QASJA E RE

"Motivi shoqëror në poezinë e Zyhdi Dervishit", analizë nga poeti Sadik Bejko

Profesor Zyhdi Dervishi, ligjërues në disa universitete i lëndëve me profil sociologjik dhe kulturor, autor librash që i kanë dhënë një vend nderi, ka edhe përmasën e një poeti të talentuar. Poeti, Dr. Sadik Bejko është ndalur në një analizë të thelluar.

Profesor Zyhdi Dervishi, ligjërues në disa universitete i lëndëve me profil sociologjik dhe kulturor, autor librash që i kanë dhënë një vend nderi në këto fusha të dijes, ka edhe përmasën e një poeti të talentuar. Ky talent tashmë është dëshmuar në serinë e botimeve të disa librave poetikë dhe në vëmendjen që kanë zgjuar ato në rrethet letrare. 


Dora e poetit ndihet dhe në gjithë prozën shkencore të profesor Zyhdi Dervishit, ndihet në stofin e hollë e të përzgjedhur të gjuhës, në zgjedhjen e qëmtuar të detajeve, në metaforat që vetëtijnë edhe brenda stilit rreptësisht shkencor të korpusit të librave të tij sociologjikë.


Librat me poezi të Zyhdi Dervishit sjellin atë dije që mund të shprehet posaçërisht me mjetet e poezisë, shpalosin atë qasje, atë ndjeshmëri subjektive që vështrimi i specializuar dhe i ftohtë i një shkencëtari në sociologji i ndruhet ta thotë. Personaliteti i tij kështu pasurohet. Poezia është poezi, sociologjia - sociologji, ato janë dy lëmi më vete, por qoftë dhe kjo mprehje e penës së poetit në një mori motivesh sociale, këmbëngulja në veçanti te motivet sociale i japin atij koherencën e një talenti unik.


Motivet sociale shtrihet në gjithë librat poetikë të autorit. Më dukshëm dhe më me prurje në temën sociale janë motivet e vëllimit "Jehonëlemeria", ku kryesisht do të ndalemi.


Ajo që përbën karakteristikën më thelbësore në trajtimin e kësaj teme është vizioni gati kozmik i rënies, i lodhjes, i zaptimit nga e keqja të një shoqërie. Një rënie totale e plazmuar në pamje të ashpra, të përçudshme, pothuaj apokaliptike. Një rënie që mbetet ende në proces të pandërprerë, pa besim a shpresë përmirësimi.

Kjo të kujton poezinë "Biseda e një njeriu të lodhur nga jeta e nga shpirti i vet", poezi e gjetur në një papirus 2000 vjeçar para erës së re, e cila sjell krizën, bjerrjen dhe lëshimin e fuqive të shoqërisë egjiptiane në epokën e quajtur Mbretëria e Mesme. Njihen nga historia epoka të tilla kur shoqëri të caktuara hyjnë në qorrsokak, rrëzohen me kokëposhtë dhe rëniet e tilla pasohen nga shpërthimi i ligësive dhe i veseve. Njeriu nuk e njeh më tjetrin, as vëllanë, as fqinjin, as veten në tjetërsimin, transformimin e përçudshëm që kanë pësuar.

Po japim një fragment nga kjo poezi e Egjiptit të lashtë:


KUJT T'I FLASËSH SOT


Kujt t'i flasësh sot? Vëllezërit janë të ligj;

e pamundur, sot, t'i duash miqtë, lakmia sundon

gjithkush pasurinë e fqinjit grabit.

Kujt t'i flasësh sot? Fisnikëria s'gjendet më,

Gjithkujt i ka plasur cipa.

Kujt t'i flasësh sot? Kush ka fytyrë të kënaqur

është i lig, kudo nëpërkëmbet mirësia.

Kujt t'i flasësh sot? Nuk shihen më fytyrat

secili e fsheh fytyrën përpara vëllait.

Kujt t'i flasësh sot? Lakmitare janë zemrat,

njeriu nuk ka zemër ku mund të mbështetet.

