Intervista

Intervistë Beti Njuma dhe Sofiana Filipi për studimin "Metoda më e rrezikshme" nga John Kerr

Në një prej puntatave të “Një grusht librash” të gazetares së mirënjohur Beti Njuma, përkthyesja e librit best seller “Metoda më e rrezikshme”, Sofiana Filipi, ka rrëfyer suksesin dhe risitë e këtij vëllimi mjaft interesant të botës së psikanalizës.

Beti Njuma: Zigmund Frojdi dhe Karl Jungu u takuan u takuan për herë të parë në mars të vitit 1907 dhe biseduan me njëri-tjetrin për plot 13 orë rresht. Hera e fundit që u takuan ishte në shtator të vitit 1913, në Kongresin e Katërt Ndërkombëtar të psikanalizës në Munih. Dhe, me aq sa dimë, nuk shkëmbyen asnjë fjalë me njëri-tjetrin. E pra, kështu në heshtje mbaroi një ndër marrëdhëniet më intensive dhe më të çuditshme, por natyrisht edhe më frytdhënëse në fushën e mendimit. Sidoqoftë, nga ky bashkëpunim i tyre thuajse 6-vjeçar, pësuan ndryshime rrënjësore idetë e shekullit XX. E, natyrisht, fryt i kësaj marrëdhënieje mes dy kokave të mendimit dhe psikanalizës në botë ka lindur ky libër me titullin “Metoda më e rrezikshme” me autor John Kerr. 


Sofiana Filipi, mirë se vjen në “Një grusht librash” për të folur për historinë e kësaj marrëdhënieje të veçantë, por, mbi të gjitha, për historinë e psikanalizës. Si lindi dhe u zhvillua ajo nga këto dy figura të jashtëzakonshme?


Sofiana Filipi: Beti, shumë faleminderit për ftesën. Jam shumë mirënjohëse që jam këtu dhe ky libër po merr vëmendjen që meriton, sepse flet në mënyrë njerëzore për kokat. Ne gjithmonë duam t’i adhurojmë, t’i idealizojmë figurat si Frojdi dhe Jungu, mirëpo harrojmë edhe procesin e zhvillimit të tyre. Kjo nuk e hedh poshtë aspak punën rigoroze që kanë bërë dhe ndryshimin madh që kanë sjellë në mënyrën e të menduarit, në mënyrën e vetreflektimit dhe si fillim që i dhanë shpresë çdo njeriu, i cili mendonte se nëse ka një shqetësim emocional të mos ndihet viktimë, sepse në atë kohë psikanaliza nuk ekzistonte e shkëputur, por ishte e lidhur shumë me shëndetin mendor, me psikiatrinë. Kjo do të thotë që deri atëherë, gjithë analiza, gjithë trajtimi bëhej në kuadër të një sëmundjeje, të një çrregullimi. Psikanaliza e bëri njeriun që të marrë pak përgjegjësi për mënyrën se si vepron, ishte një dritë në fund të tunelit dhe për këtë falënderojmë Frojdin, Jungun, dhe së fundmi Sabina Shpilrajnin...


Beti Njuma: Në fakt ky është një libër i ndërtuar në bazë të këtij trekëndëshi të çuditshëm, vërtet i çuditshëm... 


Sofiana Filipi: Unë do të thosha se Sabina solli një balancë shumë të bukur, aromën e femrës në një botë shumë mashkullore. Në konfliktin e dy demave, ajo solli balancën, soll risi, por në fund solli edhe shkëputjen mes Jungut dhe Frojdit...


Beti Njuma: Sabina Shpilrajni erdhi në Zvicër në një moshë shumë të vogël. Ajo ishte ruso-hebreje dhe u shndërrua në pacienten e Jungut vite më vonë. Ajo nuk ishte vetëm pacientja e tij, por u shndërrua në të dashurën, miken e tij, në njeriun që ai i besonte shumëçka, por më pas ajo u shndërrua edhe në psikanalisten e parë femër...


Sofiana Filipi: Është një histori e jashtëzakonshme...


Beti Njuma: Është e çuditshme kjo parabolë e jetës së saj...


Sofiana Filipi: Në atë kohë femrat nuk kishin shumë të drejtë të merrnin studimet e larta dhe Sabina...


