ORGAN KËSHILLIMOR

Konstituohet Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor

Është konstituuar Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor. Këtë njoftim e ka bërë ministrja e MASR, Evis Kushi. KALKSH kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe ka në përbërje 12 anëtarë, të cilët janë personalitete të njohura të fushave akademike.

Në një postim në rrjetin e saj social “Facebook”, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi bën të ditur se është konsituuar Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH).


KALKSH kryesohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe ka në përbërje 12 anëtarë, të cilët janë personalitete të njohura të fushave akademike. 


Ky organ këshillimor shqyrton dhe këshillon ministrin lidhur me hartimin e strategjive e të programeve kombëtare për arsimin e lartë e kërkimin shkencor, drejtimet e politikave respektive dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore; fushat parësore dhe programet e kërkimit shkencor e të zhvillimit teknologjik; zhvillimin e politikave të veçanta dhe mënyrat e financimit të tyre etj.  

“Së bashku me personalitete të njohura të botës akademike që kontribuojnë në Shqipëri por edhe në institucione prestigjioze europiane, konstituuam Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor” – shkruan ministrja Kushi, teksa nënvizon edhe rëndësinë e këtij këshilli“Jam e lumtur për konkretizimin e këtij hapi, pasi KALKSH do të jetë pa diskutim një organ këshillimor shumë i rëndësishëm pranë Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në lidhje me politikat e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”. 


Ndër të tjera, ajo shpreh bindjen se me ekspertizën dhe eksperiencën e tyre të vyer, do të çohen akoma më përpara një sërë reformash dhe procesesh me rëndësi, si dhe do të ndihmohet në avancimin e mëtejshëm të “Paktit Për Universitetin”.




Përgatiti për publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

919 Lexime
1 vit më parë