"Mos ma përbaltni 7 Marsin" nga Luljeta Limanaj

Një reflektim i ndjerë për kuptimin e vërtetë të 7 Marsit dhe misionin e mësuesit në shoqëri. Autorja Luljeta Limanaj shpreh dashurinë për profesionin e saj, nostalgjinë për festën e dikurshme dhe thirrjen që kjo ditë të ruajë pastërtinë e saj: me respekt, mirënjohje dhe pa dhurata materiale.

7 Marsi është festa e shpirtit tim.


Është dita që më rikthen te misioni im jetësor, te mesuesia-profesioni më i vyer, më fisnik dhe më njerëzor.

Mësuesit janë misionarët e parë të njerëzimit.


Siç thoshte Konfuci: Nëse do një shtet të fortë, duhet të ndërtosh më parë mendjen dhe shpirtin e njerëzve të tij-dhe këtë e bëjnë mësuesit.

Mësuesi nuk ushqen vetëm trurin e nxënësit, por edhe shpirtin e tij: virtytet, ndershmërinë, dashurinë për dijen, respektin për tjetrin.


Por prej disa vitesh, sa herë afrohet 7 Marsi, më pushton një ndjenjë e përzier:

dashuri e pakushtëzuar për profesionin tim të shenjtë,

keqardhje për shpenzimet e panevojshme të prindërve,

dhe zemërim për mënyrën se si disa media e përbaltin këtë festë të shenjtë.


Kam nostalgji për 7 Marsin e dikurshëm,

kur nxënësit të uronin me fjalët e tyre të ndjera, të ardhura drejt e nga zemra,

të shkruara aq bukur,

dhe me një lule të freskët në dorë-një lule që mbante aromën e natyrës,

aromën e shpirtit të tyre,

mendimin e bukur që donin t’ia dhuronin mësueses së dashur.


Ne, mësuesit, jemi modestë.

Të gjerë në shpirt.

Të dashur me fëmijët.

Të palodhur në punën tonë.

Çdo nxënësi i falim një pjesë të shpirtit tonë.


Nxënësit janë pjesë e familjes sime:

arritjet, shqetësimet dhe nevojat e tyre i mbaj në mendje e në zemër, çdo ditë.

Prandaj, çdo 7 Mars dua që kjo ditë të jetë:

e dlirë,

e pastër,

e dashur,

pa dhurata materiale,

pa zhurmë,

pa deklarata përbaltëse.

Vetëm me respekt.

Vetëm me mirënjohje.

Vetëm me shpirt të pastër.


Gëzuar 7 Marsin!

Gëzuar festën tonë të shenjtë!



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë  

103 Lexime
1 orë më parë