INTERPRETIMI NË GRUP

Interpretimi në ansambël/ në grup

Interpretimi në ansambël/ në grup në klasën e VI-A në shkollën 9-vjeçare “Mark Dashi” Fier vuri në skenë “Bretkosa që desh të trashej sa një kà”, ku nxënësit punuan në grupe të vogla aktorësh, me mbikqyrjen e mësueses Amarda Muskaj...


Teatri, si art i komunikimit me anë të fjalës, vjen si një lëndë e re për nxënësit e klasës së gjashtë, por ai vjen njëherazi po aq i interesant sepse krahas teorisë, nxënësit mund të bëjnë praktikë teknika dhe elemente të lojës teatrore. Si shprehje më e mirë e kësaj kompetence vjen ora e mësimit me temë: “Interpretimi në ansambël/ në grup” në klasën e VI-A në shkollën 9-vjeçare “Mark Dashi” Fier me vënien në skenë të fabulës së përshtatur në role “Bretkosa që desh te trashej sa një kà”, ku nxënësit punuan në grupe të vogla aktorësh, përshtatës teksti,kostumografësh e skenografësh, por duke punuar si një ansambël i vetëm. Kjo orë mësimi ka në qendër jo vetëm kompetencën e lojës në grup, por edhe motivimin e talenteve në një fushë të caktuar- Mësuesja e lëndës Amarda Muskaj


Teatri njihet si arti më i vjetër në botë, i fjalës, i magjisë që përcjell dhe emocionit që përçon. Ka një ndërthurje fjalësh, ngjyrash, lëvizjesh dhe notash muzikore, të cilat të hapin dyert e të kuptuarit të shumë fenomeneve, duke prekur shumë herë problematika reale dhe duke zgjuar të menduarin dhe të perceptuarin  e shumë fakteve. Ai përcjell mesazhe nëpërmjet argëtimit dhe kush është admirues e njeh me së miri ndjesitë që përcjell.

Teatri është komunikim, i cili ka një fuqi të madhe për të formuar individë të arrirë, që rriten vrullshëm nga bashkëpunimi dhe vlerësimi i njëri-tjetrit. Çdo mësues do të ndihej i lumtur, nëse njërin nga nxënësit që luante aq bukur pjesët teatrale, do ta dëgjonte tek referonte ose aktronte, në auditore e skena të gjera, plot pjesëmarrje. Teatri, kur preket afër nga vogëlushët dhe kur përkushtimi i realizimit është maksimal, rezulton një produkt shumë interesant, ku të gjithë nxënësit e gjejnë veten, pavarësisht talentit që disponojnë. Brenda tij ndërthuren shumë fusha: Gjuhët dhe komunikimi, Artet, Shoqëria dhe Mjedisi, Edukimi fizik, Sportet dhe Shëndeti, Tekonlogjia ose TIK etj. Ai i vesh fëmijët me një kulturë artistike, emocionale dhe shpirtërore duke i bërë më bashkëpunues, më vlerësues dhe të respektueshëm ndaj njëri-tjetrit. Çdo fëmijë përforcon konceptet bazë:

-përqëndrimin;

-artikulimin e saktë të fjalëve;

-oratorinë e të folurit në publik;

-besimin në vetvete që edhe ai mund të luajë;

-forcën e fjalës për të përcjellë mesazhe.

Nxënësi njeh skenarin dhe e përvetëson më së miri, pranon rolin dhe hyn në brendësi duke e trajtuar lirshëm sipas individualitetit të tij, bashkëpunon me partnerët, mendon dhe jep ide për skenografinë, kostumografinë, mënyrën e vendosjes etj. Në fund nxënësi e shijon skenën, sepse e tillë është magjia e saj, mposht ndrojtjen(para shokëve, prindërve dhe të ftuarve), jep mesazhin nëpërmjet lojës së personazhit dhe ka fituar mjaftueshëm nga teatri. Ai është trampolina e vogël që zbulon liderët, ata që më vonë drejtojnë, që e thonë fjalën plot argument dhe shpërndajnë mesazhe të forta.

(P. Shtini; Portali Shkollor)

1,243 Lexime
3 muaj më parë