“Kujtesa, ëndrra dhe përjetësia” nga Kristina Demiri Dojçe

“Kujtesa, ëndrra dhe përjetësia” është shkrimi letrar i Kristina Demiri Dojçe, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

"Asgjë në këtë botë nuk është e jona, përveç ëndrrave"- SENEKA


Në fletoren e vjetër shkrova:

Në një cep syri,më shket loti,

Kujtimi, shpirtin ma mbushi,

Në cepin tjetër si qëmoti,

Një diell i bukur qiellin ndriti..


Pa datë...

me ngjarje, çaste, dashuri të jetuara, zhgarravina fjalësh të pathëna, mbresa, mirënjohje,që po e përdor për të hedhur mbresa të reja, të këtyre ditëve të mbushura me rikthimin e kujtesës në një akt poetik (Ditar mësuesie)...


Rri e meditoj:

Ç’është jeta e njeriut në përgjithësi, e të qenit mësuese në veçanti?!...

Të japësh e të marrësh dije,të jetosh e të punosh mes realitetit dhe ëndrrës.

Ç’është kujtimi?...

Kthimi i të kaluarës dhe ikja e pakthimtë në të panjohurën e përjetësisë…

Çfarë vështron përtej natës së qerpikëve të shuar, në pafundësinë e ëndërrimit pa kahje e pa limit, që shkon drejt amshimit?...

Asgjë në këtë botë nuk është e jona, përveç ëndrrave.

Ëndrrat janë tonat, pjesë e vetëdijes dhe pavetëdijes sonë, në udhëtimin përtej kohës dhe hapësirës, që rrokin shqisat tona dhe idetë tona për botën.



75 vjet jetë, punova  më shumë se 50 vjet mësuese, po dua të jetoj akoma mes gëzimit, kujtimeve të bukura, vështirësive që kapërceva. Luftova e fitova, por dua të lë trashëgim këtë jetë, krijimtarinë, e vetmja pasuri për fëmijët, trashëgimtarët, nxënësit e mi.


Derdha edhe ndonjë pikë lot. Qenë lot gëzimi, malli... Sa mall!...Sa dashuri!... Sa ëndrra!...

U enda nëpër vite e mblodha nga ju fjalë, lule, kujtime.... Hapa zemrën e i futa të gjitha në zemrën time, në kujtesë... Të mbeten përjetë, të jenë të pavdekshme, se dashuria nuk vdes kurrë, ajo nuk ka moshë, largësi, kohë.

Fletët e zverdhura të fletores së vjetër hapen vetë dhe më shpien në udhën e gjatë të mësuesisë, në udhën e këtij profesioni të çmuar, të adhuruar nga unë, ëndërr e realizuar, në më shumë se gjysmë shekulli, në tokën mëmë e atje,në tokën e premtuar, për më mirë, në arratisje, mërgim... 

Hodha shumëçka në letër, shkrova gjashtë libra, dhuratë e shenjë vlerësimi për mos harresë, për të shtrenjtin atdhe, për ju o njerëz të mirë, që emri shqiptar e gjuha shqipe të dëgjohet, të flitet e të çmohet në gjithë globin tokësor.

Të gjithë bashkë mundemi të djeshmen ta kujtojmë, të sotmen ta jetojmë, të ardhmen ta  ëndërrojmë...

Qoftë e ardhmja më e mirë,më e bukur, më e shëndetshme më e begatë, e për këtë duhet 

Të mbjellim farëzën e DITURISË, të lulëzojnë SHKOLLAT e të hedhim vallen e vëllazërisë, të bashkimit, kudo ku jetojmë.  



Ishte 1 shtator 1970. 

Dita e parë e shkollës. Sojnik, Gramsh.

Fshat i largët malor, që m'u desh të udhëtoja dy ditë me mjetet e udhëtimit të kohës e gjashtë orë në këmbë për të realizuar ëndrrën.

Mësuese për herë të parë.

Një ndërtesë e vogël me oborr mbi një kodër, karshi malit Tomor.

