Aktiviteti

Mbështetja për arsimin në nismat e njerëzve humanë

Aktiviteti i zhvilluar ditët e fundit pranë shkollës së mesme të bashkuar “Lozhan i Ri”, njësia administrative Gorë, bashkia Maliq, na bën të kuptojmë se edhe mbështetja e biznesmenëve dhe e njerëzve humanitarë është e rëndësishme për arsimimin e fëmijëve tanë.

Shoqëria në tërësi është e lidhur ngushtë me arsimimin. Pa arsim nuk ka shoqëri të shëndoshë. Sot mbështetja ndaj tij mbetet një sfidë e hapur dhe dëshirë në mirësinë e damarëve humanë të njerëzve që e shohin si themel bazë të zhvillimit. Sot në shoqëri ka shtresa të ndryshme në zhvillimet ekonomike, ashtu siç ka dhe biznesmenë që pasuritë e tyre i kthejnë në kontribute komunitare sado modeste qofshin ato. 


Shembull tipik dhe për t’u admiruar mbetet veprimi dashamirës i biznesmenit devolli z. Agron Zerani (bletërritës dhe humanist) dhe i skraparlliut z. Nefir Petriti, të cilët me plot dashamirësi datën e 5 tetorit që në mëngjes herët lanë kryeqytetin dhe zbritën pranë shkollës së mesme të bashkuar Lozhan i Ri, njësia administrative Gorë bashkia Maliq, për të mbjellë pemë dekorative në oborrin e kësaj shkolle, ndërsa dhuruan për nxënësit e saj komplete sportive dhe topa futbolli, volejbolli dhe basketbolli në ndihmë të lëndës së edukimit fizik. 

Ata gjithashtu shoqëroheshin nga personalitete të shquara në fushën e sportit si: moderatori i mirënjohur sportiv dhe humanist z. Dëfrim Methasani, gazetarët sportive  z. Bashkim Tufa dhe z. Altin Sulçe, mjeshtri i madh z. Muharrem Gjoka, komentatori sportiv z. Rrok Preçi, fotoreporteri z. Fehmi Lleshi, ushtaraku z. Dylber Markja dhe inxhinieri z. Arif  Dauti të cilët zonat e thella malore nuk i shohin thjesht tabu, por dëshirë për arsimim me kushte sadopak optimale. Emocioni për këta nxënës ishte i madh, pasi nuk janë mësuar me kësoj rastesh, ku aty në mes bjeshkësh dhe larg zonave urbane shohin nga afër dorën e shtrirë të këtyre njerëzve të mirë që më tepër se baza materiale i mallëngjen veprimi humanist. Personalitetet e ndryshme të sportit që me aq dashuri dhe pasion duan t’i shohin nga afër këta nxënës bënë që ekrani i tyre për ta, tani të ishte live. Ata mbështetën fuqimisht veprimin e dy biznesmenëve duke nxitur më tepër edukimin në fushën sportive. 


Emocionues ishte çasti kur nxënësit pasi veshën uniformat sportive zhvilluan një ndeshje dhe skuadra fituese mori një kupë në formë simbolike. Kupa mbante emrin e mësuesit të ndjerë të edukimit fizik z. Fatos Pulaha, i cili gjithmonë mbeti i përkushtuar pas punës duke lënë emër për vite në shkollën e Lozhanit. Kupa më pas, mes emocionesh dhe lotësh, iu dhurua  familjes së mësuesit të ndjerë. Por edhe nga ana e shkollës u dhuruan tri certifikata mirënjohje për zotërinjtë e nderuar Agron Zerani, Dëfrim Methasani dhe Nefri Petriti. Në eveniment nuk mungonte as prania e kryetarit të bashkisë Maliq z. Gëzim Topçiu, i cili vlerësoi veprimin e të pranishmëve duke premtuar për nxënësit e kësaj shkolle dhe një kënd sportiv në të ardhmen. 

Këto zhvillime gëzojnë stafin pedagogjik të shkollës, komunitetin në tërësi që shkollimin në këto zona malore e shohin të vetmen shpresë dhe dritare që ndriçon nga e ardhmja e fëmijëve të tyre, ku nuk mund ta fshehim dhimbjen se lavdia e këtyre shkollave përtej datave historike çlirimtare të atdheut po e humbasin ‘lavdinë’ e tyre me numrin e kontingjenteve që zvogëlohet çdo vit. 


E megjithatë aty mes malesh të thella ka jetë, ka komunitete ku një pjesë e tyre trajtohen me ndihma ekonomike, ka dëshirë për t’u arsimuar në profesione të ndryshme, ka ëndrra. Ka dhe njerëz humanë që ‘thyejnë’ pozitat gjeografike “zonë urbane” e “zonë rurale”. Për ta fëmijët janë një familje, pjesë e familjes së madhe të edukimit. Ndaj dashuria për arsimim është ndjenja e njerëzve që ushqejnë diturinë me kontributet e tyre. Shpresoj që veprimin e këtyre njerëzve të fisshëm, ta shohin dhe ta ndjekin dhe biznesmenë gorarë. Gora është aty me historinë e thinjave mbi supe, dhe jo e ‘shkrirë’ në qytetet kryesore të Shqipërisë. Faleminderit miq që shtroni një gur në kalanë e edukimit të brezave. Veprimet kanë shumë më tepër vlerë se ana monetare. Ju jemi mirënjohës.



Përgatiti: Besnik Bedollari, (Drejtor i shkollës së mesme të bashkuar Lozhan i Ri)


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,635 Lexime
2 vjet më parë