"Gjuha shqipe, dhurata që u lashë fëmijëve të mi" nga Zamira Dedja
Zamira Dedja rrëfen udhëtimin e saj si nënë emigrante në Selanik, ku ruajtja e gjuhës shqipe u bë mision familjar. Me përkushtim, bashkëpunim me shkollën shqipe dhe mësuesen Aurela Konduri, ajo ua la fëmijëve gjuhën amtare si dhuratën më të çmuar.
Quhem Zamira Dedja dhe me origjinë jam nga Elbasani. Prej 17 vitesh jetoj me familjen time në Selanik. U larguam nga Shqipëria në periudhë shumë të vështirë për shumë familje shqiptare me shpresën që të kishim një jetë më të mirë. Sigurisht nuk ishte e lehtë për ne sepse do të adaptonim një jetë të re me kulturë dhe gjuhë tjetër. Megjithatë, me dashuri dhe sakrificë arritëm që të ndërtojmë atë jetë të dëshirueshme këtu në dhè të huaj.
Si prind emigrant, sakrificat kanë qenë të shumta. Rritja e fëmijëve larg vendit mëmë, duke u përpjekur gjithmonë që të mos e humbasin lidhjen me gjuhën dhe kulturën shqiptare, ishte një nga sakrificat kryesore.
E ndiej si përgjegjësi që fëmijët e mi të njohin gjuhën e prindërve të tyre. Në familjen time flasim vetëm shqip, në mënyrë që fëmijët të dëgjojnë dhe ta përdorin lirshëm atë. Në fillim kam pasur frikë se mund të mos e flasin mirë shqipen, por gjithmonë i kam motivuar duke u treguar rëndësinë e gjuhës sonë.
Shkolla shqipe në Selanik, shoqata “Nëna Terezë”, ka luajtur një rol të madh tek fëmijët e mi. Ata vazhduan mësimet e gjuhës shqipe për shumë vite me radhë duke marrë dije nga mësues të shkëlqyer dhe duke u bërë akoma më shumë krenar për origjinën e tyre. Atje fëmijët përveç mësimeve bënin aktivitete të ndryshme ku recitonin, këndonin dhe kërcenin valle të ndryshme të origjinës shqiptare. Djali i madh u certifikua me nivelin më të lartë (C2) me ndihmën dhe përkushtimin e mësueses Aurela Konduri. Gjithashtu dhe djali tjetër po vazhdon mësimet, po me mësuese Aurelën, për dhënien e provimit të nivelit (C1). Mësuese Aurela gjithmonë ka qenë një mbështetje e madhe për fëmijët tanë.
Besoj se çdo prind duhet të bëjë çfarë është e mundur për t’i ndihmuar fëmijët të ruajnë gjuhën e nënës, jo vetëm nëpërmjet shkollës, por edhe në jetën e përditshme, me këngë, libra dhe biseda në gjuhën shqip. Kështu gjuha mbetet e gjallë dhe bëhet pjesë e natyrshme e identitetit të tyre. Dy gjuhësia për mua është një dhuratë që i forcon dhe i bën më të pasur shpirtërisht fëmijët.
Lidhja prind-mësues-fëmijë është thelbësore në këtë proces. Bashkëpunimi dhe mbështetja që marrim nga komuniteti shqiptar në Selanik na ndihmon të ndiejmë se nuk jemi vetëm, kemi krijuar një rrjet që mban gjallë kulturën tonë. Për prindërit që ende nuk i kanë çuar fëmijët në shkollën shqipe do t’u thosha se çdo gjë që do të mësojnë shqip është një dhuratë për rrënjët e tyre. Gjuha është një urë që lidh brezat, është kujtesë dhe dashuri për origjinën. Në fund, për mua të mësosh gjuhën shqipe në mërgim do të thotë të mbash zemrën e atdheut gjallë kudo ku jeton.
Marrë nga Revista “Flasim shqip”, QBD
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë
Artistët shqiptarë të periudhës së Pavarësisë
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
"Zanafilla", një udhëtim poetik dhe filozofik drejt pyetjeve të përjetshme