AKTIVITETI

“Leximi eliminon frikën dhe ankthin”, aktivitet sensibilizues nga ALBAS

Nën moton “Leximi eliminon frikën dhe ankthin”, shtëpia botuese ALBAS ka ndërmarrë një aktivitet sensibilizues për të qenë sa më pranë të vegjëlve me botimet e saj më të mira rreth kësaj tematike. Aktiviteti u zhvillua në bibliotekën “Hamit Beqaj”.

Sot në mjediset e bibliotekës publike “Hamit Beqaj”, nën moton “Leximi eliminon frikën dhe ankthin”, shtëpia botuese ALBAS ishte pranë fëmijëve me botimet e saj më të mira rreth kësaj tematike. 

Redaktorja e kësaj shtëpie botuese, njëkohësisht edhe specialiste didaktike për fëmijë, Sevi Lami Agolli, e kaloi paraditen duke lexuar dhe biseduar me fëmijët rreth kësaj tematike. 


Nisur edhe nga situata e vështirë që kaloi vendi ynë, kjo ishte një mënyrë mjaft e dobishme për të ulur ankthin dhe frikën te fëmijët. 

Leximi ka aftësinë të zhvendosë mendjen e fëmijëve në botën e tij të magjishme, duke bërë ta harrojnë disi situatën e vështirë. Gjithashtu, lufton frikërat dhe ankthet, të cilat ndikojnë negativisht në shëndetin e gjithkujt. 


“Frika dhe ankthi janë pjesë e jetës sonë, prandaj nëpërmjet leximit të librave me këtë tematikë dhe bisedës me ta, u synua që fëmijët edhe të mësojnë se si ta shmangin frikën dhe ta përballojnë atë”, është shprehur zj. Lami për Portalin Shkollor. 


Ky është një nga aktivitetet e shumta që shtëpia botuese ALBAS ndërmerr për të qenë sa më pranë komunitetit aty ku është e nevojshme.

Më poshtë janë disa nga titujt e librave që u lexuan gjatë këtij aktiviteti në bibliotekën “Hamit Beqaj”, por që vlejnë edhe si sugjerim për të gjithë ju që jeni të interesuar. 


1) Kur humba dhe me gjetën 

2) Çfarë tmerri

3) O Zot çfarë nate!

4) Panik në autostradë

5) Koni dhe kështjella e vampirëve

6) Maksi dhe një udhëtim i hatashëm

7) Përralla që të futin dridhmat  

8) Drakula etj.

(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

2,106 Lexime
4 vjet më parë