Studimi

Mësuesit dhe nxënësit i ngjisin stresin njëri-tjetrit

“Studimi është një kujtesë për problemet e sistemit arsimor me të cilat hasen mësuesit dhe edukatorët ndërsa numri i nxënësve në klasë rritet dhe mbështetja ndaj mësuesve zvogëlohet”

Sipas një studimi të realizuar Universiteti i Kolumbisë  rezulton se lodhja mendore e mësuesve dhe stresi i nxënësve janë të lidhur me njëri-tjetrin. Studiuesit vëzhguan 400 fëmijë të klasave fillore dhe zbuluan se në klasat ku mësuesit kishin një lodhje më të madhe mendore apo emocionale, nxënësit kishin nivele të larta të kortizolit (hormon i stresit). Niveli i lartë i kortizolit tek fëmijët e klasave fillore është i lidhur me vështirësi në të nxënë dhe probleme të shëndetit mendor.


“Kjo tregon se stresi mund të jetë ngjitës mes mësuesit dhe nxënësve. Nuk dihet kush shpërthen i pari, nivelet e larta të kortizolit apo lodhja e mësuesit. Ne konsiderojmë lidhjen mes stresit të mësuesit dhe atij të nxënësit një problem ciklik në klasë”,-  tha Eva Oberle, autore e studimit.


Oberle tha se një atmosferë stresuese në klasë mund të jetë rezultat i një mbështetjeje të dobët për mësuesin, gjë e cila ndikon në aftësinë e mësuesit për të menaxhuar klasën. Një klasë që nuk menaxhohet mirë ndikon në mosplotësimin e nevojave të nxënësve dhe në rritjen e stresit. Kjo pasqyrohet me rritjen e nivelit të kortizolit tek fëmijët. 


Por stresi mund të lindë edhe nga nxënësit, të cilët mund të jenë më të vështirë për t’u mësuar për arsye të rritjes së ankthit, problemeve të sjelljes apo nevojave të veçanta të tyre. Në këto raste, mësuesit ndjehen të mbingarkuar dhe raportojnë nivele të larta të lodhjes mendore.


“Studimi jonë është një kujtesë për problemet e sistemit arsimor me të cilat hasen mësuesit dhe edukatorët ndërsa numri i nxënësve në klasë rritet dhe mbështetja ndaj mësuesve zvogëlohet”, - tha Oberle. 


“Është e qartë tashmë nga një numër shumë i madh studimesh se mësuesit kanë nevojë për mbështetjen e duhur për të menaxhuar lodhjen nervore dhe për të ulur nivelin e stresit në klasë. Nëse nuk mbështesim mësuesit, ne rrezikojmë dëmtimin e përgjithshëm të nxënësve”, tha profesor Kimberly Schonert-Reichl.


(Portali Shkollor)

4,972 Lexime
1 vit më parë