FIGURË E ARSIMIT BOTËROR

Kush është Maria Montessori?

Metoda e saj e mësimdhënies është përhapur në të gjithë botën,me më shumë se 22 000 shkolla të certifikuara për të gjitha nivelet. Numri i përgjithshëm është 66 500, nëse përfshijmë shkollat me orientim montesorian. Po kush është Maria Montessori?

Meqë u pengua nga regjimi fashist, Montessor-i u largua nga Italia në vitin 1934 dhe shkoi në Indi, ku e adhuronin duke e quajtur Mësuesja e Madhërishme. Bëri udhëtime të shumta dhe vdiq në një fshat të vogël pranë Detit të Veriut. Në epitafin e varrit të saj shkruhet: “U lutem fëmijëve të dashur, të cilët mund të bëjnë gjithçka, të bashkohen me mua për të ndërtuar paqen mes njerëzve dhe në të gjithë botën”. Reforma pedagogjike e Mësueses së Madhërishme ndryshoi rregullat e mësimdhënies. Metoda e saj, e famshme në mbarë botën, bazohej në një koncept të thjeshtë por revolucionar: “Loja, metoda më e mirë për të punuar me fëmijën”.  


Çfarë kanë të përbashkët themeluesit e Google-it, Sergey Brin dhe Lary Page, Bill Gates-i, Garcia Marquez-i, guruja i kompanisë Amazon Jeff Bezos-i dhe babai i Ëikipedia-s, Jimmy Ëalls? Të gjithë kanë studiuar në shkollat që ndjekin metodat e Montessori-t, të cilat u krijuan një shekull më parë nga një grua që sfidoi normat e kohës së saj dhe që krijoi një metodë studimi që ka përgatitur gjeni, pionierë dhe fitues të çmimit “Nobel”. Maria Montessori bëri revolucion në pedagogji, duke i vendosur fëmijët, krijimtarinë mendore dhe individualitetin e tyre në qendër të gjithçkaje. “Është folur shumë për të drejtat e njeriut, sidomos për të drejtat e punëtorëve, por ka ardhur çasti të flitet për të drejtat shoqërore të fëmijëve”, deklaroi ajo në Romë, në vitin 1907, gjatë inaugurimit të së parës prej shkollave të saj, të cilat u çelën më pas gjithkund në Itali dhe në botë. Ato u quajtën Case del bambino, ose Shtëpitë e fëmijës, dhe ishin të ndriçuara e mikpritëse, të përshtatura enkas për fëmijë të vegjël, në mënyrë që ata të ndiheshin të lirë për të shprehur maksimumin e energjisë së tyre pozitive. Akoma më e jashtëzakonshme ishte gama e materialit didaktik që Montessori krijoi menjëherë pasi u diplomua për mjekësi (qe një nga tri gratë e para që ia doli mbanë), ndërkohë që ideonte metoda të reja mësimdhënieje për fëmijë me aftësi mendore ndryshe. Kësisoj, ajo paraqiti shkronjat me letër smeril, të cilat fëmijët do t’i mësonin që t’i njihnin jo duke i parë, por duke i prekur, pasi “duart janë instrumentet karakteristike të inteligjencës së njeriut”; po kështu edhe pajisjet, që e bënë procesin e mësimit në shkollat e Montessorit më të ngjashëm me lojën se sa me leksionin, nën drejtimin e mësuesve të aftë për të ofruar aktivitete të lidhura me mjete dhe përvoja “të cilat fëmija i njeh tashmë”. Kjo metodë, në dukje argëtuese, në të vërtetë bazohet në një filozofi shumë serioze dhe largpamëse, gjatë së cilës çdo aktivitet të çon drejt një rritjeje harmonike të mendjes dhe të trupit, një metodë e cila do të vërtetohej nga shkenca e neurologjisë vetëm disa dekada më vonë.

 Maria Montessori në Londër, në vitin 1951. Metoda e saj e mësimdhënies është përhapur në të gjithë botën,me më shumë se 22 000 shkolla të certifikuara për të gjitha nivelet: 5 000 në Shtetet e Bashkuara, 1 200 në Gjermani, 370 në Irlandë, 220 në Holandë, 200 në Indi dhe 150 në Japoni. Numri i përgjithshëm është 66 500, nëse përfshijmë shkollat me orientim montesorian.

Jeta personale e Montessori-t nuk përputhet me filozofinë e saj pedagogjike të qartë dhe të qetë. Kjo grua jashtëzakonisht e suksesshme, plot kurajë dhe inteligjente ra në gjendje depresive kur gjatë historisë së dashurisë me një psikolog italian zbuloi se ishte shtatzënë, ndërsa ai refuzoi të martohej me të. Në Italinë e asokohe, konsiderohej një skandal kaq i madh, saqë dhe një antikonformiste e njohur si Maria nuk mundi dot ta përballonte. Ajo u detyrua të merrte një vendim të tmerrshëm: e la të birin e saj, Marion, nën kujdesin e një gruaje tjetër; ata u bashkuan, më në fund, vetëm pas pesëmbëdhjetë vjetësh. Me gjithë këtë krizë të tmerrshme, dashuria për të birin e humbur e bëri edhe më të vendosur për të vazhduar studimet dhe për të marrë edhe një herë në vlerësim mendimet e saj mbi pedagogjinë. Në këtë mënyrë, ajo ndoqi ëndrrën për një shoqëri të përbërë nga njerëz që do të ishin të çliruar dhe të pavarur nga fëmijëria e tyre dhe, kësisoj, të aftë për t’u bërë mendimtarë kritikë dhe persona për t’u dalë për zot ekzistencës së tyre. Montesori ua besoi këtë ëndërr prindërve dhe mësuesve, duke u ngarkuar vetëm një detyrë, e cila është thelbësore për zhvillimin e fëmijëve: “Ndihmojini t’i bëjnë vetë gjërat”. 

Loja, si një metodë mësimore, është baza e filozofisë pedagogjike e Maria Montessori-t, e cila shihet këtu në vitin 1946, tek vëzhgon dy nxënës të vegjël në një prej shkollave të saj të para të çelura në Londër. Ajo u përsëriste shpesh mësuesve: “Shenja më e madhe e suksesit për një mësues është që të mund të thotë: ‘Fëmijët po punojnë sikur unë të mos ekzistoja”.

Shënim: Marrë nga libri “50 gratë më me ndikim të epokës sonë”. 

Mund ta gjeni këtu 



Publikim N.Allkja Biçaku 

©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

694 Lexime
1 muaj më parë