
Marieta Mërkuri: Një dekadë në udhën e dijes dhe dashurisë...
Një rrëfim i ndjerë nga Marieta Mërkuri për udhëtimin 10-vjeçar me shkollën “Elite” në Vlorë, ku ndan kujtime, emocione dhe mirënjohje për një institucion që është bërë pjesë e shpirtit të saj. Një histori dashurie për arsimin dhe brezat që rriten me dritë.
Nga Marieta Mërkuri
Ka rrugë që nuk i harron dot. Ka vende që nuk janë thjesht institucione, por bëhen shtëpi e zemrës. Ka ngjarje që nuk janë vetëm data në kalendar, por dritare nga ku sheh brenda vetes. E tillë është për mua historia e Shkollës “Elite” në Vlorë, një histori që u bë edhe historia ime, një udhëtim që nisi në shtatorin e vitit 2015 dhe që sot, pas një dekade, më shfaqet si një rrugë e mbushur me kujtime, me njerëz, me të qeshura fëmijësh, me zëra, me heshtje të ngrohta dhe me ndjeshmëri të thellë për gjithçka që do të thotë “arsim”.
Kam qenë aty që në ditën e parë. E mbaj mend si tani atë shtator të parë, një mëngjes me diell, me një pritje të brendshme dhe emocione që nuk thuheshin dot me fjalë. E mbaj mend zërin e heshtur të fillimit, përpjekjet e ndershme, ëndrrat e thëna me zë të ulët dhe sytë e ndritur të atyre që kishin zgjedhur të besonin në një vizion. Ishim të paktë në numër, por kishim diçka më të çmuar se çdo plan apo projekt: besimin te fëmijët dhe dashurinë për arsimin.
Shkolla “Elite” u themelua nga Kreshnik Çipi, një figurë e njohur e qytetarisë vlonjate, e sportit shqiptar dhe ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, me një vizion të qartë: të ndërtonte një institucion ku nxënësit të mos ndiheshin vetëm si numra në një listë, por si qenie të plota, që duhen, dëgjohen dhe formohen me dashuri. Ishte një shkollë që nuk u ndërtua vetëm me mure, por me përkushtim, me sakrificë, me frymë dhe me qëllim të lartë.
Që në fillim kuptova se “Elite” nuk do të ishte thjesht vendi ku do të jepja mësim, por vendi ku do të mësoja, për arsimin, për njerëzit. Pikërisht këtu u njoha me të gjitha nuancat e këtij profesioni kaq të ndjeshëm dhe të bukur. Kuptova se nuk jepet vetëm dije, por dhurohet kohë, vëmendje, dashuri dhe një pjesë e shpirtit.
Një pjesë e imja jeton në çdo klasë, në çdo bisedë me nxënësit, në çdo vështrim përtej fjalëve.
Në këto dhjetë vite, kam parë dhjetëra aktivitete që kanë mbushur me jetë ambientet e shkollës. Kam dëgjuar qindra zëra fëmijësh që këndojnë, recitojnë, debatojnë, krijojnë, qeshin dhe qajnë.
Kam qenë pjesë e dhjetëra projekteve që e kanë bërë shkollën të gëlojë, të gumëzhijë nga zëri i jetës. Sa shumë histori të bukura mbart kjo shkollë, sa shumë ngjarje që duhen kujtuar me mirënjohje dhe dashuri.
Kam pasur fatin dhe krenarinë që djemtë e mi të jenë pjesë e kësaj rruge. Tedi përfundoi gjimnazin në “Elite”, me ëndrra të mëdha në sytë e tij të kthjellët, ndërsa Marko është sot një pjesë e gjallë e 10-vjeçarit të kësaj shkolle. Ata janë vazhdimësia e një dashurie që nuk është vetëm profesionale, por edhe e thellë personale. Kjo më mbush me gëzim, krenari dhe mirënjohje.
Dhe në këtë rrugë, nuk kam qenë vetëm. Prindërit kanë qenë përkrahës, dikur të përkushtuar, të pranishëm, të ndjeshëm. Sot ndoshta më të tërhequr, më të ngarkuar, më të lodhur nga ritmi i jetës, por gjithsesi prapë pjesë e këtij procesi.
Edhe nxënësit kanë ndryshuar. Brezat nuk janë njësoj. Por në secilin sy ka ende një dritë që kërkon të ndizet, një fjalë që kërkon të thuhet, një ëndërr që pret të mbështetet.
Sot, kur shkruaj këto rreshta, më pushton një ndjesi e fortë: kjo nuk është vetëm një dekadë “Elite”, është një dekadë e jetës sime. Një pjesë që më ka formuar si mësuese, si nënë, si bashkëudhëtare në udhën e dijes.
Dhe kështu, pas dhjetë vitesh, “Elite” nuk është thjesht një emër në një letër, as një vend në hartë. Është një histori që rritet dhe ndryshon me çdo brez, me çdo zë që gjen guximin të flasë, me çdo ëndërr që lind në ato mure.
Është dritarja që më fton të shoh përtej ditës së sotme, me besimin se çdo fëmijë që kalon aty është një dritë që mund të ndriçojë botën. Një udhë e hapur drejt së ardhmes, ku dijet nuk janë thjesht fakte, por rrënjë që mbjellin shpresë dhe guxim.
Kjo është “Elite”, jo vetëm një shkollë, por një familje e madhe, një histori e përbashkët, e cila vazhdon të shkruhet çdo ditë me dashuri, përkushtim dhe shpirt. Dhe unë jam pjesë e saj, përherë e përjetshme, me zemër plot mirënjohje dhe sytë drejt horizontit që thotë: vazhdo!
Gëzuar 10-vjetorin, “Elite”!
Qofsh gjithmonë një dritare e ndriçuar për të ardhmen!

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Kur nota zëvendëson dijen: Një krizë e heshtur në arsim
Mjedisi, një thesar i çmuar që duhet ruajtur
Fauna e mrekullueshme në Liqenin e Shkodrës e fotografuar nga “Wild Europe”