e shpejtë për tu bërë i lumtur është të ndihmoni, kështu thoshte emblema e altruizmit, Gonxhe Bojaxhiu. Reflektimi të ndihmon të zbresësh në tokë, të ndjesh materien e trupit tënd, aromën e tij dhe fundin.


Pa qëllime në jetë, njeriu ndihet i mbytur! Ai, reflektimi, të ndihmon të ndërtosh qëllimet. Ai të ndihmon që kur të gjithë të braktisin duke të kthyer kurrizin, ti asnjëherë të mos ndihesh vetëm. Ahh, ai të ndihmon që edhe atëherë kur të dridhet zëri, mendja jote të punojë në shërbim të qetësisë dhe lumturisë tënde shpirtërore. Një status në rrjetetet sociale, një ese studentore, një hartim shkollor kur shkruhet, po që se nuk e korigjuat, nuk do ta marrë vlerësimin e dëshirueshëm, andaj korigjo jetën tënde duke reflektuar. Mos kërkoni konkluzione të gatshme, jo vetëm nga ky artikull por në përgjithësi në jetë, jepini hapësirë reflektimit dhe eksplorimit dhe lejoni vetes të nxirrni përfundimet tuaja.

Nesër mund të jeni model!



(Opinion nga: Besnik Peci – Psikolog)

1,492 Lexime
5 vjet më parë