PËR MËSUESIT

Mësues, mësoni çfarë mund dhe nuk mund të kontrolloni!

Mësuesit mendojnë se mund të kontrollojnë çdo aspekt të klasës së tyre. Përqëndrohuni në menaxhimin e situatës duke treguar respekt për nxënësit dhe me siguri nxënësit do jua kthejnë me mirënjohje.


Mësuesit mendojnë se mund të kontrollojnë çdo aspekt dhe kënd të klasës së tyre. Por në realitet shumëçka mbetet jashtë kontrollit të tyre...

Si mësues do të përpiqeni të kontrolloni gjithçka që ka lidhje me nxënësit tuaj. Mësuesit janë përgjegjës për menaxhimin e përditshëm të klasës me rreth 25 nxënës. Shtoni këtu përgjegjësi të tjera, të tilla si përgatitja e klasave, transferimi i materialeve dhe vlerësimi i punës së secilit nxënës. Dhe le të mos harrojmë, edhe marrëdhënien me prindërit. Megjithatë, mësuesit me përvojë e dinë se ka gjëra që mund të kontrolloni, por edhe ato që nuk mund t'i bëni.


Një mësues luan një rol të madh në jetën akademike të nxënësit, por pjesë e edukimit të tij është edhe familja, shoqëria.   Mundësitë familjare për shumë studentë janë larg idealit. Disa jetojnë në një mjedis të paqëndrueshëm, kaotik, jetojnë në dy adresa, ose shpesh e ndërrojnë shkollën. Disa studentë, në mjedisin në të cilin jetojnë, mund të kenë vështirësi të përqendrohen në shkrimin e detyrave të shtëpisë, nuk i kanë kushtet e duhura për të bërë një jetë të qetë.


Ju nuk mund t'i kontrolloni studentët të cilët nuk i shkruajnë detyrat e shtëpisë, pa marrë parasysh se sa shumë përpiqeni t'i motivoni ata. Ju nuk mund t'i merrni në shtëpi, të uleni në tryezë dhe t'u jepni atyre një atmosferë pune paqësore.

Në shumicën e shkollave ndoshta do të hasni nxënës që jetojnë në varfëri. Disa prej tyre kanë përgjegjësi të mëdha jashtë shkollës, për shembull, ata mund të kujdesen për vëllezërit dhe motrat ndërsa prindërit  punojnë. Disa të tjerë, mund të kenë një punë me kohë të pjesshme, pas mësimit. Ju mund të dëshironi të ndryshoni gjendjen e tyre jashtë shkollës, por kjo gjë është gati e pamundur.


Në vend që të mendoni për atë që nuk mund të kontrolloni, përqendrohuni në klasën tuaj dhe atë që mund të kontrolloni. Kjo përfshin marrëdhënien tuaj me nxënësin dhe familjen e tij. Brenda asaj hapësire, ju mund të krijoni një mjedis të sigurtë, me respekt të madh për secilin prej tyre. 


Përpiquni të krijoni një rutinë pozitive. Për shembull, të krijoni një sistem shpërblimi në të cilin studentët më të mirë mund të fitojnë "para" që mund të shpenzohen në "tregti klasë" lapsa, stilolapsa, gomë... apo për të fituar një kartë me një mesazh pozitiv.


Kontrolloni reagimet tuaja Ndonjëherë ju duhet të mësoni të qëndroni të qetë në kontakt me nxënësit, madje edhe në situatat më të këqija. Si mësues, nuk mund të kontrolloni çdo vendim që sjell nxënësi juaj, por ju mund të kontrolloni mënyrën si do t'i përgjigjeni atij. Mos ngrini zërin tuaj dhe mos bërtisni, pasi kjo vetëm do t'i bëjë gjërat më keq. Duhet ta zvogëloni dramën dhe të përballoni problemet e sjelljes në përputhje me rregullat e shkollës. 


Kujdesu për situatën. Mësues, ju nuk mund të zhdukni varfërinë ose të riparoni shtëpitë e shkatërruara. Përqëndrohuni në menaxhimin e situatës duke treguar respekt për nxënësit dhe me siguri nxënësit do jua kthejnë me mirënjohje.



(Përshtati P. Shtini; Portali Shkollor)

3,043 Lexime
5 vjet më parë