
"Marie Kaçulini", shkolla që fiton me pasion e vizion nën udhëheqjen e Etleva Çelmetës
Shkolla 9-vjeçare “Marie Kaçulini” në Durrës është një model suksesi që udhëhiqet me pasion e vizion nga drejtoresha Etleva Çelmeta. Me përkushtim, ajo balancon autoritetin dhe afërsinë, duke e kthyer institucionin në një hapësirë që frymëzon, fiton çmime dhe rrit breza me dashuri për dijen.
Shkruar nga Alma Dema, Pedagoge në UAMD
Drejtori në zemër të shkollës
Oborri i shkollës 9-vjeçare “Marie Kaçulini”, Durrës gjallëron nga zhurma e hapave dhe zërat e nxënësve, por mes gjithë kësaj gjallërie, qëndron një figurë e qetë; drejtoresha, zonja Etleva Çelmeta, me përparësen e bardhë mbërthyer deri ne fund, ecën ngadalë mes turmës së fëmijëve, duke përshëndetur me një ngrohtësi që ndërthuret me autoritet. “Mirëmëngjesi Daniel! Ruaje energjinë për mësim,” i thotë një djali, që i merr shkallet tre e nga tre.

Etleva Çelmeta, drejtoresha e shkollës 9-vjeçare "Marie Kaçulini"
Ajo nxiton të shohë nëse nxënësit e klasave të para po futen të gjithë në rregull e që mësueset e tyre janë me ta. Shëtit me sy në çdo dyshe e treshe nxënësish, në lëvizjet e punonjëses së sigurisë, te dera e shkollës në po mbyllet në orarin e duhur, në kanë mbetur nxënës pa hyrë. Mpreh veshët për të dëgjuar në u fikën altoparlantët që vënë këngë e muzikë për fëmijë çdo mëngjes e në po bie zilja për fillimin e procesit mësimor në kohën e duhur. Drita e telefonit i fiket e i shuhet pa pushim në xhepin e djathtë të përparëses, por ajo e ka vëmendjen të përqendruar: mësimi të fillojë kur dhe si duhet!
Brenda zyrës së tij, atmosfera ndryshon. Rafte me libra mbi pedagogjinë dhe lidershipin qëndrojnë pranë kupave të fituara në garat e nxënësve, diplomave të kornizuara dhe vizatimeve shumëngjyrëshe të dhuruara nga fëmijët që kanë kaluar dikur nëpër këto klasa. Hapësira pasqyron dy anët e rolit të saj: pjesërisht si administratore, pjesërisht si mentore.
“Çdo ditë nis me pasiguri,” pranon ajo, duke hedhur sytë mbi një grumbull dokumentesh që presin firmën e saj. “Por gjithmonë përfundon me bindjen se puna jonë ka kuptim!”
Duke e ndjekur në korridore është si të ndjekësh rrahjet e zemrës së shkollës. Mësuesit e ndalojnë për miratime të shpejta; nxënësit i përshëndesin me dorë; pastruesja i kërkon zëvendësimin e një fshese të prishur. Ajo i dëgjon të gjithë me të njëjtën vëmendje. Prania e saj ngjall respekt, por gjestet zbulojnë durim, një aftësi kjo, për të balancuar autoritetin me qasjen miqësore.
Institucioni që ajo drejton ka më shumë se gjysmë shekulli histori, duke përballuar ndryshime politike, shoqërore e ekonomike. Nën drejtimin e saj, shkolla ka përqafuar mjetet digjitale, ka forcuar shkëmbimet ndërkombëtare dhe ka pasuruar jetën jashtëshkollore. Por ajo këmbëngul se arritja e vërtetë qëndron në diçka më pak të dukshme: “Të krijosh një vend ku fëmijët ndihen se u përkasin.”
Në pasdite, kur klasat heshtin dhe oborri zbrazet, ajo qëndron ende në zyrë, duke rishikuar planet mësimore, duke firmosur certifikata, duke u përgatitur për të nesërmen. Jashtë, qyteti vazhdon vrullshëm, por brenda këtyre mureve, dora e saj e sigurt garanton vazhdimësinë.
Drejtoreshën e gjen duke mbjellë e duke ujitur lulet, duke punuar herë vetëm e shumë herë me nxënësit e klasave të nënta për lulishten e shkollës, për një pjesë kabineti biologjie që mungon, për një raft më shumë për bibliotekën e shkollës ose atje mes fëmijëve më të vegjël, duke i dëgjuar dhe inkurajuar!
Për nxënësit, mësuesit dhe familjet, drejtoresha është më shumë se një administrator. Ajo është spiranca e qetë e shkollës, figura që mban të lidhur ritmin e përditshëm të të mësuarit, disiplinës dhe rritjes.
“MarieKaçulini”, shkolla që fiton me pasion, punë dhe vizion
Nën drejtimin e një drejtueseje që beson se çdo nxënës ka një dritë brenda vetes, shkolla 9-vjeçare “MarieKaçulini” është kthyer në një histori suksesi që frymëzon. E njohur për cilësinë në mësimdhënie, për krijimtarinë dhe për rezultatet në garat kombëtare e lokale, kjo shkollë drejtohet nga një figurë që e ka ndërtuar karrierën me pasion e përkushtim, një mësuese që sot është udhëheqëse me vizion.
