“Gërshetat” nga Fatime Ejupi Jashari

“Gërshetat” është shkrimi letrar i Fatime Ejupi Jashari, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Ishte fillimi i muajit shtator... 


Qielli dukej si një kupë e kaltër qelqi mbi fshat, herë pas here sipër kodrave vërehej ndonjë re e bardhë si shtëllungë leshi, e cila notonte në kaltërsinë e pafundmë. Dielli vjeshtor ngrohte vesën mbi barë, skuqte faqet e mollave dhe ngadalë - ngadalë lante faqet në lumin e fshatit. Rrezet e arta preknin majat e kodrave, të cilat si murë kalaje rrethojnë fshatin. Çdo gjë e gjallë zgjohej e lumtur dhe përshëndeste ditën e re. Cicërimat e zogjve ndiheshin deri në jastëkun e ëmbël, ku kisha vënë kokën. Hapa sytë dhe kërceva si e trembur mbi rogozin e mbuluar nga një velencë e leshtë, mbatha me të shpejtë çorapet e leshta, këpucët e gomës dhe u vesha nxitimthi.


Mbylla me kujdes derën e dhomës që mos ta përplasja, ngase gjyshi gjithmonë na bënte vërejtje, por vura re se shtrati i tij ishte bosh. Ai kishte ikur që me natë. Atë e priste lëma, e priste drithi në lëmë për ta hedhur në erë. Hapa derën e dhomës së nënës, as ajo nuk ishte, vetëm motra e vogël gërhiste e qetë. E mbylla derën ngadalë, por u trishtova shumë, pasi nëna nuk ishte në shtëpi. Fillova të qaj duke e kërkuar në kuzhinë, në çardak e gjithandej. Zbrita shkallëve të drunjta me vrap dhe pashë gjyshen me një kovë të mbushur me qumësht, që ende avullonte ngrohtësinë e mjeljes së lopëve. 


-Pse qan fëllënza e nënës? - më pyeti me ëmbëlsi: 

-Nëna nuk është. 


Mbrëmë me kishte zënë gjumi ende pa u kthyer nga ara. I tregova se kisha ngelur pa u pastruar dhe se flokët e gërsheti më ishin shprishur. Ishte ditë e hënë dhe s’doja të shkoja në shkollë e çrregullt. Më inkurajoi duke më thënë: 

-S’prish punë, sot shko kështu. Lëmoji pakëz me dorë, se sonte mami kthehet më herët nga lëma dhe të lan. 


Nuk u vonova aspak. Përroin e kishim përtej oborrit. Lashë çantën mbi urën e drunjtë, iu afrova përroit, i cili qetë - qetë gurgullonte nëpër gurët e gjelbëruar nga myshku i dalur mbi ujë, ngase kishte kohë që s’kishte rënë shi. Pastrova këpucët. Doja t’ju jepja shkëlqimin e duhur, por jo, ishte një gomë që nuk ndriste. Mbusha grushtat e vegjël me ujë lumi dhe lava fytyrën, fërkova sytë, që mos të mbetej asnjë dërlë. Papritmas, pashë hijen time në ujin e kulluar të përroit. Vërejta shprishjen e flokëve. Mu dukën si një gëmushë. 


Si të veproja, kur ende s’kisha mbushur tetë vjeç?!... 


Sa për t’i krehur mundesha, por si do t’i thurja tërë ato gërsheta, katër në njërën anë të kokës dhe katër në anën tjetër, dhe jo dosido, për të stiluar në një simetri të përkryer duke e bashkuar në një të vetme. Duart e mia ende s’e kishin mësuar shkathtësinë e gërshetimit. E trishtuar, laga duart me ujë lumi, i shkumosa me pak sapun dhe i lëmova sa në njërën anë aq edhe në tjetrën. 


-Kaq ishte - thashë me vete. Rregullova shaminë, çantën në shpinë e vrapova drejt grupit të fëmijëve të mëhallës që ishin nisur për në shkollë. 


Eh, sa të lumtur dukeshin! Fytyrat u ndrisnin me një nurë pafajësie. Flisnim, qeshnim plot shpirt e gaz, tregonim ngjarje që kishim dëgjuar nga më të rriturit... 


Kështu nuk e vërenim rrugën që bënim në këmbë për të arritur në shkollë. Sa arritëm në oborrin e shkollës hoqëm shamiat. Shikonim këpucët nëse ishin përlyer apo jo me llaç. Nëse po, atëherë i pastronim në çezmën që gjendej në oborrin e shkollës. Prisnim me padurim cingërimën e ziles. 