Beti Njuma: Në Zvicër thotë autori, sepse në Rusi ishte krejt ndryshe...


Sofiana Filipi: Pikërisht... ndërsa ajo e ka pasur fatin dhe rrugëtimin për të marrë shkollën e lartë. Mirëpo kishte shumë shqetësime nervore, prandaj në Burgholzli, ku Jungu sapo kishte filluar të punonte dhe të praktikonte psikanalizën, ku kishte lexuar për teoritë e Frojdit, pati mundësinë për herë të parë t’i testojë me Sabina Shpilrajn. Gjithashtu ai vuri re se ajo kishte një aftësi për të përmbledhur, për t’i dhënë emërtim gjerave çfarë ndodhnin. Pra, ajo nuk e kishte humbur shkëputjen logjike, madje kishte një thellësi shumë të madhe. Ajo kishte një problem të jashtëzakonshëm që vinte nga rritja e saj, kohë kur mamaja e ndaloi rreptësisht, edhe në shkollë, që ajo të mësonte çdo gjë rreth marrëdhënieve seksuale. Mirëpo, trupi ka jetën e vet edhe është diçka që nuk mund të shkëputej. Kështu ajo kishte një konflikt të brendshëm mes asaj se çfarë ndiente dhe çfarë nuk dinte. Nga ana tjetër, asaj nuk i mungonte aspak kuptimi dhe thellësia logjike. Prandaj Jungu e spikati këtë aftësi të saj për të kuptuarin dhe, pasi filloi ta trajtonte, filloi edhe ta pyeste e t’i tregonte edhe për pacientët e tjerë...  


Beti Njuma:... pra, pak nga pak e shndërroi në një bashkëpunëtore...


Sofiana Filipi: Po... Duke qenë se ajo ishte në klinikë, pasi edhe po trajtohej, ai filloi edhe ta punësonte... sepse edhe kryetari i qendrës spitalore në atë kohë, Bleuler, e kishte shumë të rëndësishme për pacientët e tij që të angazhoheshin me një punë a një tjetër, sepse mendonte që aktiviteti fizik i ndihmonte ata. Dhe Jungu në këtë rast, përveçse si paciente, gjeti dikë me të cilën të fliste, dhe të zhvillonte këtë testin, sepse për Jungun, Sabina ishte rasti i testit... 


Beti Njuma: Dhe më të cilën edhe të dashurohej, ndonëse ishte i martuar... Vinin të dy nga familje të pasura...


Sofiana Filipi: Jungu në fakt u martua me një vajzë nga një familje e pasur, por edhe vetë kishte një mirëqenie shumë të mirë. Kthimi në të dashur është shumë i mrekullueshëm për mua, pasi edhe Jungu kishte shumë nevojë për t’u zhvilluar dhe për kuptuar vetveten. Ai, pavarësisht se ishte mjek, e nisi rrugëtimin e tij, sepse kishte probleme me të kuptuarin e vetvetes dhe kjo e solli në këtë fushë, kjo e bëri mjek dhe që më pas e bëri të krijojë edhe rrymën e vet. Pra të jesh Jungian apo Frojdian...


Beti Njuma: ... dhe Sabina Shpilrajni u shndërrua në elementin kyç të jetës, ashtu siç është edhe në elementin kyç të këtij libri...por ka detaje shumë të rëndësishme nga jeta e tyre, sepse ajo ishte njeriu i afërt që pa dhe dëshmoi transformimin e Jungut, nga Jungian në Frojdian. Dhe dua të lexoj pikërisht çfarë thotë autori për këtë...

“Nga të gjithë njerëzit e rëndësishëm që më vonë dëshironin që Shpilrajni të harrohej asnjë nuk kishte arsye aq dëshpëruese sa Jungu. Po ashtu ajo kishte qenë në qendër të papritur të besimit që çoi në shkëputjen e tij nga Frojdi. Në fund të fundit, ajo ishte e vetmja që ishte në gjendje të siguronte çelësat biografikë të humbur, që lidhnin përpjekjet e mëparshme të Jungut me ato të mëvonshmet. Por përtej hedhjes së dritës së re në karrierën e hershme të Jungut dhe partneritetit të tij me Frojdin, tregimi i Shpilrajnit, siç mund të njihet, e ka edhe një tërësi tjetër një kontribut vendimtar që qëndron në strukturën e përgjithshme të teorive psikanalitike”. 