Drejtoresha e “MarieKaçulini-t”, ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori–Filologjisë, në degën Gjeografi, duke marrë titullin “Mësuese e gjeografisë për shkollat e mesme” (2007).Pas disa vitesh përvoje në mësimdhënie, ajo ndoqi Masterin Shkencor në Edukim (UAMD, 2013–2015), duke u specializuar në formimin bashkëkohor të mësuesve.
Përkushtimi ndaj arsimit e çoi drejt një karriere të konsoliduar në drejtim. Nga zëvendësdrejtore (2016–2019), ajo u bë drejtoreshë e shkollës “MarieKaçulini” në shtator 2019 – detyrë që e ushtron me pasion dhe vizion të qartë.
“Në arsim nuk ka ditë të zakonshme. Çdo ditë është mundësi për të ndihmuar dikë të rritet, të zbulojë talentin e vet,” – shprehet ajo me modesti.
Profesionalizmi i saj është ndërtuar me hapa të qëndrueshëm. Ajo ka kryer Shkollën e Drejtorëve (2020), është Vlerësuese e Institucioneve Arsimore (2021) dhe trajnuese TOT nën programet EU 4Schools dhe SorosFoundation.
Pjesëmarrëse në dhjetëra trajtime, konferenca dhe workshope brenda dhe jashtë vendit, ajo njihet për aftësi të larta organizative dhe digjitale.
Në aspektin profesional, është vlerësuar me grada të njëpasnjëshme:
- 2013 – Mësuese e kualifikuar (Kategoria III, “Shumë mirë”)
- 2018 – Mësuese specialiste (Kategoria II, “Shkëlqyeshëm”)
- 2025 – Mësuese mjeshtër (Kategoria I, “Shkëlqyeshëm”)
Nën drejtimin e saj, “MarieKaçulini” është shndërruar në një shkollë fituese në çdo kuptim të fjalës. Nxënësit kanë sjellë në shkollë dhjetëra çmime të para, të dyta dhe të treta, në festivale, olimpiada, konkurse arti e sporti.
Kujtojmë disa prej tyre:
- Vendi i parë në Festivalin e Frankofonisë, Ansamblet Popullore dhe Java Europiane;
- Vendi i dytë në Olimpiadën e Matematikës dhe Kampionatin e Atletikës;
- Vendi i tretë në Gjimnastikë, vizatim dhe këngë.
Emrat e nxënësve që kanë spikatur – si DeaMetallari, GreisGajda, Arber Masha, NikiBërzezi, Urania Kocani – janë dëshmi e një pune të përditshme me përkushtim dhe kujdes.
“Çdo sukses i nxënësve është motiv për të gjithë stafin. Nuk ka lumturi më të madhe se të shohësh fëmijët të ndriçojnë në atë që duan,” – thotë drejtoresha.
“MarieKaçulini” nuk është vetëm shkollë që fiton, por shkollë që mëson ndryshe.
Falë një udhëheqjeje me vizion, ajo ka marrë pjesë në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, si:
- “Miku i Monumenteve” – që lidhi historinë me identitetin kulturor;
- “Sfida e shekullit 21” – fituese për tre vite rresht me programimin përmes micro:bit;
- Fushatat mjedisore për reduktimin e mbetjeve plastike dhe ndërgjegjësimin ekologjik.
Për dy vite me radhë, drejtoresha është përfshirë edhe si mentore në Shkollën e Drejtorëve, duke ndarë eksperiencën e saj me drejtues të tjerë arsimorë.
Në planet e afërta, “MarieKaçulini” synon:Digjitalizimin e bibliotekës dhe shtrirjen e rrjetit të internetit në të gjithë shkollën; Zbatimin e programit “Shahu në shkolla”, për zhvillimin e mendimit strategjik; Vijimësinë e projekteve mjedisore dhe inovative, që edukojnë breza të përgjegjshëm e krijues.
“MarieKaçulini” është më shumë se një institucion arsimor, është një komunitet që rrit breza, që nxit bashkëpunimin, krijimtarinë dhe dashurinë për dijen.
Nën drejtimin e një mësueseje mjeshtre që udhëheq me shembull personal, kjo shkollë është sot një model i suksesit dhe i punës me shpirt.
“Suksesi i një shkolle matet jo vetëm me çmime, por me buzëqeshjet e nxënësve që ndihen të përfshirë e të vlefshëm,” – përfundon drejtoresha me një buzëqeshje që tregon përkushtim, qetësi dhe dashuri për punën.
Në çdo klasë, korridor dhe aktivitet, “MarieKaçulini” dëshmon se kur arsimi udhëhiqet me pasion, ai bëhet frymëzim – për fëmijët, për prindërit dhe për komunitetin.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Thirrja për të rinjtë: Lexoni libra!
Reflektim mbi librin “Kalendari i ëndrrave të mollës” të autores Natasha Shuteriqi Poroçani
Ndërron jetë shkrimtari dhe studiuesi i shquar elbasanas Astrit Bishqemi