Ministri Blendi Gonxhja: Arta Marku emërohet Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

Ministri Blendi Gonxhja emëron Arta Markun Drejtoreshë të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit: Gazetare dhe kritike letrare me eksperiencë të gjatë, Marku sjell vizion të qartë për zhvillimin e librit. Ministri falënderoi ish-drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për kontributin e saj të vyer.

Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka njoftuar emërimin e Arta Markut në krye të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Sipas ministrit:


"Gazetare dhe kritike letrare me eksperiencë të gjatë, Marku sjell vizion të qartë për zhvillimin e librit."


Arta Marku ka një rrugëtim të gjatë dhe të konsoliduar në kulturë, duke nisur karrierën në vitin 1993 me gazetën “Koha Jonë” dhe më pas në media të rëndësishme si “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”, gjithmonë me fokus te libri dhe letërsia.


Ajo ka drejtuar si kryeredaktore disa prej revistave më të njohura kulturore në vend, ndërsa prej vitit 2014 ka sjellë për publikun emisionin “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana. Përmes nismave si “AGORA”, ajo ka afruar letërsinë me publikun në hapësira të hapura dhe interaktive.


E angazhuar vazhdimisht në promovimin e leximit, Marku ka zhvilluar takime të shumta me nxënës në gjimnazet e Tiranës dhe ka qenë pjesë e jurive në çmime dhe konkurse të rëndësishme letrare. Autore dhe përkthyese e disa veprave të rëndësishme, ajo sjell një përvojë të pasur dhe një vizion të qartë për zhvillimin e librit dhe leximit në Shqipëri.


Pas prezantimit të profilit të drejtoreshës së re, ministri thekson:

"Një falënderim i veçantë shkon për ish-drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për punën dhe kontributin e saj të vyer ndër vite në këtë institucion."




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

142 Lexime
5 orë më parë