Dita e grave

Gratë revolucionare në histori

Historia ka listuar emra të grave që qëndruan dhe luftuan për të tejçuar zërin përmes shkrimeve të forta dhe punëve që u shndërruan himn për brezat e rinj.

Dita ndërkombëtare e grave shkon përtej festimeve dhe urimeve të ëmbla. Në thelb, kremtimi qaset si protestë: të drejta të barabarta, jo diskriminim. Simboli i ngjyrave lejla, jeshile, e bardhë, paraqet drejtësinë, shpresën dhe pastërtinë si shenjë identifikuese për të gjitha gratë kudo në botë të mblidhen, të celebrojnë dhe të brohorasin arritjet e tyre. Historia ka listuar emra të grave që qëndruan dhe luftuan për të tejçuar zërin përmes shkrimeve të forta dhe punëve që u shndërruan himn për brezat e rinj. 


1- SIMONE DE BEAUVOIR ( Revolucion në Feminizëm)

“Çfarë do të thotë të jesh grua?” Përgjigjja, e cila u shndërrua në britmën e luftës së feminizmit anembanë botës, u përmblodh nga Simone de Beavoir në një fjali: “Grua nuk lind, por bëhesh!”. Në kontrast të fortë me traditën filozofike një mijëvjeçare, De Beuavoir shembi idenë se bindja, besnikëria dhe heshtja ishin virtyte tipike femërore. 


2- MARTHA GRAHAM (Revolucion në Kërcimin Modern)

Martha Graham e interpretoi shekullin XX, dy luftërat botërore, feminizmin dhe psikanalizën, duke kërcyer me furi. Graham ishte themeluesja e kërcimit modern dhe pionere e gjithë manifestimit të tij novator në Perëndim. “Gratë ,- thoshte ajo,- nuk kanë nevojë të zhvishen për të qënë sensuale, kurse burrat, po”. 


3- VIRGINIA WOOLF ( Revolucion në Shkrim)

“E kush arrin që të masë zjarrin dhe dhunën e zemrës së poetit, kur zihet e mbërthehet në trupin e nje gruaje?” Virginia dëshironte të përfshihej në një botë që u përkiste vetëm burrave romancierë dhe ia doli mbanë. Strukturën tradicionale të romanit e zbërtheu copash, dhe në të shtoi materiale për t’u kujtuar grave rrënjët e luftës së tyre për pavarësi… “ Gruaja duhet të ketë para dhe një dhomë më vet, nëse dëshiron të shkruajë romane”.


4- AMELIA EARHART ( Zonja e Qiejve)

Amelia Earhart ishte karizmatike, plot kurajë dhe guximtare. Jeta dhe vdekja e saj u bënë legjendare, sa edhe sot njerëzit vazhdojnë të kërkojnë mbetjet e avionit të saj, i cili u zhduk në mënyrë të mistershme teksa fluturonte mbi Oqeanin Paqësor, në vitin 1937. “Gratë, ashtu sikurse burrat, duhet të përpiqen të realizojnë të pamundurën. Dhe kur nuk ia arrijnë, dështimi i tyre duhet të jetë sfidë për gratë e tjera.”


5- MARIA MONTESSORI (Revolucion në Pedagogji)

Maria Montessori bëri revolucion në petagogji, duke i vendosur fëmijët, krijimtarinë mendore dhe individualitetin e tyre në qendër të gjithçkaje. “Shenja më e madhe e suksesit për një mësues është që të thotë: Fëmijët po punojnë sikur unë të mos ekzistoja.” Në këtë mënyrë, ajo ndoqi ëndrrën për një shoqëri të përbërë nga njerëz që do të ishin të çliruar edhe të pavarur nga fëmijëria e tyre dhe, kësisoj, të aftë për t‘u bërë mendimtarë kritikë dhe persona për t’u dalë zot ekzistencës së tyre. “Është folur shumë për të drejtat e njeriut, sidomos për të drejtat e punëtorëve, po çka ardhur çasti të flitet për të drejtat shoqërore të fëmijëve”. 


