OPINION

Mësuesit shohin shumë larg

Imagjinoni se kë po edukojmë, fëmijë ku prindërit nuk dinë as të lexojnë, jo më të shkruajnë shqip. Nuk ndërtohen çatitë e shtëpive pa ngulur rrënjë themelet, se erozioni është i shumë më i rrezikshëm.

Mësuese, - a është e vërtetë se sytë janë dritarja e zemrës?

Po, - o jetë e vogël, e vërtetë është. Sytë janë dritarja e zemrës, orientimi i shpirtit dhe reflektimi i trurit, mendjes, sjelljes? Sytë e zemrës shohin përpara syve të trupit, sepse e parandjejnë, e përpunojnë mesazhin para se të ndodhë. Po ku marrin vesh  disa njerëz pa e pësuar, disa s`i  kanë sa dhe si duhet këto cilësi dhe pasoja është, shiko si jetojmë: njëri nuk ka bukë për të mbushur barkun, ndërsa tjetri nuk e di se nga t`i investojë. Por, disa njerëz po i ndihmojnë të varfërit, sa më shumë njerëz të mirë, të ndihmojnë të varfërit, aq më shumë zhduket varfëria. Sa më shumë Arbra të ketë në Shqipëri dhe jashtë saj që mendojnë si ti, aq më shumë shohin sytë e zemrës.


Mësuese as ne nuk jemi mirë, kur fëmijët e lagjeve tona, nuk shkojnë në shkollë, sepse dalin duke shitur nëpër rrugë për të ndihmuar prindërit. Disa fëmijë dalin për të fshirë xhamat e makinave, gjithë ditën në pluhurin dhe smogun e makinave, disa lypin në rrugë afër makinave, duke rrezikuar dhe jetën e tyre.  Disa fëmijë i lënë në shtëpi ata të komunitetit, sepse rrisin motrat dhe vëllezërit më të vegjël, sepse nuk duan ta vazhdojnë shkollën në nëntë-vjeçare, sepse nuk dinë apo s`duan si t`i mësojnë. Ata/ato martohen, pa letra, para moshës tetëmbëdhjetë-vjeçare. 


Ashtu është, atë ditë kur dikush po merrte një certifikatë, te gjendja civile, dëgjoi nëpunësen e gjendjes civile që i tha njërës nga komuniteti, pa ofenduar njeri, se ka dhe të tjera, "Fëmijën do ta regjistrojmë me mbiemrin tënd, se goca është e re dhe e kap ligji. Kur goca të bëjë të tetëmbëdhjetat, do të vijë këtu me bashkëshortin, t`i bëjmë celebrimin, pastaj kthejmë mbiemrin e fëmijës me mbiemrin e babait të tij". 

Ajo e mbante mend atë që kur ishte e vogël, biles e pyeti të ëmën i tha a fëmija jot është ky? Jo u përgjigj ajo është i gocës, por goca… kur bëtë dasmë…?!

Imagjinoni se kë po edukojmë, fëmijë ku prindërit nuk dinë as të lexojnë, jo më të shkruajnë shqip. Kur prindi nuk di për vete shqip, çfarë të mbetet t`i kërkosh fëmijës. Fëmija mëson më shumë në shtëpi, jo vetëm me mësuesen, me mësuesen merr konceptet kryesore, po nuk e përsërite mësimin në shtëpi ose me prindërit, kur je e vogël akoma, nuk ke mësuar për atë ditë. Lëre pastaj sa janë bërë, ato në klasë të pestë e lënë fare shkollën. Sa janë rritur, gjithë obezitet as dymbëdhjetë vjeçe, shkojnë te byrektorja blejnë byrek, hamburgera dhe marrin kokakola që ta shtyjnë ushqimin poshtë. Kokakolat me zero sheqer janë shkaktari kryesor për diabet, sipas doktorëve. Po pijet e tjera që janë me sheqer, janë më të rrezikshme. 