Shkolla Sojnik. 

Brenda saj një klasë me 30 nxënës.... Nxënësit e mi të parë. 

Zemra më gufonte, e mbërthyer në emocione dhe fjalët s’po i gjeja dot.

-Mirëmëngjesi - i thënë si në kor. Zëra fëmijërorë më sollën buzëqeshjen e fjala doli e ëmbël, e qetë.

Të njihemi...

Më quajnë Kristina. 

Do jem mësuesja juaj kujdestare. Jam mësuese e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. 

Jam nga qyteti i Korçës.

Bashkë do mësojmë gjuhën e bukur të nënës, të atdheut.

Do lexojmë e recitojmë, do njohim një botë të magjishme, të fantazisë dhe realitetin nëpërmjet shkrimit.

Do këndojmë së bashku,pasi do bëjmë dhe lëndën e bukur të muzikës...

Nxënësit nisën të prezantoheshin...

Sa emra të bukur!

I përkëdhela dhe i ledhatova më plot ëmbëlsi. 

Ndërkaq, një zë fëmijëror nga prapa: 

-E dashur mësuese! Prano këto lule nga ne, nxënësit e tu.

Mësuese.... Këto janë për ty.

I kemi mbledhur lëndinave, kur kullosim delet.

Një tufë e vogël.... E vogël.... Ngjyrë floriri....

Një buqetë trëndelinë....Të mbledhura maleve,lëndinave. Të thara me kujdes për mësuesen.

Aty pashë dritën e diellit, të ardhmen për këta fëmijë.



Vetes i bëra një premtim:

Kudo jetojnë njerëz, ty të takon të jetosh mes tyre, të jesh si ata dhe të ecësh së bashku për një jetë më të mirë, më të begatë.

Kisha lexuar e recituar, komentuar Migjenin, tani më takonte të isha dhe unë një Migjen.

Kishte bërë ndryshime fshati, kishte dritë elektrike, shkollë, një qendër shëndetësore, një vatër kulture,po koha dhe jeta kërkonte shumë.

Faleminderit...Faleminderit... o nxënës të mrekullueshëm.

Faleminderit juve, prindër të Sojnikut, që më dhatë Universitetin e Jetës. Ju jam mirënjohëse përjetë unë, që edhe sot mbaj emrin mësuesja e SOJNIKUT e do më njohë e gjithë Shqipëria, se emri im u shkrua në gazetat e kohës e sot në çdo 7 Mars, pas 53 vjetëve, ma kujton me dashuri Dylber Baci, Aferdita Haxhia, Tabaku, Enver Qosja, Luiza, Besim Qose...


I takoj atij brezi, që i duhej të punonte që në moshë të vogël për të jetuar. Jetoja në qytet, (për fëmijërinë flas,) ishim 7 vetë...Babai bleu një lopë. Të mëdhenjtë më shumë se unë e kullosnin e kujdeseshin për të... Unë isha ndihmëse...

Të gjitha rrugët që të çojnë në qytetin tim, në Korçë i kam bërë në këmbë, me një çantë prej lecke, nga fundi i ndonjë fustani të grisur, po brenda kishte gjithmonë libra. 

Si unë, ishin këta nxënës, në atë kohë, e doja që fotot e tyre të mbeteshin në tabelën e nderit të jetës, si fotoja ime, në atë të shkollës, ku mësova të shkëlqeja.

Kjo, më dha mundësinë të shijoj bukurinë e natyrës, mrekullitë, të mbledh lulëkuqe e kur të komentoj Asdrenin, të flas me pasion për atë ngjyrë të kuqe të flakët zjarr.

Të shkruaj vargje për lule shqerrën, e kur të dashuroj t’i këndoj Margaritës. Më do apo s’më do.

Piva ujë në burime e u shtriva në lëndina...Përgatita ndonjë buqetë me lule fushe.... për dëshirë si  një fëmijë, po lule kurrë nuk dhurova e nuk mora.

Kështu u dashurova me lulet, kur mora buqetën e parë me trëndelinë nga nxënësit e mi të parë.

