Zbulimi

NASA: Shtëllunga avulli në sipërfaqen e Europas

“Kemi mundur të kapim pamje shtëllungash avulli në sipërfaqen e Europas. Ky është një zbulim i rëndësishëm pasi në të ardhmen do të na lejojë të kërkojmë për gjurmë jete në këtë satelit të Jupiterit, pa pasur nevojë që të shpojmë qindra metra akull”

Emrat më të njohur të agjencisë amerikane të hapësirës dolën në një telekonferencë për të publikuar zbulimet më të fundit. Studiesit kanë zbuluar prova të reja dhe bindëse për ekzistencën e një mega-oqeani nën sipërfaqen e akullt të Europas.

“Kemi mundur të kapim pamje shtëllungash avulli në sipërfaqen e Europas. Ky është një zbulim i rëndësishëm pasi në të ardhmen do të na lejojë të kërkojmë për gjurmë jete në këtë satelit të Jupiterit, pa pasur nevojë që të shpojmë qindra metra akull”, deklaroi drejtuesi i ekipit të studimit, William Sparks.

Shtëllungat janë vënë re në polin jugor të satelitit dhe ka potenciale për t’u vizituar nga një robot ose nga një njeri. “Mendojmë se këto shtëllunga janë avuj uji, ose e pakta copëza të imta akulli, sepse kështu është e ndërtuar Europa, e akullt”, thotë Sparks.

Shkencëtarët e NASA-s thonë se pikërisht në këto pika mund të kërkohet në një të ardhme të afërt për oksigjen, hidrogjen apo elementë të tjerë kimikë në bazë të të cilëve mund të kuptohet më mirë përbërja e oqeanit të satelitit.

Prej dekadash ekziston një teori e një oqeani nën sipërfaqen e aktullt të Europas, teori që u përforcua në vitin 2013 pas pamjeve të siguruara nga sonda Galileo dhe që thuajse konfirmohet nga ky zbulim i ri i NASA-s.

Europa është njëri ndër 67 satelitët e njohur të Jupiterit, planeti më i madh i sistemit tonë diellor.

1,668 Lexime
7 vjet më parë