S`ka faj as shteti. Si t`ua paguajë me rimbursim gjithë ato ilaçe, kur të shkojnë në moshën e pensionit. Apo ato s`i kalojnë as të gjashtëdhjetat, mënyra e re e jetesës kjo, por po bëhet trendi dhe për ata që e duan shkollën, por s`kanë mundësi ta vazhdojnë. Ku është arsimimi këtu? Të gjithë fëmijët e asaj lagjeje janë pa shkollë, pa shkollë quhesh nëse e lë shkollën në klasë të pestë. E ku?, - në mes të Tiranës. Ku s`ju mungon asgjë. S`ju mungojnë as drita, as uji, as rrugët, as shtëpitë, as nuk është ftohtë, as ushqim, sepse po t`u mungonte ushqimi nuk do të mbusheshin rrugët me letra çokollatash, patatinash, hamburgerash, pijesh dhe akulloresh çdo ditë, (jo se janë të shëndetshme, por…). Pastaj vijnë punonjësit që të pastrojnë rrugën, pse t`i pastrojnë ata? Edukoje njëherë njeriun, ose detyroji t`i mbledhin vetë me duar njëherë, pastaj s`i hedhin më. Në fund të fundit gjithë ai investim, a s`mund ta vendosnin dhe një kosh të vogël anash rrugës ata të bashkisë për letra të vogla si ato që përmenda më lart. 


Vendose një kamera diku që dikush të bëhet shembull për të tjerët. S`po na vjen era njerëz, kur ke frikë të kalosh dhe poshtë pallateve, apo bareve, se mos të bie ndonjë cigare e ndezur në kokë, dhe do të thuash  me vete, s`është asgjë qesja e mbeturinave apo ndonjë enë me ujë që rëndom i hedhin nga ballkoni ‘’të kulturuarit’’. S`kemi edukim, të përgjithshëm, njeriu s`mëson pa e mësuar dikush apo pa i kërkuar llogari. Ka që mësojnë dhe duke vëzhguar, por po na mungojnë shembujt pozitivë. I ke studenta dhe ushtarakë, të ardhur, janë dhe në punë, janë të kulturuar, rrinë me qera dhe tërë kohës, kohën e lirë i hedhin bishtat e cigareve në tokë, në oborrin e tyre, pranë karriges ku janë ulur. Vetë do t`i mbledhin, pas një muaji, nëse i bien me fshesë oborrit, kulturë quhet kjo. 


Nejse ishim te arsimimi për ata të komunitetit, të paktën për rreth njëzet vite që i vëzhgon, asnjë s'e ka mbaruar as klasën e gjashtë. Të gjithë i dërgojnë në klasë të parë arrijnë deri te e pesta dhe aty ngecin, problemi mos është se janë me më shumë mësues apo …! Ata ishin dhe janë fëmijë shumë të sjellshëm, ishin dhe janë shumë të edukuar, ishin dhe janë shumë të zgjuar, e vuajnë pashkollimin e tyre në heshtje të plotë. Kanë nga tre fëmijë, rrallë dy. Them ishin se u bënë dy dekada dhe ato janë rritur janë martuar, vijnë me fëmijë të vegjël. Them janë se është brezi  që po rritet aktualisht. Flasin një gjuhë shumë të pastër letrare. Flasin shumë bukur dhe gjuhën e tyre. Duan mbështetje. Zgjohu, - o njeri, ti, mësues në veçanti. Të sëmurët kanë nevojë për doktor. I shëndoshi është doktori i vetvetes. Përse e lënë shkollën në nëntëvjeçare? Çfarë ka që nuk shkon me ata? Mësues/e e di se puna jote është bërë më shumë si sekretari, se sa si mësues, por po na mundon ‘’analfabetizmi’’.


I bie të dalësh nga shkolla më analfabetë se hymë. Mësues/e, falë zërit tuaj, jam rreth njëzet kilogram mbi peshë, sepse s`kisha kush të më edukonte, të më fliste, të më ndalonte të haja ushqime të thata, të hiqja dorë nga akulloret apo kokakolat, mbi të gjitha s`mësova dot të shkruaj as të lexoj si duhet. Nuk dola as edhe njëherë nga shtëpia, se bëja punët e shtëpisë, ndihmoja dhe mamin të rrisja motrën apo vëllain, ose s`kisha pse të dilja se s`kisha motiv. Tani jam fejuar si ortaket e mia, nesër do të shkoj të votoj dhe ju garantoj, se fletën e votimit nuk di as ta lexoj, jo më ta plotësoj si duhet, pas ca kohësh do të sjell fëmijët e mi për shkollim, do të vijë dhe motra më e vogël. Mos e bëni më atë gabim! Mundohuni t`i shihni fëmijët tanë me sytë e zemrës, tani e tutje, sepse sytë e zemrës shohin më larg, se si do të vijë jeta, i shohin gjërat me largësinë, për të tashmen s`kemi gjë në vijë, s`keni çfarë me tregue, e këshilloi dhe një shpirt i fjetur Danten, kur po shëtiste nëpër viset e Perëndisë, rreth viteve 1300, tani mundohemi për të ardhmen. 


