Prishtinë

“Java e Albanologjisë” mbledh mbi 100 studiues

Me shpalosjen e hulumtimeve gjuhësore mbi temën “Gjuha shqipe në fushën e përkthimit dhe probleme të standardizimit përkthimor” është hapur edicioni i sivjetëm i “Javës së Albanologjisë” që organizohet nga Instituti Albanologjik i Prishtinës

Në dy sesione punuese studiues nga Kosova e vende të rajonit kanë referuar sa u përket problemeve dhe sfidave të përkthimeve dhe përthyesve në gjuhën shqipe. Ndër studiuesit që kanë paraqitur kumtesat e tyre në këtë temë, të hënën, ishin Valter Memishaj, i cili ka folur për përkthimet në shqip  të veprave shkencore në gjuhësi: rasti i Janet Byron, përderisa për Ukë Buçpapajn “shqipja përballon dhe tejkalon çdo gjuhë në përkthim”. Edmond Tupja është prezantuar me kumtesën “Disa përsiatje për shqipen dhe përkthimin sot”.

Për katër ditë në Institutin Albanologjik të Prishtinës prezantohen mbi 120 kumtesa studimore në kuadër të edicionit të shtatë të “Javës së Albanologjisë”. Studiues nga i gjithë rajoni do të shpalosin studimet e tyre në pesë disiplina shkencore. Këtë vit në letërsi diskutohet mbi temën “Letërsia dokumentare“. Në sesionet punuese të historisë studiuesit do të paraqesin hulumtimet e tyre mbi temën “Perandoria Habsburge dhe raportet e saj me Ballkanin”, në sesionet punuese të etnologjisë, të pranishmit diskutojnë në temën “Trashëgimia shpirtërore - studimi, ruajtja,promovimi”. Sipas organizatorëve “Kënga popullore si refleksion për jetën: teksti, tekstura dhe konteksti”, do të jetë tema e sesionit të folklorit.

Gjatë kësaj konference literatura studimore është pasuruar me rreth 800 kumtesa apo 7 mijë faqe të autorëve të ndryshëm. Deri më tani kanë dalë dhjetë vëllime të kësaj konference, ndërsa dy të tjera janë në procesin e përgatitjes për botim.

Sipas ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, kjo ngjarje është një mundësi e shkëlqyeshme për prezantimin e rezultateve dhe të arritjeve shkencore të shkencëtarëve të rinj dhe albanologëve të cilët çdo vit promovojnë punën e vet shkencore.

“Albanologët këmbejnë përvoja dhe ngrenë standardet e studimeve për albanologjinë. Kjo konferencë gjithashtu është një mundësi që të krijojmë standarde kombëtare dhe të punojmë për internacionalizimin e studimeve për albanologjinë. Ministria e Arsimit do të vazhdojë të mbështesë Institutin Albanologjik, i cili është shumë aktiv jo vetëm përmes botimeve individuale, por edhe përmes konferencave dhe do të inkurajojmë studiuesit e rinj që të zhvillojnë aktivitete në fusha kërkimore-shkencore, të cilat janë me interes të veçantë”, ka thënë ministri Bajrami.  

1,912 Lexime
7 vjet më parë