Aristoteli

Mësimet dhe gabimet e Aristotelit

Mësimet e Aristotelit mbi fizikën dhe kozmosin kanë udhëhequr të gjithë botën perëndimore deri në kohën e Galileit dhe Njutonit, kur u kuptua se një pjesë e madhe e tyre nuk ishin të sakta.

Aristoteli

Rreth viteve 384 – 322 p.e.s.


Kronologji

Në vitin 367 p.e.s. Aristoteli vjen në Akademinë e Platonit në Athinë.

• Në vitin 347 p.e.s., pas vdekjes së Platonit, largohet nga Akademia dhe shkon në ishullin Lesbos.

• Në vitin 342 p.e.s. bëhet mësues i të riut Aleksandri i Maqedonisë, i cili më vonë do të bëhet Aleksandri i Madh.

• Në vitin 335 p.e.s. u kthye në Athinë dhe themeloi shkollën e vet, Liceun.

• Në vitin 323 p.e.s. u akuzua si i pafe. Për të mos lejuar që qyteti i Athinës “të gabonte dy herë ndaj filozofisë”, Aristoteli u kthye në Kalkida, ku vdiq pas një viti.


Mësimet e Aristotelit mbi fizikën dhe kozmosin kanë udhëhequr të gjithë botën perëndimore deri në kohën e Galileit dhe Njutonit, kur u kuptua se një pjesë e madhe e tyre nuk ishin të sakta. Ai u bazua te koncepti i pranuar grek, se çdo gjë përbëhej nga njëri prej katër elementeve: dheut, ujit, ajrit dhe zjarrit.


Katër elementet

Aristoteli mendonte se Toka ishte në qendër të gjithësisë, dhe se Hëna, Dielli, planetët dhe yjet, lëvizin rreth saj në rrathë të rregullt. Ai besonte se secili nga katër elementet ka prirje të kthehet në vendin e vet natyror. P.sh., guri i hedhur bie menjëherë në tokë, sapo shmang pengesën që e parandalon atë. Elementi i tokës, duke qenë se është i dendur dhe i rëndë, natyrshëm synon të bjerë poshtë, në drejtim të qendrës së planetit.


Elementi i ujit rrjedh në sipërfaqen e tokës; gazi ngjitet mbi tokën dhe ujin, kurse zjarri me flakët e tij kërcënuese, tenton të ngjitet në lartësi. Me të njëjtën mënyrë Aristoteli do të shpjegonte pse kur hedhim një gur, ai udhëton nëpër ajër para se të bjerë poshtë në tokë, siç mund të pritej. Kjo ndodh për shkak se ajri, duke kërkuar të mbyllë rrugën e bërë nga guri, e shtyn atë deri sa të humbasë shpejtësinë horizontale dhe të bjerë në tokë.


Mësimet e Aristotelit kanë pasur në periudha të ndryshme kohore autoritet thuajse perëndish.


Elementi i pestë

Mirëpo, Aristoteli hasi në një vështirësi. Koncepti i tij që gjithçka në natyrë synon të shkojë drejt vendit të vet, nuk përputhej me të mësuarit e tij se pjesa tjetër e universit lëviz me një rregull të përsosur, pa asnjë çrregullim apo fërkim në lidhje me pozicionin e tyre, (ndryshe, planetët dhe yjet do të binin në Tokë, si qendër e gjithësisë). Për ta shpjeguar këtë, Aristoteli u shtoi katër elementeve tradicionale elementin e pestë, eterin, lëvizja natyrore e të cilit ishte rrethore. Çdo gjë përtej Hënës rregullohej nga eteri, duke shpjeguar si lëvizjet e saj të përkryera dhe qëndrueshmërinë, kurse çdo gjë poshtë Hënës u nënshtrohej ligjeve të katër elementeve. Edhe pse njeriut bashkëkohor shpjegime të tilla i duken mjaft të sforcuara, ato u pranuan gjerësisht për dy mijë vjetët e ardhshëm. Kjo ka ndikuar thellësisht në zhvillimin e mendimit shkencor, se këto ide u pranuan për një kohë të gjatë pa kundërshtime, duke e ngadalësuar kështu zhvillimin e shkencës.


Në fushat e tjera të fizikës vlerësimet e Aristotelit kanë qenë më të sakta. P.sh., ka përforcuar idenë e përkrahur nga Pitagora se Toka ka formë sferike. Sa herë ndodhte eklipsi i Hënës, ai dallonte hijen në formë harku rrethor, të cilën Toka sferike e hidhte në Hënë. Përveç kësaj, kur udhëtonte në veri ose në jug, vërente se yjet “lëviznin”, gjersa ndonjëri prej tyre gradualisht “zhdukej”. Kjo dukuri e çoi në përfundimin për formën sferike të Tokës.


Në lidhje me biologjinë

Edhe në biologji Aristoteli në disa raste ka gabuar, p.sh., kur ka pretenduar se vendqëndrimi i mendjes është zemra dhe jo truri. Sidoqoftë, në përputhje me parimet e veta empirike, ai vëzhgonte kafshët që të vërtetonte apo shmangte besime të caktuara, p.sh., embrioni krijohet në çastin e fekondimit apo gjinia e gjallesës përcaktohet nga pozicioni i tij në mitër. Aristoteli është edhe autor i klasifikimit të parë metodik të gjallesave në bazë të mënyrës se si shumohen, dhe kështu ka dalluar gjallesat që shumohen me lindjen e të vegjëlve brenda trupit nga ato që shumohen me vezë. Kjo ndarje është edhe baza e taksonomisë së sotme.


Trashëgimia e Aristotelit

Ndryshme nga mësuesi dhe mentori i tij, Platoni, Aristoteli ka besuar se shumë gjëra mund të mësohen duke vëzhguar natyrën. Këtë e ka zbatuar në shumë fusha të dijeve njerëzore, që të vërtetonte, të shmangte apo të plotësonte ato që në fushën e fizikës, filozofisë, astronomisë dhe biologjisë tashmë ishin të njohura. Edhe pse Aristoteli ka qenë nxënës i Akademisë së Platonit gati njëzet vjet, në mjaft raste dy mendimtarët kanë pasur edhe mendime të ndryshme, megjithatë, mësimet e tyre kanë lënë gjurmë të thella në qytetërimin perëndimor.


Madje, ndikimi i Aristotelit, veçanërisht në fushën e njohurive shkencore, ka qenë më i thellë, deri në atë masë, saqë në shekujt në vijim sqarimet e tij kanë qenë të padiskutueshme, me autoritet gati hyjnor, gjë që për njerëzimin jo çdo herë ka pasur pasoja të dobishme.


Materiali është shkëputur nga libri "100 shkencëtarët që ndryshuan botën", i përkthyer nga Latif Ajrullai


(Portali Shkollor)

2,865 Lexime
5 vjet më parë