14 shkurti

“I joti Valentin”

Dashuria nuk njeh pak, nuk njeh shumë, se mbart mjaftueshmërinë, as ngopjen dhe kurrë caqet e një bote me kufizime…

Njerëzimi zgjedh të përcaktojë një datë përkujtimore (14 shkurtin)  kushtuar dashurisë si vlerës më të fortë humane. 


Legjendat tregojnë versione të papërcaktuara ku Valentini shfaqet si prifti martir i cili lidhi në kurorë dy të dashuruar në fshehtësi, e herë të tjera përshkruhet si autori i letrave drejtuar vajzës së tij me vizion të kthyer nga dashuria. Paçka varianteve, ideja luftës gjer në fund në emër të dashurisë vjen e përkorë gjer në ditët e sotme. 


A mund të themi se në kaosin e marketingut social është skematizuar dashuria e shekullit tonë modern? Një dëshirë për ta vendosur në piedestalin e postimeve. Për ta fotografuar momentin më parë me aparatet fotografike dhe më pas me sy. Njeriu rreket ta ruajë të bukurën përmes rrjedhës së kohës, e këtu ka padyshim fisnikëri. E sërish, dëshira e kthyer në varësi për ta mbajtur dhe promovuar për masën vjen shëndetligë për habitatin zhvillimor të dashurisë mes një çifti. Një dashuri e planifikuar, transparente, publike, e fotografuar, manifest i vargut të objekteve të personifikuara…një traditë dashurore e ndarë nga origjinaliteti i idesë primare, e cunguar dhe e modifikuar rrugës… shpesh këto praktika bëjnë një hap pas kultivimit të ngrohtë të krijimit, vijueshmërisë dhe mbajtjes së ndjenjës së dashurisë. Në legjendë, veprimet e Valentinit janë jehonë për çdo brez se dashuria zhvillohet më e fortë përmes veprimeve të së gjallës, përmes shtrëngatave dhe peripecive, sa kohë vullneti i njerëzve nuk shteron. 


Çfarë vjen si e gabuar apo e shtrënguar? 


Legjendat në thelb e mishërojnë një bërthamë sado të vogël të vërtetësisë, fare mirë mund të besoni në bukurinë e një ideje të përçuar nga legjendat. Ndërkaq, çfarë vjen si e gabuar lidhet me këshillat mbi rrugën, manualin apo metodën që njerëzit duhet të ndjekin për të dashuruar. Secili individ dashuron në mënyrën e tij vetjake, unike dhe origjinale. Asnjë manual nuk ekziston. Besoni në preferencat vetjake. Çfarë i karakterizon pëlqimet e partnerit tuaj? 


“Shikoni brenda njeriut dhe zbuloi nga buron dashuria e një njeriu. Të vërtetën e gjeni aty, jo të fjalët që nxjerr goja.” – Hipokriti.


Dashuria vibrohet më e lartë kur vishet me thjeshtësi. Lirshmëron përmes veprimeve jo të programuara. Një Shën Valentin i orientuar tek krijimi i një tradite të shëndetshme shijimi vetjak. Vetëm një çift, pa botën, pa teprica, pa ritual, në garë me kohën, përkrah të bukurës dhe intimitetit. Bota kthehet më e përkorë kur thjeshtëzohet në vetëm dy individë. Një letër mjafton për të tejçuar çfarë zemra ju dëfton të rrëfeni. Në çështjet e zemrës të gjithë mund të jenë rrëfimtarë, poet apo shkrimtarë. Pak vargje janë mjaftueshëm. Çdo letër nis me “ i/e dashur…” për të vijuar me lulka dhe ornamente sipas kujtimeve dhe veçorive që e kthejnë lidhjen dashurore në unike. Çdo dashuri është e ndryshme, kështu niseni me simbolikën e një letre, për njerëzit pranë, për të dashurit matanë detit, për këdo i cili iu bën të ndiheni falënderues ndaj dashurisë së dhënë.  


Le ta ruajmë këtë humane me po aq fanatizëm sa edhe e flasim apo e fotografojmë. 



Përgatiti Xhoana Jaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,466 Lexime
2 vjet më parë