“Gjeje vetë!” nga Lejla Duli
“Gjeje vetë!” është shkrimi letrar i Lejla Duli, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
Një jetë pranë fëmijëve... Një jetë pranë çdo shpirti, zemre, drite, ylli... Një jetë pranë çdo lepurushi, princi, princeshe... Një jetë pranë çdonjërit prej tyre...
Sa shumë kujtime! …
Më shumë se 30 vite punë.
Kisha klasë të parë me 28 nxënës. Periudha e parë po përfundonte.
Ishte mesi i muajit dhjetor. Tek dera e klasës më vjen një prind me fëmijën e vet për dore. Dëshironte ta bënte pjesë të klasës sime. Vinte nga një shkollë tjetër e qytetit. E dëgjova me shumë respekt dhe vëmendje. S’arrita t’u kthej përgjigje. Bisedova me drejtuesit që ta dërgonin tek një klasë tjetër, ku të kishte më pak nxënës.
-Është dëshira e prindërve, – m´u përgjigjën drejtuesit e shkollës.
Bisedova gjatë me prindërit e tij, që t’i bindja ta dërgonin në një shkollë më të afërt, me më pak nxënës, ku mund të punohej dhe të trajtohej më mirë, por më kot....
Si përfundim, u bë pjesë e klasës sime.
Ishte një fëmijë i zgjuar dhe me shumë energji. Ishte më i vogli në familje dhe me prindër shembullorë. Vëllai i tij i madh ishte 25 vjeç, ndërsa e motra 22 vjeçe.
Sjellja dhe veprimet e tij kërkonin një kujdes të veçantë. Natyrisht jo vetëm ai, por të gjithë kërkonin përkujdesje, pasi ishin fëmijë 6 -vjeçar …
Shpesh pësonte ndryshime të papritura ndjenjash dhe emocionesh, në të shumtën e kohës qëndronte ose në këmbë, ose nën bankë, ose pranë koshit të mbeturinave, përdorte pa leje mjetet shkollore të shokëve dhe shoqeve të klasës, shpeshherë bënte lëvizje të pakontrolluara; i mungonte përqendrimi gjatë procesit mësimor. Ishin gjyshërit e tij që e shoqëronin çdo ditë për në shkollë. Pasdite, komunikoja me të ëmën për ecurinë dhe mbarëvajtjen e tij.
E megjithatë ishte shumë i dashur. E shfaqte këtë në momente të veçanta të orës së mësimit, kur shpesh më përqafonte...
Një ditë, në njërën nga ato përqafimet e radhës, iu afrova dhe bisedova me të.
-Je shumë i mirë dhe i zgjuar! Së bashku do përpiqemi të rregullojmë edhe veprimet, – i fola.
-Pse vepron kështu? – e pyeta.
-Gjeje vetë! - m’u përgjigj me një ton të prerë.
Megjithëse ishte dhjetor, djersa më rridhte çurg.
Një buzagaze më mbërtheu në çast. S’i thashë asgjë. Vetëm mendova …. Nuk e kisha dëgjuar asnjëherë të dilte nga goja e një gjashtëvjeçari një përgjigje e tillë.
Pas disa muajsh, një fatkeqësi natyrore u ndodhi familjarëve të tij. Shtëpia e tyre u dogj nga një shkarkesë elektrike. Atë kohë djaloshi 6 vjeçar kishte qenë në shtëpi së bashku me gjyshin e vet.
Ai shpëtoi, por gjyshi i tij humbi jetën.
-Gjyshi jeton, ka shkuar në Itali, - kishte qenë reagimi justifikues i familjarëve ndaj të voglit, si një ngushëllim ndaj situatës.
Të gjithë si shkollë dhe komuniteti mbarë u sensibilizuan në ofrimin e një ndihmese të mundshme, sado modeste të ishte. U grumbulluan veshje të ndryshme, batanije, ushqime, lodra, mjete shkollore si dhe ndihmë monetare. Të përzemërta ishin edhe falënderimet që morën nga prindërit e tij.
Shtëpia e re nisi të ndërtohej.