Ne përgjithësisht figurën e Sabina Shpilrajnit, qëkurse doli filmi hullivudian, për metodën e rrezikshme me Keira Knightley, natyrisht që e lidhim me figurën e saj, por që ky libër është shumë me i gjerë, shumë më i thellë, dhe trajton në një spektër shumë të gjerë të gjithë marrëdhënien e tyre. E vërteta është që ky libër ka nisur pas disa zbulimeve të rëndësishme, fillimisht në ’74-ën u zbuluan ditarë, letërkëmbime dhe materiale që kishin të bënin me Jungun dhe më pas në ’77-ën, u zbuluan ditarët e Shpilrajnit...


Sofiana Filipi: Dukej sikur nuk mund t’i hidhej baltë Shpilrajnit, pavarësisht se u munduan shumë. Edhe Jungu gjatë gjithë historikut të tyre, kalonte në disa ekstreme. Dikur i shkruante, “Jemi bashkë”, “Je mikja im”, “Je poetja ime”, “Gruaja ime është ok me poligaminë”, dhe nga ana tjetër gjithmonë donte ta shtypte...


Beti Njuma:... në fakt gruaja e tij ishte ok me poligaminë jo vetëm me Sabinën, por edhe me gra të tjera që erdhën më pas në jetën e Jungut, të cilat ai i përdori si një trajtim psikologjik për të shëruar vetveten...


Sofiana Filipi:... po dhe në fund del se Jungu kishte po aq nevojë sa Sabina. Dhe duke qenë si ai e përsërit dhe e ripërsërit Sabinën diku tjetër, do të thotë se spekulimet e tij se Sabina po mundohej të hidhte baltë mbi reputacionin e tij, sepse ai nuk e kishte pranuar dashurinë e saj nuk ishin të vërteta. Mirëpo në atë kohë, duke qenë se Jungu po bëhej shumë i njohur, Frojdi e kishte shumë të thjeshtë për ta nënvlerësuar figurën e Sabina Shpilrajnit me këto “Më the, të thashë”... ose fjala e dikujt kundër fjalës së dikujt tjetër. Jungu ishte mjek, Sabina ishte paciente e shtruar për probleme mendore, kështu që në momentin e parë dukej se të gjithë ishin pro Jungut. Madje dhe Frojdi ishte pro Jungut. Më pas duke e njohur Frojdi personalisht Shpilrajnin, kuptoi se kishte diçka që nuk shkonte... 


Beti Njuma: Ne diskutuam deri këtu vetëm për marrëdhënien me Sabinën, por marrëdhënia më fantastike dhe më mbresëlënëse për historinë e mendimit dhe psikanalizës në botë ka lidhje me Frojdin dhe Jungun. Ishte një marrëdhënie gjithsesi e vështirë, aq sa ata filluan ta shantazhonin njëri-tjetrin me sekretet që dinin për jetën personale. Frojdi për historitë e Jungut dhe anasjelltas, Jungu për historitë e Frojdit, më e jashtëzakonshmja e tij me kunatën e tij, motrën e gruas me të cilën jetonin në një shtëpi. 


Sofiana Filipi: Po, dhe ata e nisën me shumë zell marrëdhënien tyre. Frojdi e quante Jungun princin  e kurorëzuar. E shihte trashëgimtarin e teorisë së tij të psikanalizës. Meqenëse Frojdi vetë ishte hebre, ndërsa Jungu jo, dhe me anë të Jungut dhe me anë të Zvicrës, psikanaliza mundi të kishte institucionet e para dhe Jungu në fakt e nxori në pah Frojdin. Mirëpo si babi i psikanalizës nuk mund të dilte mënjanë dhe filloi konflikti ndoshta që mund të kenë “babai dhe bir”, sado simbolik, por edhe në realitet se kush është kryetari, kush është koka e psikanalizës! Jungu ishte një ndjekës shumë i fortë i Frojdit, ishte i pari dishepull i tij dhe nuk e kishte menduar se do të dilte mënjanë. Mirëpo në rrugëtim, në analizim, në zbulim, Jungu kuptoi se analizës së Frojdit i mungonte pjesa shpirtërore për të cilën Jungu e kishte shumë të rëndësishme. Frojdi këtë e mori si sulm personal. Ndërkohë Jungu, siç edhe e lexojmë këtu në këtë libër, e theksoj, pjesën spirituale e kishte jashtëzakonisht të rëndësishme. Ishte ajo që e futi në drejtimin e psikanalizës dhe teoritë e tij kanë të bëjnë shumë me këtë kërkim. Ata e kishin marrëdhënien tamam si baba e bir (kush do të jetë trashëgimtari, kush do jetë kryetari) dhe është shumë trishtuese ta mësojmë në fund që ata nuk flasin më, nuk komunikojnë më bashkë. Dhe “Metoda më e rrezikshme”, është pikërisht shantazhi me sekretet, pasi ata e thoshin aq hapur me njëri-tjetrin, analizuan vetveten dhe njëri-tjetrin dhe më pas po e përdornin gjithë këtë kundër.  


