Kur tradita bëhet stil: Nxënësit e shkollave profesionale konkurrojnë me krijime të frymëzuara nga xhubleta

Nxënësit e shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani sollën krijime të frymëzuara nga xhubleta në një event të veçantë në Tiranë. Aktiviteti përmbyllës ndërthur traditën me stilin bashkëkohor dhe u kurorëzua me ndarjen e çmimeve për punimet më të spikatura.

Në një atmosferë të mbushur me kreativitet, trashëgimi dhe elegancë artizanale, u zhvillua seminari përmbyllës i projektit “Spektri i dijebërjes së xhubletës, mjetet dhe teknikat e prodhimit, moda si stil i traditës”, organizuar në Qendrën Kulturore “Albanian Night” në Tiranë. Ky aktivitet i veçantë solli në qendër të vëmendjes një ndër veshjet më të rralla të trashëgimisë shqiptare, xhubletën, përmes syve dhe duarve të nxënësve të shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani.


Projekti u realizua nga Fondacioni “Tre Mariat” dhe Qendra Antropologjike Xhubleta, me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe aktorëve të tjerë të rëndësishëm si MEKI, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), dhe projekti S4J i zbatuar nga Swisscontact.


Nxënësit, të orientuar nga mësuesit e shkollave të tyre, punuan për një kohë të shkurtër mbi krijime që kombinonin mjeshtërinë tradicionale me stilin bashkëkohor. Ata stiluan dhe realizuan modele të frymëzuara nga xhubleta dhe motivet e saj, duke i sjellë në një spektakël mode në Tiranë ku kreativiteti dhe respekti për trashëgiminë u ndërthurën në mënyrë të shkëlqyer.


Ky aktivitet, që në thelb ishte një konkurs, rezultoi më shumë si një platformë frymëzimi, pasi punimet u vlerësuan si të gjitha të denja për vëmendje, përtej çdo gare.


Fituesit e konkursit:

  1. Çmimi i parë: Shkolla e Mesme Profesionale “Hamdi Bushati”, Shkodër
  2. Çmimi i dytë: Shkolla e Mesme Teknike Ekonomike, Tiranë
  3. Çmimi i tretë: Shkolla e Mesme Profesionale Elbasan


Pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte dhe prezantimi i znj. Suela Qatipi nga Drejtoria e Pronësisë Industriale, e cila informoi nxënësit mbi rëndësinë e mbrojtjes së krijimeve të tyre përmes regjistrimit në tregun e lirë, duke theksuar vlerën që ka pronësia intelektuale në rrugëtimin e tyre profesional.

Ky seminar nuk ishte thjesht një përmbyllje projekti, por një dëshmi e fuqisë që kanë shkollat profesionale për të ruajtur dhe rizbuluar traditën, duke e përshtatur në mënyrë të zgjuar për brezat e rinj. Portali Shkollor mirëpret dhe vlerëson këtë lloj përfshirjeje që e bën arsimin profesional një mjedis të gjallë dhe të ndërlidhur me kulturën.




©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

190 Lexime
5 ditë më parë