Kujt t'i flasësh sot? Nuk ka më njerëz të drejtë,

pre e keqbërësve është toka.

Kujt t'i flasësh sot? Jam mbushur me mjerim

e nuk di as kujt t'i besoj.

Kujt t'i flasësh sot? S'ka kufij

mëkati që vendin po sfilit.


(Përktheu Zimo Kruta, Gazeta shqiptare /"Milosao", supplement/ nr. 5708, 22 korrik, 2012, f. 20 - 21.)


Situata të tilla ndodhin kur shthuren marrëdhënie ekonomiko-sociale deri atëherë të qëndrueshme, kur thyhen struktura sociale mbizotëruese në kohë dhe shoqëria endet në mjegull derisa të gjenden vlerat dhe rregullat e një rendi të ri social.


Shqipëria sapo kaloi nëpër kësi provash. Rënia e një sistemi strukturash, vlerash pa krijuar të rejat ngjan si fundi i botës. E keqja bëhet mbizotëruese, demonët dhe instinktet marrin komandën dhe ngjan se ky proces kokëposhtë vetëm në një llum edhe më të zi mund të përfundojë.


Më poshtë po japim fragmente poezish nga libri “Jehonëlemeria”:


Thahen lisat. Kreshtat

e maleve sharrohen

...hije-zezonë... (Shkreti)

Ëndrrat fëminore të mesnatës

Në gjendje kome. (Kirurgjia e hënës)

Batica e trazuar e lotëve

na e përmbyt hapësirën

e pamatë të syve.

Nga stuhi e dhimbjes

qerpikët thinjen

e kërleshen

si leshterikë. (Det dhe dhimbje)

Tërmeti me gurët e themelit

kalldrëme shtron

mbi çati.

Qaramanë e dështakë të përqarë

...kutërbojnë

Si uturakë të palarë. (Duhumë kënete)

Nga barku i shpuar i anijes

Shatërvani i llumit

Mësyn majat e direkëve.. (Kursi i thyer)

Vektori i busullës së kursit të kohës

Rrëzohet në pikiatë

Kërkon tabanin

E baltovinës.

Morgu është mbushur me të gjallë,

Ndërtesat e tjera me kufoma.

(Në kryqin e udhëkryqit) 

Nga shembujt e cituar më lart vjen tabloja e një qytetërimi të sëmurë rëndë, ku të arratisurit prej morgut marrin rrugët e llumit dhe zhyten thellë, poshtë e më poshtë.

Ky verb poetik kataliptik shënjon një situatë me mbizotërim të shëmtisë shoqërore. Poeti nuk e barazon veten, nuk është pjesë e një situatë të tillë. As nuk e lëshon veten ndaj presionit të një realiteti në rënie. Poezia e Zyhdi Dervishit, nuk është poezi pesimiste. Paradoksi dhe sarkazma si mjete estetike, por dhe si çelësa vlerësimi të situatës, të distancojnë prej frymës së shëmtisë, përshkallëzimit në rritje të rrënimit.

Të tjerë poetë shqiptarë këto vite kanë shkruar një poezi të dëshpërimit. Dhe disa prej këtyre poetëve kanë ardhur nga një kohë kur i këndohej, siç dhe i kënduan, vetëm optimizmit.


Poezia e Zyhdi Dervishit ka tonalitetin e vizionit biblik. Sipas këtij vizioni toka, shoqëria në të cilën jetojmë, janë mbretëri e së keqes së pandreqshme, njerëzim mbetet peng i mëkateve mortale, i veseve. Dhe ... i tillë do të mbetet për gjithmonë e jetës. Vetëm bota qiellore, Qyteti i diellit (Shën Agustini), është shpëtimi prej tokësores.


Pa qenë fetar, konceptimet, paradigmat biblike, vizionet kozmike, të ngjashme me ato biblike, janë mjete për të përforcuar shprehjen poetike, për t’i gdhendur tablotë me reliev, për të sjellë imazhe e mendime me forcë përgjithësuese, mesazhe me thellësi universale.