Të tjera gjëra më pëlqenin... të lexoja....të kërceja..të mos lija film pa parë, pa le teatro!...

Libri, miku im më i mirë.



E vitet i lanë vend njeri - tjetrit.

Kalova në rrethe e qytete të ndryshme, po emri im mbeti Mësuese.

Dhashë me qindra orë mësimi, po më shumë dëgjova e kontrollova, se këtë detyrë më ngarkuan, të drejtoj. Jam shumë krenare, jam shumë e gëzuar, e lumturuar që edhe në mërgim, në Selanik të Greqisë të mbetem një mësuese, emër i nderuar e të kem lidhje me nxënësit e mi kudo ku ndodhen. 


Mund të jem pak e veçantë, kështu u ndjeva, kur mora ftesë nga nxënësit e mi, që jetojnë në Amerikë, për të festuar Ditën e Pavarësisë së bashku.


Udhëtim i parë me aeroplan. Emocione... ankth... udhëtim i gjatë...

Ditë e kujtime që nuk do të harrohen kurrë. Net pa gjumë, shumë dashuri, shumë mirënjohje.

Fëmijët, në këtë rast nxënësit e mi, sot baballarë e nëna, janë më të pafajshmit e gjithçka e ruajnë të pastër në kujtesë me vërtetësi atë që ka ndodhur.

Mësova se secili ruante diçka të veçante për mua.

Nuk do t’i harroj kurrë e nuk besoja se ajo isha unë.


D. Ago kujtoi orët e matematikës, olimpiadat, M. Bajraktari 5 Majin, kur nuk e ndava nga të tjerët për të nderuar dëshmorët, megjithëse familja e saj ishte e përndjekur politikisht, A. Shehu momentin kur i kisha përkëdhelur kokën dhe e mbaja në kraharor pas një ngjarjeje, D. Dervishi ekskursionet, Merita, Namiku, Etleva, Afërdita, Luziana, Andri të gjithë që më pritën me aq dashuri e më përcollën me shprehjen"

“Të presim sa më shpesh, jo më pas 30 vjetësh”. 


E pabesueshme, po e vërtetë, mësuesi nuk harrohet.

Në sajë të teknologjisë, vazhdojmë takimet mes ekranit, bisedat, urimet me shumë nga nxënësit kudo ku janë.

Dashuria dhe mirënjohja, vlerësimi i tyre janë dhuratat më të çmuara, janë tituj të pavdekshëm që merr mësuesi.

Vlerësimet tuaja së bashku me të nxënësve janë  dekorata dhe vlerësimi më i çmuar që mora,pas atyre të fëmijëve e trashëgimtarëve të mi, se mbeta Mësuese e Gjuhës Mëmë, Gjuhës Shqipe në mërgim. 



Kristina Demiri Dojçe

Kristina Dojce ka lindur më 19 korrik të vitit 1948. Ka mbaruar studimet për Gjuhë shqipe dhe Letërsi në Universitetin e Tiranës. Ka një eksperiencë të gjatë si mësimdhënëse. Ka qenë mësuese në shkollën “Shefqet Guzi” në Gramsh. drejtoreshë në shkollën “Ismail Gjata” në Cangonj, Devoll, nëndrejtoreshë në shkollën “Naum Veqilharxhi”, në Korçë. Drejtoreshë e shkollës “Asdreni”. Një eksperiencë të njohur e të suksesshme ka edhe si mësuese në Diasporë. Në vitin 1991 ajo u largua nga Shqipëria në Greqi, ku jeton edhe sot. Atje ajo ka dhenë një kontribut të çmuar për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe të fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Është vlerësuar “Mësuese nderi” dhe ka marrë titullin Ambasadore e kombit. Është një ndër aktivistet më të mira të një organizate e cila zhvillon aktivitete të ndryshme me gratë shqiptare atje për traditat, gjuhën etj. Është autore e  shumë shkrimeve dhe veprave në shqip.   


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

497 Lexime
6 muaj më parë