Në Gjermani, shteti gjerman paguan një shumë për çdo fëmijë të moshës shkollore, jo për shkollimin, sepse shkollimin e kanë detyrim, por për aktivitetet që do të ndjekë fëmija pas orarit shkollor, gjatë kohës së lirë, me qëllim që të aftësojë dhe të zbulojë talentet që në fëmijëri. Dhe nëse prindi nuk e dërgon nëpër ato kurse, pra nuk i shpenzon ato lekë për atë qëllim do të gjobitet, kështu u shprehën një çift, që kanë tre fëmijë dhe jetojnë atje. Ndërsa ajo fliste m`u kujtuan fëmijët tanë dhe vajza talent e një shkolle gjatë praktikës sime. Ajo ishte një akrobate e lindur, e bënte fletën deri në njëqind herë pa shkëputje, biles dhe me njërën dorë kryente lëvizjet. Harrova ajo s`është talent se nuk mëson shumë në lëndët e tjera, i kemi mësuar 'kot' ato inteligjencat shumfishe. Duhet t`ia bëjnë një lidhje me ata të cirkut kombëtar, apo jo, vetëm që ta vëzhgojnë, pastaj vendosin vetë. Me rritjen e moshës i ikën dhe elasticiteti i trupit, varet nga ushqimet, si do të ushqehet, kushtet ekonomike, mbi të gjitha i mungon buzëqeshja, motivimi, sepse nuk po ndjek një kurs, ku të nxjerrë në pah talentin e saj. 


Paska pasur të drejtë profesori i fizikës, në universitet kur na tha se gjashtëdhjetë përqind të provimit duhet t`ua japësh nxënësve të gatshme, në mënyrë që t`i motivonin nxënësit, edhe duke kopjuar, diçka e mësojnë. Por si qëllim kryesor kishin që studentët të mos dilnin nga shkolla më ’’budallenj’’ se hynë. A munden shkollat private të marrin qoftë dhe nga një prej tyre për çdo klasë, që t`ua imponojnë shkollimin, të aktivizohen si duhet nëpër shkolla. Ose a munden shkollat private të gjejnë një zgjidhje për fëmijët talentë, t`i kërkojnë ata fëmijë te shkollat publike, t`u mundësojnë dhe shkollimin, se kot nuk shkoj në publik, por s`kam lek për në privat, më tej muhabetin mos e zgjat, ti që nuk e di se çfarë do të thotë të mësosh në një shkollë jopublike. 


Hap sa të duash shkolla, krijo, zbukuro, ndërto kushte për vete, rehatou ti, - o i pasur, me zemër të varfër, por je më i varfër, kur s`ke çfarë të sheh syri. Nuk ndërtohen çatitë e shtëpive pa ngulur rrënjë themelet, se erozioni është i shumë më i rrezikshëm. 


Ku të ra ndërmend kjo pyetje? - o jetë e vogël me mendje të ndritur. E ke dëgjuar në digjitalb, apo duke parë kukulla. Mbrëmë po të pyesja në ëndërr dhe tani m’u kujtua. Mësuese nëse nuk kujdesemi për njerëzit sidomos për fëmijët, bota do të shkatërrohet. Jemi ne me pafajsinë tonë, që ju mbajmë ju të rriturve. Ju të rriturit vetëm të ngrini zërin dini, ju të rriturit e keni humbur fare fillin e arsyes. Ju a na keni mësuar se polet e kundërta tërhiqen dhe të njëjtat shtyhen, pra kur të kundërtat kanë unitet, zhvillohet shoqëria. Lëre pastaj kur dy vetë nuk ja lëshojnë rrugën njëri-tjetrit, do të thotë se asnjëri prej tyre nuk është i zgjuar. 

Keni të drejtë Arbër. 


(Drita Topjana, Prill 2019; Portali Shkollor)

3,447 Lexime
5 vjet më parë