"Gjeniu i Cërrikut dhe pesha e një olimpiade" nga Evans Drishti
Historia e Loris Qosjas, 15-vjeçarit nga Cërriku, fitues i Medaljes së Artë në Olimpiadën Botërore të Matematikës, sjell në vëmendje peshën reale të olimpiadave. Një reflektim mbi talentin, mbështetjen institucionale dhe nevojën për politika të posaçme për nxënësit elitarë.
Kushdo do të dëshironte ta kishte në shkollë një të tillë, sikurse Loris Qosja, 15 vjeçarin GJENI nga Cërriku, fitues i Medaljes së Artë në Olimpiadën Botërore në Matematikë dhe i medaljes së bronzit në lëndën e Kimisë.
Ai vjen nga një vend i vogël, sikurse qyteti i Cërrikut, por ishte prirja e tij e jashtëzakonshme në fushën e matematikës dhe të kimisë që e bëri të dilte përtej klasës së vet, përtej njohurive që ofron libri i matematikës dhe i kimisë i klasës 9-të.
Duhej pikërisht një aktivizim i këtij nxënësi gjenial në të tilla konkurime, që njohuritë e tij të merrnin një shtrirje akoma më të gjerë.
Prej kohësh ngrejmë zërin në rëndësinë dhe peshën që kanë patur dhe kanë Olimpiadat për ta nxitur nxënësin të kuptojë peshën që mbart në njohuritë përkatëse.
Olimpiada nuk është thjesht një konkurim mes grupeve të nxënësve, ajo është dhe mbetet një hapësirë e volitshme për të nxjerrë në dukje vizionet dhe diapazonet që mbartin brezi i të rinjve jo vetëm në aspektin e një pasioni, por të nesërmet edhe në shërbim të një profesioni.
Ndaj,
Për përgatitje të tilla është shumë e domosdoshme që këta nxënës të kenë hapësirën e volitshme në shkollë për të ushtruar aftësitë e tyre në lëndët përkatëse.
Kjo kategori e nxënësve duhen trajtuar me shumë specifikë, duke marrë përkrahjen e gjithë stafit të shkollës për t’i mbështetur në të gjitha kushtet dhe rrethanat, dhe jo të krijohen ngërçe gjatë proceseve të përgatitjeve.
Nxënësit e olimpiadave duhet të pajisen me programe të posaçme të miratuara nga MAS, të cilat t’u japin hapësirën e duhur këtyre kategorive që të peshojnë njohuritë përkatëse.
Gjatë periudhës së zhvillimit të olimpiadave është ABSURDE që nxënësi pjesëmarrës të zhvilloje procesin e rregullt të mësimit në shkollë. Përkundrazi ai/ajo duhet patjetër të plotësojë gjithë hapësirën e mundshme për ditë me radhë për një përgatitje serioze të këtij konkurimi, shoqëruar domosdoshmërisht nga mësuesit e posaçëm përgatitës të olimpiadave. Më vonë, mësuesit e lëndëve të tjera duhet të angazhohen specifikisht të kontribuojnë në plotësimin e njohurive për këtë kategori nxënësish.
Nxënësit e olimpiadave duhet patjetër të kenë një mbështetje financiare (bursa të posaçme) jo vetëm si një hapësirë dhe mënyrë inkurajimi dhe motivimi për të qenë sa më produktivë në këtë drejtim, por njëherazi edhe për t’u angazhuar përtej institucionit arsimor në zgjerimin e aktivitetit të tyre përgatitor. Ashtu sikurse nevojiten honorate të posaçme edhe për mësuesit përgatitës, të cilët shpenzojnë kohë të shumtë gjatë tërë vitit shkollor duke sfiduar kushtet dhe rrethanat e ndryshme, vetëm për një qëllim të caktuar, arritjen e fitores.
Siç shihet dhe kuptohet, një nxënës ashtu sikurse mund të lind “gjeni” ashtu edhe mund të zhvillohet për t’u bërë i tillë. S’është e thënë se duhet të jetë patjetër nga një vend i madh në aspektin gjeografik, apo edhe nga një vend metropol siç mund të jetë kryeqyteti, mjafton t’u japësh këtyre kategorive hapësirën e duhur dhe mbështetjen e domosdoshme, atëherë mendje të tilla TË ARTA dalin pikërisht nga të tilla konkurime dhe nga aktivizime sociale e kulturore.
Sot është momenti më i volitshëm t’u jepet hapësira e duhur mediatike dhe administrative pikërisht këtij nxënësi kampion botëror dhe nxënësve që përgatiten për olimpiadat duke ofruar jo vetëm modelin më të mirë inkurajues dhe motivues, por njëherazi për të ndërtuar strategji të qëndrueshme të zhvillimit të një brezi të ri me mendje të artë.
Mirënjohje Loris Qosja për vlerën kombëtare që je!
Mirënjohje mësuesve të matematikës dhe kimisë për kontributin e vyer!
Punë të mbarë të gjithë nxënësve dhe mësuesve në olimpiadat përkatëse!
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fëmijët e QKKF që u vlerësuan me Çmim të Artë, të Argjend dhe Çmime Nderi në Konkursin Ndërkombëtar të Artit në Portugali
Talenti 15-vjeçar, Erbli Zade: Piano është gjuha që më lidh me botën
"Kanga e Lulit t’Vocërr" nga shkolla "Barbulloja e Re", një risi që sjell revistën shkollore fizike dhe online