Poetët e pas '90 - tës shkruan një poezi të zhgënjimi, të pesimizmit. Ndonjëherë këta janë ish-poetë të traditës së realizmit socialist. Ky vizion me kokëposhtë Shqipërisë së tranzicionit në poezinë e këtyre poetëve buron nga vetë pamjet që ofronte realiteti. Poezia u çlirua nga kufizimet tematike, tani mund t’u jepeshe dhe ndjenjave ‘negative’ si trishtimi, humbja, zhgënjimi. Ndonjëherë në këtë poezi të pas ‘90-tës denoncohet një situatë kataliptike që të çon te ai përjetim i disa shtresave dikur të privilegjuara në shoqërinë tonë, shtresa të cilat rënien e komunizmit e përjetuan si fundin e botës. Shqipëria e lëvduar nga realizmi socialist, Shqipëria si frymëzim i së mirës, i së të bukurës, fisnikja, madhështorja Shqipëri, në poezinë disa poeteve të pas ’90-tës u shndërrua në një tjetër kahe, tashmë ajo është Shqipëri e shëmtimit, e së keqes, e mjerimit.


Te shumë poetë (Fatos Arapi, M. Kraja, P. Taçi, etj) pra, në Kosovë e në Shqipëri edhe liria është atakuar. Kthimi nga liria nuk është kusht se gjërat do të ndryshojnë si me shkopin e magjistarit. Lëre pastaj që dhe lirinë, popujt e panjohur me të e përfytyrojnë si liri pa kushte, pa rregulla.

Mësimet e hidhura nga historia nuk mbahen parasysh. Shqiptarët janë popull që shpreson e beson se gjërat mund të ndryshojnë me atë lehtësi që ndërrojnë stinët. Kush beson lehtë te fjalët e thata, te premtimet e aktorëve politikë, zhgënjehet.

"Liria... një mut i madh" 

(Basri Çapriqi, Liria, Antologji e poezisë shqipe bashkëkohore, f. 117, hartuar nga Bashki Kucuku, Onufri 2008.)

Shqiptarët në të dy shtet kanë hasur në probleme jo të vogla me të sotmen dhe me perspektivën e tyre. Poezia po i sjell jehonat e kësaj lebetie (po të perifrazojmë titullin e njërit prej librave të autorit Zydi Dervishi) "Jehonëlebetia".

Zhgënjimi, humbja e besimit, lodhja, shkuarja dëm e djersës dhe e mundit 50 -vjeçar, depresioni se gjithmonë kemi ecur më rrugë të gabuar, dhe fatalisht kështu do të vazhdojmë, kaosi demokratik, varfëria...mbeten shkaqet... pra, edhe idetë që përcjellin poetët e pas 90-tës në poezinë me motive sociale.

Dhe, përfundimisht, Shqipëria nuk bëhet...Ne jemi humbësit e përjetshëm:

Artin e shkëlqyer të humbjes

Ne e kemi ngritur në fat.

…Ne njohim vetëm lavdinë e popullit

Të humbjeve të mëdha.


Fatos Arapi, “Gloria Victis” (Lavdi humbësve) , Tiranë 1997. Cituar nga Fatos Arapi, Urna e vogël, f. 36, botoi Nereida, Tiranë, 2014 .


Poezia sociale në letërsinë shqipe lindi në periudhën e Pavarësisë, si pjesë e ndërgjegjes kritike në opozicion me atë romantike që ishte himnizuese e çdo gjëje shqiptare. Në ato vite dhe si vlagë e mbajtur nga Rilindja besohej se do të bëhej Shqipëria. Fishta në fjalimin e pikëlluar mortor për Avni Rustemin në Vlorë më 1924, prapë thotë se "ka Shqipëri, do të bëhet Shqipëria. Djemtë e saj me shkop e strajcë nuk do të kërkojnë bukë në dyert e hueja”.


Nga fjala e Atë Gjergj Fishtës “Në dekë të Avni Rustemit”, revista Afrimi, vjeti II, Maj 1942, Vlonë. Cituar nga interneti, 2019/05/09 › fishta-tek-vorri-av..