Beti Njuma: Për fatin e Frojdit, ai u nda nga jeta në 1939, dhe në njëfare mënyre lufta e tyre reale përfundoi dhe Jungu jetoi pak më gjatë... por ja se çfarë shkruan autori për këtë marrëdhënie të veçantë...


 “Për karakterin e veçantë të marrëdhënies që lindi mes Frojdit dhe Jungut është shkruar  shumë. Shihte diçka si dashuria, dikush mund të thotë se Frojdi kishte nevojë për një djalë ideal, ndërsa Jungu për një baba ideal dhe sigurisht ata luajtën mirë në interpretimin e roleve, por kjo në shumë mënyra ishte një bashkim i pagjasë. Ata ndryshonin në moshë, traditë, temperamente dhe në qëllimin specifik të ambicieve të tyre, për më tepër nuk u përcaktua se cili ishte më i rëndësishëm nga të dy për momentin”.  


Sofiana Filipi: Është vërtetë interesante të shohësh dinamikën e Frojdit, Jungut me ardhjen e Sabina Shpilrajnit, pasi në fund edhe autori mundohet të tregojë që ata janë njerëz. Ishte dhe një kohë tjetër, shumë ndryshe nga kjo sot. Frojdi vetë, edhe ai kishte nevojë të kishte gjithmonë një femër afër që mund t’i tregonte, mund ta ndihmonte dhe ta mbështeste dhe kjo gjë nuk ishte aq problematike, sa mund të quhet sot. Edhe bashkëshortet atëherë binin dakord me këtë lloj bigamie. 


Beti Njuma: Sofiana, interesante tjetër në këtë marrëdhënie është edhe fakti që, që të dy, për të zhvilluar dhe evoluuar teoritë përdorën si pacientë edhe veten, problemet që kishin, problemet psikologjike, mendore, shqetësimet, gjendjet emocionale, veçanërisht Jungu. 


Sofiana Filipi: Dhe ajo është baza mendoj e mendimit sot, e vetëreflektimit sot. Ne sot flasim shumë për vetëreflektimin. Ne kemi shumë fjalor të pasur në lidhje me shëndetin mendor, në lidhje me të kuptuarit e vetes. Kemi libra pafund që futen të ashtuquajturit selfhealth, pra libra që të ndihmosh veten, pikërisht sepse Frojdi, Jungu, edhe Shpilrajni më pas, që u bë psikanalistja e parë femër, mundën dhe na paraqitën një model se si edhe vetë mund të bësh një kërkim të vetes dhe të nënkuptosh pjesët e nënvetëdijes, të cilat duket sikur diktojnë fatin tonë, por në fakt kanë vetëm nevojë të zbulohen dhe ne ta shohim veten sa më qartë dhe sa më pastër në pasqyrë, në mënyrë që mos të duket sikur e shkuara po na dikton të ardhmen. Por të marrim përgjegjësi për veprimet tona ose ndonjëherë të heqim përgjegjësinë nga vetja për një të shkuar, sepse dikush dikur na ka bërë keq, dhe për të mos mbetur gjithmonë viktimë e një kohe të kaluar dhe të ndërtojmë realitetin që ëndërrojmë. Dhe këta, siç citohet në libër, ishin banorët e parë të shekullin të njëzetë. Influenca e tyre ndihet akoma edhe sot dhe prej tyre dhe këtij kërkimi në vetvete edhe unë kisha interes të njihja më shumë ku doli përkthimi i këtij libri.