Kjo ngjarje e tronditi dhe më shumë gjendjen e tij shpirtërore. E vetmja dëshirë e tij ishte “vizatimi”. Kudo vizatonte shtëpi dhe zjarre. E pyesja për vizatimet që bënte, megjithëse ishim jashtë temës së mësimit. Ai shprehte mendimin e tij, ndjesitë që kishte kaluar …. Bisedoja me të, jo për ngjarjen, por për diçka tjetër...Bisedoja për veshjen e tij të bukur, për dëshirat e tij, për futbollin, për lojërat … për shtëpinë e re… Në këtë mënyrë, ai përfshihej në mësim si gjithë të tjerët.
Pas një viti, familja e tij u bë me shtëpi të re dhe të bukur. Shpejt u bë dajë i një mbese dhe nipi binjakë. Solli në klasë ëmbëlsira të ndryshme për të gjithë shokët dhe shoqet. Të gjithë shprehëm urimet tona. Një pjesë e klasës qeshte me mirësi. Mendonin dajallarët e tyre, që ishin shumë më të mëdhenj në moshë, jo sa shoku i tyre.
Ndërkaq edhe unë i dhurova një dhuratë të vogël për mbesën dhe nipin. U gëzua pamasë. Sytë bojëqielli i shkëlqenin.
-Faleminderit shumë mësuese! – më tha.
Në përditshmërinë e profesionit tim, sa herë më cingërinë në vesh fraza e tij:
-Gjeje vetë! Gjeje vetë!…
E gjeta, por jo aq lehtë.
E gjeta me durim, këmbëngulje dhe bashkëpunim me të gjithë. E gjeta duke vlerësuar shumë personalitetin e tij si fëmijë, me të gjitha cilësitë që zotëronte.
Të gjitha veprimet që bënte në fillim, kohë pas kohe pësuan rënie të dukshme. Tani nuk ekzistojnë më.
Është nxënës me arritje shumë të larta dhe një fëmijë model.
Sfidova veten time.
Ndoshta tanimë e di se ku ndodhet gjyshi i tij… megjithëse s’e kam pyetur…
Sa herë e takoj, më përshëndet me shumë respekt dhe dashuri …. Më përqafon…Dhe unë vazhdoj t’í them:
-Je shumë i mirë!...
Vitet kanë kaluar …
Sa herë më vjen ndër mend përgjigjja e tij befasuese:
-Gjeje vetë!...
Lejla Duli
Lejla Duli ka lindur më 1964 në qytetin e Shkodrës. Studimet e larta i kreu për mësuesi në degën cikli i Ulët në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Aktualisht është mësuese e ciklit fillor në shkollën 9–vjeçare “Ismail Qemali”. Ka filluar punën si mësuese që nga viti 1986, në fshatin Hajmel; 1990 në shkollën 9-vjeçare “Pashko Vasa” dhe 1991 në shkollën 9–vjeçare “Ismail Qemali. Ka përvoja të ndryshme që kanë të bëjnë me mësimdhënien dhe mësimnxënien në ciklin fillor. Në vitin 1991 ka filluar punën në shkollën 9-vjeçare (ushtrimore) “Ismail Qemali” dhe si mentore për praktiken pedagogjike të studentëve. Në vitin 1998 deri 2010 ka qenë nëndrejtore e ciklit fillor pranë kësaj shkolle. Gjatë këtyre viteve ka qenë koordinatore e praktikës pedagogjike të studentëve shkollë-universitet. Nga viti 2005 deri 2014, pedagoge e jashtme në Universitetin “Luigj Gurakuqi” për lëndën, psikologji loje. Gjatë këtyre viteve është trajnuar në trajnime të ndryshme, kombëtare dhe ndërkombëtare, në vende të ndryshme të Europës. Është fituese e etiketave të cilësisë, 2015-2016, të shumë projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare përmes platformës e-Twinning. Është edhe autore e disa fletoreve pune në ndihmë të teksteve shkollore, për mësuesit dhe prindërit.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Botë shumëngjyrëshe” nga Dorina Saraci
“Karantinë 2020” nga Iriana Papamihali
“I lëndova prej pyetjes së librit” nga Albana Dollani