Noli në poezinë e tij sociale e shihte të keqen te një qeverisje e keqe, e cila duhej zëvendësuar më metodat "ngrehuni e bjeruni". Ai shkoi deri te klithmat:

.. skllevër, bij skllevërish, s'e meritoni,

se liri s'doni...(Moisiu në mal)


Cituar nga Antologjia “Zemra e qiellit”, f. 44, botoi Kosova PEN center, Prishtinë, 2015


Migjeni solli tablotë më të ashpra të mjerimit dhe kritikën se "flamujt e melankolisë" e të dështimit valonin gjithandej. Ai sillte si rrugëdalje të vagullta grushtet e bijve të shekullit të ri, ose mbinjeriun. Një revoltë e karakterit me shumë estetik, e një shpërthimi ekzistencial, sesa e ndonjë drejtimi politiko-shoqëror.

Në poezinë e pas 90-tës tema sociale më shumë sesa ndërgjegjes kritike, i jep vend një lloj mënyrë të menduari plot helm, mohimit, negacionit, nihilizmit. Nuk është më ajo "Shqipëria do të bëhet" e rilindësve, as optimizmi utopik i monizmit, as ndërgjegjja kritike e shëndetshme e Nolit, Fishtës, Migjenit.


Poezia e Zyhdi Dervishit në këtë peizazh të trishtuar të poezisë së sotme, sjellë vërtet tabllo rrëqethëse të një shoqërie të mbërthyer nga instinktet e vetëshkatërrimit:

Vendi im...


Vetëngujuar brenda mureve të vetëmarrisë

gjysmën e pasurive e shpenzon për të blerë eksplozivë,

gjysmën tjetër e shpërthen me dinamit.

(Kuja e gjysmave)

Por siç shkruam më lart, ai e stigmatizon bjerrjen, rrënimin e shoqërisë apo të individit qoftë, asnjëherë nuk njëjtësohet me të tilla situata.

Nga ana tjetër ka një tendencë për ta shpallur rrënimin total si ndërgjegjja e kohës sonë, madje si tipari që i vë vulën asaj. Jo se vendi nuk ka kaluar periudha më të këqija se këto që po jetojmë, por pikërisht zgjedhja për ta shpallur rrënimin si ndërgjegje e kohës, sjell agresivitetin ekstrem, braktisjen e idealeve formuese, zvetënimin e elitave, deri te dallditë ciklike të arratisë nga vendi.


Ka shumë libra, poezi dhe prozë të autorëve të kohës sonë me tituj të tillë, si: Gloria Victis (Lavdi të humburve) Fatos Arapi, “Rrugëhumbur” nga Anton Papleka, “I humburi”, roman nga Fatos Kongoli, “Ferrparajsa”, nga Xhevahir Spahiu. etj…


Në këtë skicim të shpejtë të motivit social në poezinë shqipe donim të jepnim se poezia e Zydi Dervishit është larg nga ato "vjershëza të stolisura me pupla të trishtuara", të trishtuarit sa për modë, nga poetët që flirtojnë me problematikat e thella të kohës, dhe, po ashtu, është larg edhe nga ujërat me mellanin e zi të pikëllimit, ujëra ku pesimistët përmbyten edhe vetë. Në tërësi do të theksonim se këto dy prirjet më lart janë tipare të poezisë së poetëve që në të gjitha kohët janë marrë me lirikën sociale.


Po ka dhe një rrugë të tretë.


Është dhe një poezi që u qaset me shqetësim të thellë qytetar probleme dhe plagëve të kohës. Më këtë vazhdë është poezia e Zyhdi Dervishit. Si poezi e një sociologu të me emër, pra e filtruar dhe nga ftohtësia e shkencëtarit, ajo është larg dhe nga ekskamacionet, mbingarkesat emotive dhe stërhollimet sentimentale. E gdhendur, e dendur në fjalë e në structure, ajo rrit forcën e mesazheve që përcjell. Figuracioni, kryesisht metaforat, imazhet e hiperbolizuata, ironia e sarkazma, paradoksi janë tipare të mbrujtura në funksion të mesazhit dhe të rritjes së ekspresionit.