Beti Njuma: Sepse ky libër ka lidhje pak a shumë dhe me profesionin që ti bën, si një këshilluese dashurie dhe intimiteti...


Sofiana Filipi: Kam dalë në një fushë të re, në anglisht është Coaching. Mua më pëlqen fjala në shqip, këshilluese. Nuk më pëlqen të them se jam Coach dhe merrem specifikisht me këshillimin e kujtdo në lidhje me të kuptuarin e vetes, çfarë dashurie kërkon, si të ndihet më mirë në intimitet, për të kuptuar këtë pjesë të caktuar të vetvetes. 


Beti Njuma: Sofiana, në fund, por jo për nga rëndësia është edhe sfida e madhe e përkthimit. Pak a shumë je në fushën tënde, por ky libër kaq voluminoz dhe kaq i ndërlikuar në tematikë, në terminologji, ka qenë një sfidë më vete për t’u sjellë në shqip përgjatë tre viteve që ti ke punuar. 


Sofiana Filipi: Po dhe nëse nuk do e kisha këtë pasion nuk besoj se do e kisha ndërmarrë një libër kaq rigoroz. Ajo se çfarë do spikasja nga ky libër i sjellë në shqip, është pikërisht, puna e madhe që është bërë për të sjellë terma ose shpjegime sa më shqip. Unë falënderoj shumë Natasha Pepivanin dhe Dorina Bashën, redaktoret e Albas-it të cilat ishin hap pas hapi me mua dhe bënë të mundur që libri të vinte sa më shqip. Ishin mbështetja ime më e madhe. Më pas u angazhuan edhe profesionistët të tjerë, edhe të fushës, me të cilët mund të bënim atë krahasimin nëse vlen një term a shpjegim i caktuar për të cilin po e sjellim ne dhe libri është një enciklopedi e psikanalizës në shqip, nëse ka diçka për të cilën jam jashtëzakonisht krenare.


Beti Njuma: Përse autori nuk e quan më një shkencë psikanalizën dhe përse është lënë pak mënjanë teoritë, metodat, mënyrat e reja të trajtimit të shumë sëmundjeve mendore sot?


Sofiana Filipi: Psikanaliza e mirëfilltë nuk studiohet më. Por pjesë të psikanalizës ose të metodikës prapë janë kthyer në pjesën e shëndetit mendor ose psikologjisë dhe autori shpreson shumë që ta sjelli atë hulumtim, atë metodikë, atë kërkim dhe zhvillimin e teorive psikanalitike Frojdit dhe Jungut. 


Beti Njuma: Dhe unë dua ta mbyll me atë që shkruan John Kerr diku në fund të librit.

“Historia që vijon, ‒ thotë ai, ‒ nuk është e bukur. Nuk është histori dashurie, as nuk është një nga ato histori ndërtuese se si disa burra dhe gra të patrembura bënë një zbulim shkencor. Nëse do të mund ta karakterizoja me një frazë të vetme do të thosha se është një histori jashtëzakonisht e tmerrshme me fantazma, ku fantazma që në fund i gllabëron të gjithë njerëzit nuk është qenie, por teori dhe një mënyrë për të dëgjuar. Kur njerëzit për herë të parë zbulojnë fuqinë për ta kuptuar njëri-tjetrin në një mënyrë krejtësisht të re, rezultatet janë potencialisht tragjike. Por nuk duhet të na befasojnë”. 


Pra, një ftesë për të lexuar këtë libër të mrekullueshëm me titull “Metoda më e rrezikshme” nga John Kerr dhe sjellë në shqip nga Sofiana Filipi. Faleminderit që ishe në “një grusht librash” për të folur për këtë libër kaq të bukur dhe që të hap kaq shtigje në fushën e mendimit, por edhe të psikanalizës. 


Sofiana Filipi: Shumë faleminderit, unë do e mbyllja duke e thënë se me të vërtetë lexuesi del i transformuar. Ka një pikëvështrim tjetër të jetës nga e shkuara, që nuk është shumë e largët, në të sotmen dhe në çfarë do të vijë në të ardhmen! 


Beti Njuma: Faleminderit! 

 


©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

335 Lexime
2 javë më parë