Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, përkujtojmë poetin dhe gazetarin e njohur Kujtim Paçakun
Kujtim Paçaku (1959-2018) gjatë kohës sa ishte gjallë njihej si përfaqësues i komunitetit rom në Kuvendin e Kosovës. Njëherazi ai përmendet edhe për punën si gazetar dhe për veprimtarinë e tij si poet. Përmes shkrimeve, Paçaku pasqyronte realitetin rom dhe dhimbjen përvëluese që ata gjithnjë ndienin.

Në vazhdim sjellim disa nga shkrimet e tij kushtuar romëve, të drejtave, padrejtësive dhe identitetit të tyre.
SI BËHET KËNGA ROME
Merre një grusht dhimbjeje
Shto ca pika loti!
E pak pluhur rrugësh të pasosura
Pak aromë stinësh të harruara
Në fund
I shton erëza djegëse dashurie
Dhe i hedh ca yje përsipër
Dhe e lë të piqet
Të piqet në zjarr të shpirtit
Deri në agim…
URIA
Vaji i fëmijëve nuk ka të ndalur
As këtë mbrëmje
Aroma e gjellës së fqinjit
As sonte nuk iu ngop barkun
Kur zemra ka acar
S’ka pranverë që mund ta shkrijë…
JAM ROM
Po, jam Rom
Unë, ky që qëndron tash para jush
Jam nga stërnipat e Gangut
E bijtë e Lumbardhit
Kurrë nuk isha mjaft i bardhë
Për të bardhët
As tamam i zi për të zinjtë
Erdha vetëm t’u fal ca vargje
E të marr ndonjë duartrokitje në këmbim
Kaq më mjafton të ndihem i lumtur
Përgatiti: Arlinda Hajdaraj, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Pse duhet të lexosh? Këto 100 thënie për leximin janë për ty...
Shënohet 22 nëntori, dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Abraham Lincoln, letër mësuesit të djalit.