Mësuesi, modeli dhe frymëzimi im
"Dua të theksoj se, të kesh një mësues model është si të kesh një busull orientuese pranë, që të ndihmon sa herë ti je konfuz për drejtimin që do të marrësh apo për hapat që do të hedhësh."
Të gjithë e dimë tashmë dhe e pranojmë se një ndër hallkat më të rëndësishme që lidh nxënësin me rrugën e dijes është mësuesi, i cilime rolin pozitiv dhe misionin e tij fisnik përgatit dhe ndihmon nxënësit për hapat drejt së ardhmes. Një mësues që është i aftë profesionalisht dhe me formim të plotë pedagogjik, arrin të jetë edhe një mësues model për ne nxënësit, dhe personalisht për shumë arsye mësues model për mua është mësuesja e letërsisë.
Së pari, e vlerësoj për profesionalizmin e lartë dhe autoritetin, të cilat i ka fituar vetëm me punë. Në armatën e mësuesve të Shqipërisë ka plot mësues të formuar profesionalisht, por ka edhe mësues që japin shembull të keq tek nxënësit. Një mësues model nuk ka se si të quhet i tillë nëse nuk zotëron aftësitë e mësimdhënies apo metodat eficiente të të shpjeguarit. Lënda e letërsisë ka marrë një rëndësi të veçantë për mua vetëm nëpërmjet shpjegimit dhe mënyrës se si mësuesja na përcjell vlerën e njohjes së letërsisë në tërësi. Autoriteti është gjithashtu pikë kyçe e profesionalizmit të një mësuesi dhe këtë e shoh kur gjithkush e respekton mësuesen sa herë ajo nis të shpjegojë. Pra, duhet ta përmend këtë fakt, se autoriteti dhe respekti i mësuesit model forcohet në sytë e nxënësve vetëm nëpërmjet punës së tij.
Së dyti, krijon një mjedis të ngrohtë e pozitiv në klasë. Mësuesja kurrë nuk ofendon apo bërtet, ajo ka ndërtuar ura të forta komunikimi me çdo nxënës, ndaj ka fituar respektin dhe vlerësimin e çdokujt në shkollën ku unë studioj. Një tjetër karakteristikë e saj është krijimi i një atmosferë të hapur dhe gjithëpërfshirëse, ku çdokush jep mendimin e tij për tema të ndryshme. Mësuesja ime model më mbështet përherë qoftë dhe me një buzëqeshje, më inkurajon për çdo gjë që është në të mirën time, por edhe më korrigjon qoftë dhe me një vështrim sa herë që duhet. Nderimi për këtë mësuese është i natyrshëm prej meje, i pandryshuar dhe nuk do të mbarojë me vitet e shkollës.
Së treti, mundohet të sigurojë një zhvillim intelektual tek çdo nxënës. Duke mos neglizhuar asnjë orë mësimi mësuesja kontribuon në intelektin e nxënësve, dhe në aftësitë e të nxënit të paktën për sa i përket lëndës së letërsisë. Na nxit dëshirën për të lexuar vepra të autorëve të mëdhenj që na ndihmojnë të aftësojmë botëkuptimin tonë, pa mbajtur asnjë qëndrim personal apo të na imponojë mendime të gabuara për të shkuarën apo për të tashmen. Nuk lejon dhe as krijon konflikte interesi me asnjë nxënës. Këtë e kam vërtetuar edhe vetë sepse në brezat e kaluar kanë qenë nxënëse motrat e mia, dhe ashtu si për mua edhe për to mësuesja ideale mban emrin e saj.
Së katërti, respekton institucionin dhe kolegët e saj. Përmes përmbushjes me përpikmëri dhe seriozitet të objektivave të vendosura nga shkolla për mësuesen, ajo është indikator frymëzimi për mua, pa vetëdije na përcjell dhe ne nxënësve ndjenjën e përgjegjshmërisë dhe të respektimit të institucionit arsimor, si dhe vlerën e rëndësinë e këtij institucioni.
Ashtu si ne adoleshentët nuk e vlerësojmë një shok/shoqe që shan të tjerët, nuk do e vlerësonim edhe si nxënës një mësues që shan kolegët e tij. Mësuesja që unë kam zgjedhur model përfaqëson denjësisht atë pjesë të mësuesve që janë për t’u vlerësuar, sepse jo vetëm që nuk fyen asnjë koleg në sytë e nxënësve, por nuk gjykon as komenton për ata sido që të jenë, të mirë apo të këqinj.
Në përfundim, ajo që dua të theksoj është se të kesh një mësues model është si të kesh një busull orientuese pranë, që të ndihmon sa herë ti je konfuz për drejtimin që do të marrësh apo për hapat që do të hedhësh. Edhe njëmijë falënderime nuk do të mjaftonin që të shprehja mirënjohjen ndaj mësueses time model. Për mua ajo meriton 365-ë “7 Mars “ në vit!
(Adela Velkani, shkolla: “Mustafa Matohiti” Patos, klasa: XII-të)
Analizë e veprës “I Huaji”, Albert Kamy
Vjersha për fëmijët e arsimit fillor
I dua dy prindër si ju...