6- RITA LEVI-MONTALCINI ( Revolucion në Mjekësi)

Rita Levi-Montalcini filloi të nuhaste se njeriu nis nga një qelizë e vetme, por me kohën bëhet një organizëm i dhjetëra indeve të ndryshme. Në vitin 1986, asaj iu dha çmimi “Nobel për mjekësinë”. Montalcini, një feminist e vendosur, thoshte: “Të gjithë thonë, se truri është organi më i ndërlikuar i trupit të njeriut. Si mjeke, mund edhe të bie dakort. Por, si grua, ju siguroj që nuk ka asgjë më të ndërlikuar se s zemra. Mekanizmat e saj ende nuk njihen sot.”


7- ROSA PARKS ( Revolucion nga ndjenjësja e autobusit)

“Duke qëndruar ulur, ajo u ngrit për të mbrojtur të drejtat e të gjithëve dhe dinjitetin e Amerikës”, deklaroi presidenti Bill Clinto, kujr po i jepte Medaljen e Artë të Kongresit rrobaqepëses nga Alabama që nisi një revolucion nga ndenjësja e autobusit. Rosa frymëzoi krijimin e librave, këngëve dhe filmave, ndërsa 1 dhjetori u shndërrua në datën simbolike të luftës ndaj racizmit dhe diskriminimit. “Do të doja të njihesha si një gruja që është e shqetësuar për lirinë, barazinë dhe mirëqënien e të gjithë njerëzve”. 


8- MARGARET THATCHER ( Revolucion në Politikë)

Ajo e kaloi jetën në vijë të pare të frontit, gjithëmonë besnike ndaj nofkës së saj Zonja e Hekurt. Margaret Thatcher e qeverisi Mbretërinë e Bashkuar nga viti 1979 deri në 1990-n me strategjinë e saj pragmatiste: “Në politikë, nëse dëshiron që të thuhet diçka, kërkoja një burri. Nëse dëshiron që të bëhet, kërkoja një gruaje.” Politika ishte jeta e saj dhe parlamenti ishte vendbanimi. Ajo ka thenë: “Fuqi do të thotë të jesh zonjë. Nëse je e detyruar t’ua tregosh të tjerëve këtë, s’mund të jesh e tillë.” 


9- MALALA YOUSAFZAI (Revolucion në Arsim)

A mundet një vajzë e re që ta ndryshojë botën? Malala Yousafzai e bëri kur ishte pothuajse fëmijë, duke u shndërruar në simbolin e luftës për të drejtat e studimit për të gjithë fëmijët në mbarë botën. Tek fliste në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Malala e dinte që talebanët ishin betuar për t’u hakmarrë:  “Ata i tremb fuqia e arsimit. Kanë frikë nga gratë. Kjo është arsyeja pse vrasin, pasi kanë frikë” . Kuraja e saj u shpërblye me çmimin “Nobel për Paqen”, në vitin 2014 kur Malala ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeçe. “U kërkoj udhëheqësve të botës që të investojnë në libra dhe jo në plumba”.


10- RACHEL CARSON (Revolucion në Biologji)

Me botimin e librit “Pranverë e heshtur” RACHEL i dha shkëndijë lindjes së lëvizjes ambientaliste. Autorja ishte shkencëtare e pasionuar dhe shkrimtare elegante, e cila arriti të mrekullonte botën me fuqinë e prozës së saj. Rachel deklaroi: “Më shumë se kurrë më pare, raca njerëzore është sfiduar që të tregojë aftësinë e saj jo duke u marrë me natyrën, por me veten tonë”.


Burimi: Libri 50 gratë më me ndikimi të epokës sonë.


Përgatiti: Xhoana Jaku.


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.       

954 Lexime
2 vjet më parë