Ra zilja. Të gjithë, si ushtarë u rreshtuam në rreshta. Dukeshin sikur t’i kishe rrafshuar me gërshërë. Askush nuk lëvizte, askush nuk bisedonte. Vetëm zërat e mësuesve kujdestarë dëgjoheshin duke na u drejtuar:


- Secili nga ju të shikojë qafën e shokut ose shoqes që ka përpara, dhe ngadalë hyni në klasë. 


Hymë në klasë pa bërë zhurmë. Sa të lumtur ishim! Madje ishim edhe me fat, mësonim në ndërtesën e re të shkollës, që u pat ndërtuar atë vit. Klasa ku mësoja ishte shumë e bukur, me banka dhe karrige të reja, dritaret shkëlqenin si pasqyrë. Po dyshemeja? Ajo ishte edhe më e bukur, me ato pllakat e thjeshta prej mushamaje, por në sytë tanë që nuk kishim parë të tilla, na dukeshin tepër të bukura. Tashmë nuk kishim nevojë të zbathnim këpucët para derës së klasës e t’i ngatërronim me ato të shokëve dhe shoqeve, sepse të gjithë nxënësit këpucët i kishin të njëjtin model, “bata”. 


Hyra në klasë dhe u ula në bankën e fundit. Rreshti i dytë nga dera. Uljen nëpër banka mësuesja e bënte sipas gjatësisë së nxënësve. Gjithashtu edhe në bankë preferonte një nxënës të shkëlqyer dhe një nxënës të dobët. Shoku i bankës ishte një djalë i urtë, por pak i dobët, ndaj detyra ime ishte që ta ndihmoja kur kishte nevojë. Të gjithë ne, nxorrëm përpara librat e Gjuhës shqipe, fletoret, lapsin dhe gomën. Askush nuk fliste. Prisnim të hyjë mësuesja në klasë. 


Tak - tuk, tak – tuk..., u dëgjua tingëllima e takeve të mësueses. Zemra filloi të rrihte fort, edhe më fort rrihte kur ajo i afrohej derës. E prisja me ankth, si do të kalonte vallë sot? Papritmas dera u hap. Në klasë hyri mësuesja bashkë me një grua tjetër. U ngritëm në këmbë, i përshëndetëm dhe u ulëm në vendet tona. 


Mësuesja e uli mysafiren në fund të klasës, afër bankës sime, si për inatin tim. Herë pas here e shihja me bisht të syrit, ngase nuk guxoja ta shihja lirshëm. Mësuesja kontrolloi detyrat me radhë. Pastaj mori një karrige dhe u ul afër mikeshës së saj. Erdhi radha të lexojmë tekstin “Zogu dhe dallëndyshja”. Lexuam të gjithë në role, pasi ishte një dialog mes zogut dhe dallëndyshes. Lexova edhe unë. Nuk pati vërejtje, por zemra rrihte e rrihte. Ishte në pritje ankthi. 


Dikur më drejtohet me dorë. 

– Shko pastroje dërrasën! 

- Urdhëroni mësuese? – i drejtohem dhe fluturimthi shkova drejt dërrasës. 


E mora fshirësen në dorë dhe nisa ta fshi me kujdes. Pasi e mbarova pastrimin u ula në vendin tim. 

Filloj ora e dytë e matematikës. Na dha të zgjidhnim disa detyra në libër. Fillova ngadalë t’i punoja, ndërkohë mësuesja vazhdonte bisedën me mikeshën e saj, që shumë pak mundeshe të dëgjoje ndonjë fjalë, më tepër ngjasonte me një pëshpëritje. 


Nuk kaloi shumë kohë dhe u dëgjua një shpërthim të qeshurash. Mezi arrita fshehurazi t’i shoh. Ato qeshnin me shpoti. Nuk arrita t’i kuptoj se më kë e kishin këtë tallje.


Diçka më brente shpirtin përbrenda. Papritmas shkopi i mësueses preku gërshetin tim, i cili dukej qartë i shprishur, pasi fije të vogla flokësh kishin dalë nga gërshetat. Filloi të luajë me gërshetin tim e më pas duke u tallur bashkë me mysafiren. Gërshetin e lëviznin herë andej e herë këndej me majën e shkopit. Zemra ime donte të dilte nga vendi, gulçimat vërtiteshin deri në grykë të fytit, por s’arrita të nxjerr qoftë edhe një “a” nga goja. 


Sytë m’u mbushën me lot, ndihesha e përbuzur, e ofenduar, e vogël, pambrojtje, por emrin e kisha nxënëse. 


Më duhej të duroja, të gëlltisja çdo fjalë që të mos kisha ankesë te prindërit. Sepse e nesërmja ishte e afërt. Ditë e re, por unë isha përsëri nxënëse, që duhej të dëgjoja dhe respektoja fjalën. Mezi prita të mbaronin orët e të ikja në shtëpi. 


