ÇMIMET KOMBËTARE TË LETËRSISË

Libri "Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe” shpallet vepra më e mirë studimore letrare e vitit 2021

Libri “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe” është shpallur vepra më e mirë studimore letrare e vitit 2021. Autoret Dhurata Shehri dhe Persida Asllani ndajnë me ne ndjesitë e vlerësimit për qasjen ndryshe ndaj zhvillimit letrar që ato kanë sjellë përmes veprës së tyre.

Ceremonia e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Letërsisë është një nga ngjarjet më të bukura letrare të një viti. Prej gati dy dekadash këto çmime të krijuara nga Ministria e Kulturës nderojnë punëtorët e fjalës shqipe, dhe kthejnë vëmendjen tek libri dhe shkrimtarët si pjesa më e ndjeshme dhe më e rëndësishme e progresit të një shoqërie.    


Ndër çmimet e dhëna gjatë ceremonisë për veprat më të mira letrare gjatë vitit 2021, ishte dhe ai për veprën më të mirë studimore. 


Me këtë çmim kombëtar u vlerësua libri "Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe" me motivacionin "për një qasje ndryshe ndaj zhvillimit letrar përmes zbatimit të metodës krahasimtare në rikonceptimin e historisë së letërsisë shqiptare”.  


Autoret Dhurata Shehri dhe Persida Asllani janë shprehur për Portalin Shkollor Albas se, vlerësimi i veprës së tyre, ashtu si edhe kandidatura për këtë çmim, ka qenë surprizë.  


“Ishte kënaqësi, sidomos nisur nga kandidatët konkurrues. Edhe dalja në pesë kandidatura ishte surprizë, pasi autorët nuk aplikojnë, por juritë thjeshtë përzgjedhin nga veprat e botuara atë vit.  Bashkë me Persidën u ndjemë shumë mirë që shkruam një libër me 'katër duar' me një këndvështrim ndryshe për historinë e letërsisë shqipe. Urojmë që lexuesi të gjejë në këtë libër atë mundësi interpretuese të letërsisë shqipe në marrëdhënie me letërsinë botërore te vlefshme edhe për mësuesit, nxënësit e studentët shqiptarë. Kjo mendojmë që ka qenë edhe qasja e botueses Rita Petro e cila besoi në projektin tonë, dhe për këtë e falënderoj sërish!”, kështu është shprehur Dhurata Shehri. 

Ndërsa Persida Asllani tha se: “Jam ndjerë e vlerësuar që në momentin kur u vura në dijeni se libri ynë ishte një ndër 5 librat e  kandiduar për çmim sepse një kandidim tregon se puna juaj nuk ka kaluar pa u vënë re e pa u vlerësuar. Natyrisht, dhënia e çmimit e shndërron në një nderim të madh! Jam mirënjohëse ndaj jurisë së nderuar që e përzgjodhi punimin tonë, i cili vinte si një bashkëpunim mes meje dhe Dhuratës duke synuar të tërhiqte vëmendjen për potencialet e reja që hap leximi dhe shqyrtimi i krahasuar në historinë e letërsisë shqipe. Por këtë çmim, krahas vlerësimeve të shumta profesionale, e bëjnë të bukur edhe qindra urime miqësore që na janë dërguar këto ditë nga miq, kolegë, studentë e të njohur. I falenderoj përzemërsisht, ata dhe Shtëpinë Botuese Albas. Një urim për festat e fundvitit për të gjithë!”. 



Në garë për çmimin e veprës më të mirë studimore letrare të vitit 2021 ishin edhe 4 finalistët e tjerë: Bardhosh Gaçe me  “Universi poetik i Fatos Arapit”;  Gazmend Krasniqi, Vjollca Osja me “Arti i poezisë”; Shaban Sinani me “Shekulli letrar i Ismail Kadaresë” dhe Xhevat Lloshi  me “Vështrime stilistike”.


Përzgjedhja është bërë nga juria, e udhëhequr nga akademikja Floresha Dado e anëtarët: shkrimtari Virion Graçi, akademiku Kujtim Shala, zv.dekanja e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, UT, Elsa Skënderi Rakipllari dhe dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, Esmeralda Kromidha.



Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

825 Lexime
1 vit më parë