Autori është i prekur rëndë nga shpërthimi i shëmtisë te shoqëria dhe individi:

Në amforën e krisur të kohës

emrin e përjarge

me copëza nepërkash,

të zhbëra nga helmësi

e helmit tënd.

….

Nuk të njoha

ndaj tiku i hidhërimit

po më çmend. (Pezmi)

Por ai proteston me dhimbje ndaj së keqes, e neverit fakti që një mik i tij mbështillet e futet brenda stomakut të vet, bjerret nga idealet.

Për një çast ai doli nga vetja

ndonëse ishte goxha burrë.

M’u duk i gjithi i mbështjellë

me stomakun e vet të kthyer.

Një duf i rëndë m’i dogji

mushkëritë si afshi në furrë. (I kthyeri)


Poezia e Zyhdi Dervishit nuk ndruhet të japë mesazhe, madje bën thirrje të drejtpërdrejta për shëndoshjen morale dhe rritjen e burrërisë e krenarisë.


Kobhataja e kokuljes së burrave

si murtajë e kohës së droguar

kudo po bën kërdinë.

Nën dhè bashkëluftëtarëve të Gjergj Kastriotit

të thinjur betejave

iu rihapën plagët

dhe flokët

iu rinxinë. (Ethet e varreve).


E tronditin në dinjitetin dhe në nderin e tij fenomenet e mbrapshta që të ngjan se po marrin të drejtën e qytetarisë.


... dhe mali që s’u thye nga gjylet

më të rënda të luftërave

në ditë paqëtimi

po zhburrërohet.


Ai rreh t’u vërë një ledh fenomeneve të tilla dhe të thotë se shëmtia është dhe do të mbetet e shëmtuar, asnjëherë nuk mund të shndërrohet me të kundërtën e saj, me të bukurën.

Kjo frymë e shëndetshme e bën atë poezi më vlerë qytetare të shënuara. Por edhe me vlera atdhetare njëherësh. Pa u deklaruar askund në rreshtat e saj, kjo poezi me nëntekstin dhe ndjeshmërinë pozitive që përcjell, ndër të tjera, ngjan se na thotë që “Shqipëria do të bëhet”. Një mesazh për të gjetur guxim e shpresë dhe në kohë të vështira.


Përfundime:

Sociologu Zyhdi Dervishi, njëherësh dhe poet i dëgjuar me disa libra, për poezinë e tij me kohë ka merituar vëmendjen e kritikëve dhe të poetëve.

Poezia e Zydi Dervishit prej mbi 20 vjetësh rreh problematikën e kohëve dhe të mjediseve që jetojmë. Duke qenë poezi e shprehësisë lirike , me gjuhë të shënuar nga poetika e modernes, ajo shquhet për mprehtësinë e këndvështrimeve të një rrethi të gjerë, të një larmie temash.

Si poezi e një kulturologu dhe sociologu që heton plagë dhe dukuri të aktualitetit, ajo shquhet, në veçanti, për theksin e saj social.

Detajet, tablotë, idetë, ndjeshmëria pikëzohen si realitete të poezisë, të tekstit poetik.

Veçori të kësaj poezie janë denoncimi i dukurive të shëmtuara sociale dhe vështrimi i tyre nga lart, pa rënë në pozitat e pikëllimit të pashpresë. Qasja ndaj një tematike tillë ka veçanti dhe prurje që duhen marrë në shqyrtim edhe më tej , për dinamikën e trajtimeve nga libri në libër.

Poezia jo vetëm i heton, por dhe u jep theks universal dukurive sociale. Ekologjia e shpirtërores është një shqetësim që i tejkalon kufijtë e ngushtë mjedisorë.



                                                     Analizë nga Dr. Sadik Bejko, Poet 



(Portali Shkollor)

2,264 Lexime
4 vjet më parë