Rrugës ecja me shpejtësi, s’doja shoqërinë, madje as të shoqeve, pasi edhe ato më dukej se më tallnin. Hyra në shtëpi pa u vënë re nga askush. Shkova drejt në dhomën e nënës time, pasi dera ishte pa qelq dhe nuk mund të më shihte askush. E mbylla derën me një mekanizëm që kyçej nga brenda. Pasi u sigurova se isha vetëm u zhgreha në vaj. Qava e qava, dikur edhe në zë. Zërin tim si duket e kishte dëgjuar gjyshja. U afrua derës dhe m’u luste që t’ia hapja. Por unë s’doja t’ia dija. 


Ndërkohë nëna ishte kthyer nga shirja e drithit, iu afrua derës dhe më kërkoi t’ia hapja derën, se nuk ndihej mirë, kishte dhimbje koke. Kaq më mjaftoi mua, nuk duroja ta shihja nënën me lot në sy apo dhimbje. Hapa derën dhe ajo hyri në dhomë. Më pyeti përse kisha qarë. Nuk i tregova të vërtetën. I thashë se detyrat nuk i kuptoja. 


-Ulu, - më tha - të ndihmoj unë. 

Hapa çantën, nxora librin. Pasi mësuam së bashku shpjegimin, më vizatoi edhe një dallëndyshe. U mahnita nga vizatimi i nënës sime, u lumturova pa masë. Zemërimi filloi të më largohej dalëngadalë. 


Nuk e vërejta se ishte errësuar, nëna më mësonte pranë llambës me vajguri, pasi rryma elektrike kishte defekt. Gjumi thuajse më erdhi në qerpik. Nëna më ndihmoi t’i mbledh librat, dhe i futa në çantën e kuqe. 

- Duhet të të laj para se të të zërë gjumi - më tha nëna. 


Atëherë mu duk se dikush më shkundi të tërën, më ktheu në normalitet. 


-Po patjetër, - ia ktheva, se nuk….. Nuk guxova ta mbaroj fjalinë. E dija se pastaj do të lindin pyetje e pyetje. Pasi më lau, vesha këmishën e jelekun, u ula mbi një stol të drurit. Nëna mori një krëhër të dhëmbëzuar në dy anë, m’i krehu flokët mirë, pastaj filloi të thurte gërshetat një nga një. Teksa i thurte të gjitha bashkarisht në një gërshetë më të madhe, sytë m’u mbyllën. Më mori në krahë dhe më vendosi në shtrat. 


Atë natë kisha fjetur si në ujë. Në mëgjes ndjehesha e freskuar dhe shumë e lumtur, pasi në shkollë do të shkoja ashtu siç duhej. Si për ironi, atë ditë një shoqe kishte ardhur në shkollë e veshur më ndryshe se ne. Ne mbanim veshje popullore, kurse ajo kishte veshur një palë tuta të kuqe bojëgjaku anash, me një vijë të bardhë në mes. Dukej shumë bukur, e admiroja edhe unë. Kishte lëshuar edhe flokët e zeza korb. Në kohën e pushimit të gjatë mësuesja e ftoi në zyrën e mësuesve. Kur u kthye, në kokë mbante një kordele të bardhë. 


Në sytë e mi dukej si një princeshë. Po shpejt u pikëllova, kur kujtova ditën që lashë pas... atë ditë që vetja mu duk e tepërt në klasë... atë ditë që urreva veten time, por edhe familjen time... Atë ditë nuk e kam harruar për gjatë gjithë jetës time. Ajo ditë për mua u bë mësimi i jetës si mësuese, ndër gjenerata. 


***


Nxënësit e mi janë jeta ime, qofshin fëmijë intelektualësh apo fëmijë barinjsh, të pasur apo të varfër, të shkëlqyer apo të dobët... Ai ose ajo është nxënësi im. Jam munduar të jem e njëjtë për të gjithë. I kam trajtuar në mënyrë dinjitoze, ashtu siç e meriton çdo nxënës të ndjehet i barabartë në klasë duke dhuruar shumë dashuri pa asnjë dallim. 


Sot jam krenare me këto lule të kopshtit tim, pasi me shumë përkushtim kam mbjellë farërat e edukatës, të sjelljes dhe mbi të gjitha kam kultivuar arsimimin.


 

Fatime Ejupi Jashari


Fatime Ejupi Jashari u lind më 15 Janar 1973 në fshatin Patishka Rekë komuna e Shkupit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Patishka Rekë ndërsa të mesmen në gjimnazin “Zef Lush Marku” – Shkup viti 1992/93. Studimet i vazhdoi në Fakulltetin pedagogjik dega e mësuesisë. Punon mësuese në shkollën fillore “ Naim Frashëri” f.Moranë – Studeniçan. Është autore e librit “E folmja dhe folklori i Patishka Rekës”.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

542 Lexime
6 muaj më parë