Refketim

Maturant, ja çfarë të obligon maturimi - Nga Evans Drishti

Ditën e nesërme maturantët zhvillojnë provimin e parë të Maturës Shtetërore të këtij viti shkollor. Shkrimi i mëposhtëm i dedikohet pikërisht maturimit të tyre dhe obligimeve që rrjedhin prej këtij maturimi, ndërsa nëpërmjet tij përcillen edhe mesazhe të rëndësishme kuraje dhe optimizmi.

Sot është momenti yt… Sot është dita jote… Sot është koha jote…  

Sot jam me ty, ashtu sikurse isha dhe dje… ashtu siç isha edhe tërë këtë kohë… 

Sot jam me ndjenjat e tua, me përjetimet, emocionet, me ankthin dhe stresin që të mbështjell çdo qelizë tënden trupore dhe mendore… 

Sot jam me gëzimin tënd, me vrullin tënd, me gazin dhe harenë që të karakterizon si natyrë… 

Sot jam me perceptimet e tua, me gjykimet e tua, me vizionet dhe horizontet që gërshetove dhe ndërthure në mendjen tënde të dlirë… 

Sot të kuptoj mjaft mirë, kuptoj arsyetimet e tua, kuptoj këndvështrimet dhe pikëpamjet e tua me të cilat arrite të ndërtosh kalanë tënde vizionare… 

Sot e kuptoj mjaft mirë psikologjinë tënde, dëshirën dhe pasionin që hidhnin shtat me rritjen tënde… 

Sot kuptoj mjaft mirë të qeshurën tënde, seriozitetin tënd, qasjen tënde ndaj çdo fenomeni… 

Sot i perceptoj mjaft qartë shqisat e tua: pamjen, dëgjimin, nuhatjen, shijen dhe prekjen… 

Sot të kuptoj mjaft qartë atë që sheh dhe atë që dëshiron të shohësh, atë që dëgjon dhe atë që dëshiron të dëgjosh, atë që nuhat dhe atë që dëshiron të nuhasësh, atë që shijon dhe atë që dëshiron të shijosh, atë që prek dhe atë që dëshiron të prekësh… 


Të gjitha këto s’ti them se kuptova që mësove mjaft mirë Gjuhën dhe Letërsinë, Matematikën apo Anglishten, apo edhe lëndët me zgjedhje… 


Jo!... 

S’ti them këto me idenë se arrite të kalosh në të gjitha lëndët apo akoma më shumë të dalësh edhe ekselent, siç thuhet ndryshe, pra me të gjitha dhjeta… 

Jo!... 

I them këto, sepse sot tashmë pranohesh “i maturuar” si në aspektin ligjor ashtu edhe në atë njerëzor… Dhe maturimi të obligon:

  • Të kthjellohesh
  • Të gjykosh 
  • Të arsyetosh 
  • Të ideosh 
  • Të kuptosh 
  • Të argumentosh 
  • Të strukturosh 


Por mbi të gjitha: 


  • Të komunikosh që të kuptohesh dhe të kuptosh veten dhe tjetrin 
  • Të lexosh që të kuptosh se je një qenie njerëzore që di shkrim e këndim 
  • Të projektosh që çdo mendje dhe ide ta hedhësh në zbatim 
  • Të mendosh se çdo e thënë apo e bërë kërkon një barazpeshim 
  • Të veprosh që të kuptosh se je aktiv 
  • Të inspirosh veten dhe tjetrin për të sjellë një ndryshim 
  • Të guxosh për të ndryshuar atë që të sjell monotoninë… 


Sot mund të mendosh se “i shpëtove” leximit, por në fakt jo, pasi çdo hap që të hedhësh tani e tutje të detyron një lexim korrekt dhe të saktë të çdo fjale dhe rrethane, prandaj s’mund ta lësh leximin…

Sot mund të mendosh se “i shpëtove” shkollës, por në fakt jo, pasi çdo lloj angazhimi yt i nesërm kudo të jesh të detyron një zhvillim më të detajuar arsimor dhe kulturor… 

Sot mund të mendosh se “i shpëtove” mësuesve, por në fakt jo, pasi mos harro se nesër do të jesh ti mësues dhe udhëzues i njerëzve që drejton, e më pas natyrshëm edhe i familjes që do të krijosh… 

Sot detyrohesh të aspirosh të arrish më të mirën e mundshme, jo thjesht si një “notë” por si një “cilësi”, si një “urtësi”, si një “mençuri”, si një “aftësi”, si një “sovranitet”… 

Sot çdo mësues kreu një “detyrë” dhe “obligim” qoftë profesional apo edhe njerëzor duke të dhënë atë që kishte mundësi, në mënyra dhe forma të ndryshme duke lënë sado pak gjurmë në memorien tënde si për dijet që të injektoi gjatë formimit të intelektualitetit tënd ashtu edhe për çastet dhe momentet “inkurajuese” që të ofroi brenda mundësive që kishte. 


Prandaj sot edhe ti i detyrohesh së tepërmi të jesh “falënderues” dhe “mirënjohës” për gjithçka që të ofroi, pasi një angazhim i përbashkët i një kolektivi të tërë të bëri të jesh ky që je sot, një “intelektual i maturuar”, i gatshëm për të projektuar “shoqërinë e shumëdëshiruar”… 


Mos i percepto “të vështira” provimet e këtij sezoni, ato janë thjesht ndalesa të një “vetëkontrolli”,  janë indicie reflektimi që të kuptosh se vërtet “ti vlen” dhe “meriton” për lart e më lart… 


Mos harro! Ky ishte vetëm njëri stacion i trenit të jetës! Bota është e magjishme, prandaj duhet të guxosh që të kalosh në sa më shumë stacione, pasi mrekullitë dhe urtësitë s’kanë të sosura, ato presin që t’i shohësh, t’i nuhasësh, t’i dëgjosh, t’i prekësh dhe t’i shijosh!.. 


Mos harro! Do të jesh shumë herë më i vlerësuar dhe më i privilegjuar atëherë kur ta ruash raportin miqësor me mësuesin tënd, me atë që të bëri të kuptosh diçka nga vetja jote, me atë që të nxiti të plotësohesh duke të bërë të kuptosh vlerën e vërtetë që zotëron në shoqëri, me atë që të mundësoi një ngrohtësi njerëzore, shpirtërore dhe intelektuale duke e pasuruar akoma më shumë ngrohtësinë e familjes bërthamë…


Prandaj të duhet arsimimi!... Të duhet shkollimi!... Të duhet leximi!... 

Përzemërsisht; 

Dalshi faqebardhë në provime dhe kudo në jetë!... 

Mirënjohje punës së palodhur të stafeve pedagogjike!... 

 

Nga Evans Drishti 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,760 Lexime
1 vit më parë