“Gjuetari i frikës”, nga Albana Kajmaku

“Gjuetari i frikës”, është shkrimi letrar i mësueses Albana Kajmaku me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Shtëpia Botuese Albas.

“Gjuetari i frikës”, është shkrimi letrar i mësueses Albana Kajmaku me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Shtëpia Botuese Albas.


Ishte një ditë me diell dhjetori e vitit 2003. Klasa ku unë jepja mësim, ishte me pamje ngaoborri, porta dhe rruga kryesore, por kjo nuk më ndihmoi të shihja që dikush kishte hyrë në shkollë.


Në derë u dëgjuan dy trokitje të rënda dhe me komandën “Hyr!”, ajo u hap ngadalë. Ndërkohë po mbaroja së shkruari në dërrasë të zezë dhe nuk e ktheva kokën menjëherë. Ema, nxënësja e bankës së parë nxori një klithmë të mbytur.


Në prag të derës u shfaq ai. Me çizme llastiku të përbaltura, pantallona ushtari, një xhaketë ngjyrë ulliri dhe një pushkë varur në sup. Unë shtanga e tmerruar. E dija shumë mirë përse ndodhej përballë meje. Ktheva kokën nga nxënësit dhe në sytë e tyre lexova frikën e kësaj përballje. Edhe ata e njohën. Ai e kuptoi frikën time dhe m’u duk sikur u gëzua nga ky fakt. Tani më kishte në dorë. Hoqi pushkën nga krahu, e mbajti në dorë dhe bëri disa hapa drejt meje.


-Shpjegohu menjëherë! -thirri me zë të fortë.


Ajo pushkë në dorë po ma thante krejt fytin. Frika e ndonjë shkrepje të pavullnetshme, siç kisha lexuar në libra, më bëri të më dridhen gjunjët. Me gjysmëzëri iu përgjigja:


-Ju lutem, shkojmë në drejtori.

-Sqarohu këtu,-ma preu shkurt.-Këtu, para fëmijëve!


Një veprim imi kishte qenë i pafalshëm në sytë e një prindi. Ndërsa për një mësuese në moshë 18-vjeçare, siç isha unë, ky veprim kishte vënë “drejtësinë” në vend. 


***


Njëra nga vajzat e klasës së parë kishte marrë fshehurazi nga çanta e shoqes së saj një monedhë 20-lekëshe. Me pafajësinë e një fëmije, ajo e pranoi se ia kishte marrë lekët. Ndërsa unë, pa u ndalur fare për të gjetur shkaqet e veprimit, e nxora vajzën e gjorë para klasës, i kërkova ta zgjaste dorën para dhe e godita.

-Na premto të gjithëve, që nuk do ta bësh më!-i bërtita.

Ajo u skuq nga turpi dhe i rrodhën lot në faqe. Vrapoi drejt bankës së saj dhe nuk e ngriti kokën deri në fund të mësimit. Kur e pashë të përlotur, m’u dhimbs, por i mbajta qëndrim, pa kuptuar se kisha prekur në sedër një fëmijë vetëm 6 vjeç.


***


Zotëria përballë meje nuk lëvizi nga vendi. Ankthi sa vinte e shtohej. I kërkova sërish me lutje, deri në përgjërim, që të dilnim nga klasa. Nuk më ktheu përgjigje. Kisha dy rrugë, o të lëvizja shpejt e të dilja përmes derës që kishte mbetur e hapur, o të shpjegohesha, pavarësisht frikës që më kishte pushtuar. Në fakt, unë mendoja që s’kisha bërë ndonjë gabim të madh. Fundja, a s’na rrihnin ne prindërit, sa herë bënim ndonjë gabim të rëndë? Këtë argument, madje, e përdora edhe për mbrojtje më vonë, por pa sukses.


U nisa drejt daljes ngadalë dhe pa e kthyer kokën pas, nxitova për nga drejtoria. Ndjeva hapat e rëndë të një gjigandi, që më ndiqnin nga pas. Trokita në derë dhe, falë Zotit, drejtori ndodhej brenda. Para tij e ndjeva veten tamam si fëmija i zënë në faj, pasi e konsideroja si babanë tim. Vetëm katër vite më parë kisha hyrë në këtë zyrë të tërhiqja dëftesën e lirimit dhe bashkë me lëvdatat, si një ndër nxënëset më të mira të shkollës, ndërsa sot u gjenda po këtu për të marrë goditjen fatale.


Drejtori, me urtësinë e tij prej babaxhani, e shoshiti me kujdes situatën. Me mjeshtëri dhe profesionalizëm na vendosi të dyve përballë, në mënyrë që peshorja e drejtësisë të mos anohej nga asnjë krah. 


Ndërsa ai, “gjuetari i frikshëm”, ngadalë u shndërrua në një njeri të zakonshëm, fjalëpakë dhe të kuptueshëm, si dhe më dha një mësim për kujdesin që duhet të tregoj në situata të ngjashme me fëmijët. 



Albana Kajmaku


Albana Kajmaku u lind më 17.10.1984. Ka kryer studimet e larta në degën gjuhë-letërsi dhe master profesional për redaktori. Nga viti 2003 deri në vitin 2008 ka punuar si mësuese e ciklit fillor, ndërkohë që pas këtyre pesë viteve e deri më tani, është mësimdhënëse në Shkollën e Mesme të Bashkuar Ishëm, Durrës. Në kohën e lirë i kushtohet leximit, eksplorimit të natyrës, dëgjimit të muzikës klasike etj.



©Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,312 Lexime
9 muaj më parë