Sport

Kombëtarja e volejbollit ka një yll të ri, Cindy Marina

"Të gjitha vajzat më pritën shumë mirë dhe më bënë të ndihesha në shtëpi. Të gjitha janë të forta, profesioniste, stërviten shumë dhe janë të përgjegjshme. Ishte një eksperiencë më vete të njihesha me to sepse më ngriti si lojtare..."

Është vetëm 17 vjeçe dhe quhet Cindy Marina. Tani është volejbolliste e Duke University. Një nga lojtaret më të mira të skuadrës. Ka një eksperiencë ndërkombëtare me Shqipërinë e saj në ndeshjet ndërkombëtare në dy turne të e Ligës Europiane verën e shkuar. Shqipëria luajti në dy data si në Twardogora, Poloni dhe në Durrës ndeshjet e Ligës së Europës. Ky turne tregoi sesa e rëndësishme është për Shqipërinë një lojtare nga jashtë vendit, por edhe faktin që Shqipëria priti një turne ndërkombëtar pas pesë vitesh. 

Po cila është Cindy? Familjarët e saj Ardian e Kristina janë të dy shqiptarë. Mamaja e Marinës ka qenë lojtare profesioniste e volejbollit si në Shqipërinë dhe Itali. Mbështetja së bashku me kurajën e prindërve, miqve dhe trajnerëve, bëri që Marina të luante në nivele profesionist dhe ndërkombëtar.

“Dy trajnerë të kombëtares shqiptare panë ndeshjet e mia në video teksa luaja. Më kontaktuan dhe më thanë nëse kisha dëshirë të isha pjesë e kombëtares shqiptare. Në fillim isha kundër sepse nuk do të merrja diplomën e kolegjit në fund të vitit. Por prindërit e mi më dhanë kurajë dhe më mbështetën që të shkoja sepse e dinin çfarë eksperiencë do të arrija në Shqipëri. Klubi im dhe trajneria Dana Burkholder ishte pro. Në fund miku ynë i familjes Donald Suxho, influencoi shumë për vendimin final. Donaldi ka luajtur në Shqipëri volejboll dhe ishte pjesë e kombëtares olimpike të SHBA-së dhe e dinte shumë mirë se çfarë më priste. Më tha që më pret një karrierë e madhe”, tregon për gazetën “Shekulli” Marina.

Lojtarja me numër nëntë në fillim ishte nervoze për atë që e priste në fushë me skuadrën shqiptare dhe lojtaret. Por mbështetja e skuadrës, drejtuesve dhe tifozëve bëri që ajo t'i kalonte vështirësitë.

“Të gjitha vajzat më pritën shumë mirë dhe më bënë të ndihesha në shtëpi. Të gjitha janë të forta, profesioniste, stërviten shumë dhe janë të përgjegjshme. Ishte një eksperiencë më vete të njihesha me to sepse më ngriti si lojtare. Pastaj tifozëria është një faktor shumë i rëndësishëm në garat ndërkombëtare. Të bëjnë të çmendesh dhe të tundësh rrjetën gjatë gjithë ndeshjes", vazhdon Cindy. 

Kujtojmë që me lojën e saj dhe vajzave të tjera Shqipëria mundi Poloninë në Shqipërinë. "Kujtimi im i preferuar dhe që do të mbetet gjatë në kujtesë është fitorja me Poloninë. Ndeshje e jashtëzakonshme. Kemi luajtur shumë bukur dhe në fund kemi festuar e kënduar për atë fitore", thotë vajza amerikano-shqiptare. 

Më përpara sportistja ka luajtur me “Great Oak High School”. Ka rrëmbyer disa çmime si në këtë skuadër dhe në ekipin “Forza 1”. Tani shqiptarja është pjesë e “Duke”. 

2,462 Lexime
7 vjet më parë