
Junila Lala, ndër mësueset e gjuhës shqipe në Greqi që u shpërblye nga shteti shqiptar pas disa vitesh vullnetarizëm
Junila Lala, pas disa vitesh mësimdhënie vullnetare në Greqi, është një nga 50 mësuesit e parë të gjuhës shqipe në Diasporë që u shpërblye financiarisht nga shteti shqiptar. Ajo është prononcuar për Portalin Shkollor, duke e cilësuar këtë hap mbështetje të vyer për misionin e tyre.
Nga Nanila Allkja Biçaku
Pas shumë vitesh përkushtim si mësuese vullnetare e gjuhës shqipe në Greqi, Junila Lala është më në fund një nga 50 mësuesit e parë që janë shpërblyer financiarisht për punën e tyre në ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës amtare në diasporë. Ky është një hap i rëndësishëm që shënon një kthesë historike për arsimin shqip jashtë kufijve, dhe një moment simbolik që sjell në qendër të vëmendjes kontributin e jashtëzakonshëm të këtyre mësuesve, të quajtur me të drejtë “pishtarë të gjuhës shqipe”.
Junila Lala ka qenë një nga figurat që nuk është lodhur kurrë së besuari në misionin e saj. Lajmi i pagesës, që u konkretizua pas nënshkrimit të kontratave gjatë Panairit të Punës në Athinë, e gëzoi, por edhe e la paksa mosbesuese, një ndjesi që ndan me shumë kolegë të saj, të cilët për vite me radhë kishin parë kërkesat e tyre të injoroheshin.
“Një lajm i tillë ishte sa i gëzueshëm por edhe mosbesues... sepse shumë herë kërkesat tona kishin rënë në vesh të shurdhët,” thotë ajo me sinqeritet, duke reflektuar për periudhën e gjatë të vullnetarizmit të heshtur.
Sfida? Ka pasur pafund.
“Si të gjithë mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë edhe unë jam përballur me sfida të mëdha dhe të shumta, qofshin ato praktike, didaktike por edhe njerëzore. Sfida më e madhe ka qenë se sa do të motivoheshin fëmijët (nxënësit) ta përdornin gjuhën shqipe në jetën e përditshme, duke ditur se ata rriten në një mjedis ku gjuha dominuese është e vendit në të cilin ata jetojnë dhe si rrjedhojë shqipja shumë herë detyrimisht kalon në një plan të dytë. Vështirësitë lidhen me të gjeturit e materialeve didaktike, të mbledhurit, përshtatja në bazë të nivelit të nxënësve që ke, përcjellja e këtyre materialeve për ta bërë sa më tërheqës dhe efikas mësimin, dhe të qenurit sa më kreative duke përshtatur metodologjinë me nevojat e nxënësve. Dhe pikërisht të gjitha këto nisin nga zero sa herë që nis me nxënës të rinj. Gjithsesi një trinom i fuqishëm nxënës-prindër-mësues bën që synimi që kam të realizohet më së miri. Nxënësit e mi nuk mësojnë thjesht ABC- në shqipe por pikësynimi i tyre është të dëshmojnë e ta mbrojnë atë që mësojmë së bashku ashtu siç ata duan të mbrojnë gjuhët e tjera të huaja që ata zotërojnë. Përveçse dashuria për profesionin, dashuria e madhe për fëmijët, pikësynimi i tyre është edhe motivimi im më i fuqishëm që të vazhdoj me hapa të sigurt për atë që bëj”, thote Junila, me një ndjenjë krenarie që i del në çdo fjalë.
Por ky vlerësim nuk është vetëm individual. Ai është një sinjal për gjithë komunitetin shqiptar në Greqi: që më në fund po dëgjohen. “Ky hap do të thotë që zëri ynë po dëgjohet,” shprehet Lala. Megjithatë, ajo nuk e lë pa përmendur faktin se shumë mësues të tjerë me përvojë nuk janë përfshirë ende në këtë projekt, dhe se angazhimi duhet të jetë i vazhdueshëm, gjithëpërfshirës dhe jo simbolik.
“Ky hap i shtetit shqiptar në Greqi ka një domethënie të madhe për ne sepse do të thotë që mësuesit kanë tashmë një mbështetje dhe zëri ynë po dëgjohet. Por si diçka e re që sapo ka nisur, ka dhe të metat e veta sepse shumë nga mësuesit e vjetër vullnetarë kanë mbetur jashtë këtij projekti të ri. Shpresoj që kjo nismë të mos mbetet vetë tek ne 50 të parët por të vazhdojë çdo vit e më tej. Gjithsesi ndihem me fat dhe e vlerësuar, dhe përçoj falënderimet e mia që isha ndër mësuesit e parë që na vlerësoi shteti shqiptar. Me këtë nismë dhe punën e palodhur të kolegëve të mi plotësohet më së miri thënia e të madhit Eqrem Çabej që ‘Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe kulturës së tij’, ndwrkohw ‘Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë’ thotw Konfuci”- kështu e mbyll ajo prononcimin për Portalin Shkollor Albas.
E pra, rruga që ka ndjekur Junila Lala është shembulli i një mësueseje që ka ndërtuar ura mes brezave, ka mbajtur të gjallë frymën shqiptare në një vend tjetër, dhe ka dëshmuar që mësuesit janë, në të vërtetë, shtylla të forta të identitetit kombëtar. Dhe ndonëse pagesa e parë erdhi pas shumë vitesh, ajo është shumë më tepër se një shpërblim financiar, është një formë e vonuar por e rëndësishme e njohjes së një përkushtimi që nuk ka njohur as pagesë, as kufij.
Programi “Mësues për Greqinë”
Programi “Mësues për Greqinë”, i prezantuar nga Kryeministri Edi Rama në nëntor 2024 gjatë një takimi me komunitetin shqiptar në Selanik, parashikon pagesa simbolike për mësuesit që angazhohen me një normë prej 72 orësh mësimore në vit për klasë. Kontratat e shërbimit u firmosën pak javë më parë gjatë Panairit të Punës në Athinë, në prani të përfaqësuesve të lartë të institucioneve shqiptare dhe greke, përfshirë Ambasadoren e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, dhe Drejtoreshën e Qendrës së Botimeve për Diasporën, znj. Mimoza Hysa, një nga zërat më aktivë në mbështetjen e këtij projekti.
Programi pritet të zgjerohet në muajt në vijim edhe në vende të tjera ku komuniteti shqiptar është i pranishëm, si Italia, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra dhe SHBA. Qëllimi është që ruajtja e gjuhës amtare të kthehet në një prioritet kombëtar dhe të mbështetet në mënyrë të qëndrueshme nga institucionet e shtetit.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur
Përmbledhje e “Ferri”-t të Dante Aligerit nga Drita Topjana
15 Maji – Dita Botërore e Familjes