Nostalgji

"Mësuesja e klasës së parë është një fat i madh dhe unë e pata atë"...

“Përshëndetje nga mësuesja e klasës së parë”- mjaftoi ky mesazh në Facebook për t’u rilidhur në komunikim me njeriun që pata fatin të edukohem. Di që një dorë e ngrohtë dhe fytyrë e dashur mu gjend pranë, më mbajti afër, më dha shumë dashuri dhe unë se kam harruar...

Filmat artistikë Hollywood-ianë shpesh herë nisin me frazën: “It’s Been a while” si mënyrë për të rrëmuar pak nga e kaluara, nga e jetuara, mbresat që na le. Mjafton një cimbisje dhe si në filmat e parë të vëllezërve Lumière shiriti i zi transmeton fotogramat, i jep dhe një herë jetë atij filmi pa zë. E nuk duhet asnjë mekanizëm lëvizës shiriti, as titra prezantimi, por si në një sfond të pluhurosur nis e zë fill tregimi i një periudhe, momenti, përjetimi. Do te kthehem herët, aty ku ngjiz dija, njohja me botën jashtë, aty ku familja nuk është, ku fytyra të reja të panjohura të vijnë, të sjellin mesazhe e pashmangshmërisht bëhesh pjesë e interaktivitetit, konsumit të përditshëm që ne e quajmë dialog. 


Në gjysmë droje, ndoshta dhe me emocione nis një kapitull i ri, nis jeta jashtë mureve të shtëpisë. Sa prej nesh e kujtojnë ditën e parë të shkollës? 

Mua momente të caktuara më vijnë të gjalla. Di të kem pasur klasën në katin e dytë të shkollës ngjitur me drejtorinë. Klasë e madhe, e bollshme, por që qëndronte gjithnjë në hije pasi pisha e madhe e kishte zaptuar çdo dritare e rrezet e diellit rrallë herë na prekte fytyrën. Di që në ditën e parë të shkollës ime motër rrinte pas dere si shumë të afërm, prindër, motra apo vëllezër të filizave që fillonin klasën e parë. 


Kujtoj që mësuesja mbylli derën duke dashur të ruajë një ekuilibër qetësie midis pjesës që ishin brena derës e atyre jashtë saj. Sigurisht e dinte që nga momenti në moment mund të niste ndonjë e qarë e të afërmit në ankth prisnin pas dere. Mami, babi më kishin thënë që do të shkoja në shkollë, do mësoja shumë gjëra aty, do të miqësohesha me shokë e shoqe duke sheqerosur nga të mund ambientin në të cilin do të qëndroja me orë. 


Heshtje, sy që as qepallat nuk i mbyllja nga ambienti i panjohur dhe sigurisht një rrëmuje në kokë. Ku isha, ç’bëja, ç’po ndodhte?  Me shumë gjasë këto do kenë qenë pyetjet që më lëviznin në kokë dhe pse jo frikë, po frike se më sollën diku ku nuk kisha qenë më parë dhe isha jashtë çdo lloj kupole mbrojtëse familjare, nuk shihja asnjë prej tyre. 


E çuditshëm do të thoni, pse e gjitha kjo? Sepse unë nuk kam qenë në kopsht, nuk rrija, nuk më pëlqente, qaja shumë aty dhe u detyruan të më mbanin në shtëpi. 


Di që një dorë e ngrohtë dhe fytyrë e dashur mu gjend pranë, më mbajti afër, më dha shumë dashuri dhe unë se kam harruar. E re, e përkushtuar dhe me shumë dashuri na mësoi grepet, germat e abetares dhe aritmetikën. Mu bë i dashur ai vend, shkoja me qejf e dëshira s’më mungonte të mësoja çdo ditë.


Dita pasonte ditën, java të njëjtën gjë e kështu ngjizej dija, ajo për të cilën kemi kaq shumë nevoje edhe pse në atë moshë nuk dimë ta vlerësojmë. Unë, sigurisht nuk do harroj mirësinë e mësueses Sanije Furrxhiu për te cilën edhe sot ruaj shumë respekt e mirënjohje për mësimin e A, B, C ... 


Tani kur kujtoj, më zë nostalgjia për bangat e që ishin plot zhgarravina, ndonjë “gdhendje artistike” nga brezat e mëparshëm, tabela e zezë që gjithnjë më është dukur hijerëndë e ata shkumësa që kur mbaroheshin dilte ndonjë vullnetar këmbëshpejtë e sillte më një frymë dy ose tre të tillë. Klasa ime ishte e mobiluar thjeshtë, tek-tuk ndonjë tabak kartoni me punime dore dhe dritare të drunjta me xham pjesë-pjesë. 


Jetonim kohe të varfër, kur flitej për tranzicion, kur sytë dhe veshët e një populli ishin te çoroditur, por që për ne, fëmijë të klasës së parë as që e dinim ç’ishin. Kujtoj që atë vit një fondacion na dhuroi pako me lodra. Mbaj mend që thuhej, vijnë nga jashtë, nga Gjermania. E kujtoj që ishin 5 makina të modeleve të ndryshme, me ngjyrë  të kuqe, shumë të bukura, sytë me mbeten aty. Nuk më pritej që të mbaronte mësimi dhe të shkoja në shtëpi e ti tregoja ç’më kishin dhuruar. 


E kur sot më një buzëqeshje krejt naive, them që lumturia paska peshë të madhe kur je në vegjëli. 

Të gëzon dhe nje stilolaps me ngjyra, një çantë shpine e bukur apo dhe një lodër sado e thjeshtë.  Ne kohën time ora e mësimit ndryshonte nga një tingull i fortë ku një shufër hekuri godiste ritmikisht një cilindër po nga i njëjti material. Se di pse na ngjallte gjithnjë një gëzim të brendshëm ndryshimi i orës, vjen së brendshmi, sa dhe shpjegimi mbetet në nivelet e banales. 


Sot, kur vitet vrullshëm kanë rrjedhur, kaluar si ai mekanizmi primitiv që xhiron negativin e një filmi dua t’i mbetem falënderues mësueses sime që me përkushtim, durim dhe dashuri më njohu me hapat e parë të dijes e me nxitit që edhe më shumë ta zgjeroj atë. Nuk mund ta lë pa e theksuar dhe faktin që mësuesja e klasës së parë është një fat i madh dhe unë e pata atë. Mirënjohje për të gjithë mësuesit.  



Nga Mirel Kambo, gazetar 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,755 Lexime
2 vjet më parë