In memoriam

Ndahet nga jeta pedagogia e njohur Edlira Haxhiymeri, vuante nga një sëmundje e rëndë

Pedagogia e shquar, Edlira Haxhiymeri është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë. Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri, njihet si personalitet i spikatur i botës akademike, i politikës dhe i shoqërisë civile shqiptare.

Ndahet nga jeta në moshën 62-vjeçare pedagogia Edlira Haxhiymeri. Lajmi është bërë me dije nga familjarët.

“Të dashur familjarë dhe miq, me pikëllim të madh ju njoftoj se nëna ime e shtrenjtë, Edlira Haxhiymeri, ndërroi jetë. Ju falënderoj për ndihmesën dhe mbështetjen që na keni dhënë gjatë më shumë se 5 viteve tejet të vështira ku luftuam me çdo mjet e mënyrë për të mposhtur sëmundjen e saj”, shkruan djali i pedagoges Endrit Yzeiraj.

Haxhiymeri vuante prej 5 vitesh nga një sëmundje e rëndë dhe nuk mundi të fitojë betejën.


Jeta dhe veprimtaria e Edlira Haxhiymeri


Që nga viti  1987 ajo ka dhënë mësim në fushën e psikologjisë dhe ka punuar prej 30 vitesh pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale

Prof. Dr. Edlira Haxhiymeri, njihet si personalitet i spikatur i botës akademike, i politikës dhe i shoqërisë civile shqiptare.

Edlira ishte profesore në Departamentin e Punës dhe Politikës Sociale të Fakultetit të Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës si dhe bashkëpunëtore e jashtme e Universitetit Clemson (SHBA). U diplomua në fushën e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës, në vitin 1982. Mbrojti doktoratën në fushën e studimeve psiko-sociale në Universitetin e Tiranës, në vitin 1995. Fitoi titullin akademik “profesor i asociuar” në vitin 2003, ndërsa titullin akademik “profesor” në vitin 2016. Kishte kryer specializime pasuniversitare në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë në vend dhe në fushën e politikave dhe administrimit të arsimit në SHBA.


Pati një përvojë prej 39 vitesh në mësimdhënie dhe kërkim në fushën e pedagogjisë, psikologjisë dhe të punës sociale, e përqendruar në nënfushat: sjellja njerëzore, mirëqenia e fëmijës, zhvillimi i fëmijës, të drejtat e fëmijëve, gjinia dhe barazia, të drejtat e grave, fuqizimi i grave. Ka kontribuar në themelimin dhe zhvillimin e shkollës së punës sociale në Shqipëri, si dhe në formimin, përgatitjen dhe diplomimin e dhjetëra brezave të punonjësve socialë dhe profesionistëve të tjerë të shërbimeve psikosociale në vend. Kishte përvojë të pasur në planifikimin, organizimin dhe drejtimin e projekteve të kërkimit në fushën e arsimit dhe të shkencave sociale.


Ajo punoi për një vit si pedagoge vizitore në GVSU, Michigan të SHBA. Dha mësim në institucionet e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut.


Dha një kontribut aktiv në zhvillimin e reformave arsimore të të gjitha niveleve në Shqipëri. Gjatë 22 viteve të fundit ajo ka mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese në arsimin e lartë, si përgjegjëse e Departamentit të Punës Sociale, anëtare e Senatit të Universitetit të Tiranës, zëvendësrektore e Universitetit të Tiranës dhe zëvendësministre e Arsimit. Kontribuoi për zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë dhe zhvillimin e programeve të studimit në fushën e punës sociale në Universitetin e Evropës Juglindore të Maqedonisë së Veriut. Ishte anëtare e disa shoqatave profesionale ndërkombëtare të fushës së arsimit dhe të punës sociale. Pati një përvojë të pasur në koordinimin dhe realizimin e projekteve të përbashkëta ndërkombëtare në fushën e arsimit. Edlira botoi si autore dhe bashkautore shumë artikuj në revista kombëtare dhe ndërkombëtare, botoi tekste shkollore dhe universitare.


Edlira spikati për aktivizmin e saj për të drejtat e njeriut, të drejtat e fëmijëve dhe të grave. Ajo ishte drejtore ekzekutive e Strehëzës për gra dhe vajza të dhunuara, në Tiranë. Ajo luftoi për kauza të rëndësishme të shoqërisë dhe në veçanti të familjes shqiptare.

Edlira pati një angazhim politik në Partinë Socialiste dhe u pozicionua me një mendim ndryshe. Ajo ishte prefekte e Qarkut të Tiranës.

E gjithë jeta e Edlirës u karakterizua nga humanizmi, aktivizmi dhe profesionalizmi. Me shembullin e saj ajo ndriçoi dhe ndryshoi jetën e shumë njerëzve. Edlira do të kujtohet si një ndër personalitetet e shquara të botës akademike dhe gratë e suksesshme të Shqipërisë.


Mesazhet e ngushëllimit 


Mesazhe të shumta ngushëllimi kanë ardhur nga aktorë të politikës në vend. Mes tyre edhe presidenti Ilir Meta dhe deputeti Vangjel Tavo.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të pedagoges dhe ish-deputetes së Partisë Socialiste, Edlira Haxhiymeri.

“Pikëllues lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të pedagoges së përkushtuar për mbi tre dekada, studiueses dhe ish-deputetes së Partisë Socialiste, Edlira Haxhiymeri”, u shpreh Meta.


“Personalitet në shkencat sociale dhe arsimin shqiptar, model i vlerave të larta qytetare dhe pedagogjike, shembull i thjeshtësisë, korrektesës dhe integritetit, do t’i jemi përherë mirënjohës për kontributin e vyer të dhënë për progresin e shoqërisë dhe të politikës shqiptare. Ngushëllimet më të ndjera familjes,  kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të shumtë!”, theksoi Presidenti Meta.


Me anë të një postimi në Facebook, Tavo ka shprehur ngushëllimet për të afërmit, miqtë dhe familjarët e së ndjerës, “Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të znj. Edlira Haxhiymeri, intelektuales, pedagoges dhe ish deputete në Kuvendin e Shqipërisë, njeri me integritet të lartë njerëzor. I shpreh ngushëllimet e mia familjes, miqve dhe të afërmve! U prehtë në paqe!”, ka shkruar ai.


Edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të pedagoges dhe ish-deputetes së Partisë Socialiste, Edlira Haxhiymeri.


“Lajm i trishtë ndarja nga jeta e Edlira Haxhiymerit, e cila humbi betejën me sëmundjen e rëndë që e mundonte prej 5 vitesh. Ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. U prehtë në paqe”, u shpreh Gjiknuri.


Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të pedagoges dhe ish-deputetes së Partisë Socialiste, Edlira Haxhiymeri.


“U prehsh në paqe zyshë Edlira! Kam pasur nderin të punojmë së bashku dhe do të kujtoj gjithmonë korrektesën tënde”, u shpreh Balla.


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të pedagoges Edlira Haxhiymeri.


“Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të Edlira Haxhiymerit. Edlirën do ta kujtojmë si një pedagoge e shkencëtare të shquar, me kontribute të spikatura për më shumë se tre dekada në Universitetin e Tiranës dhe arsimin shqiptar, në jetën politike e publike, si një aktiviste e palodhur e shoqërisë civile, nënë e bashkëshorte, qytetare e angazhuar për progresin e shoqërisë dhe të grave e vajzave të Shqipërisë!U prehsh në paqe, Edlirë e dashur!”, shkruan në mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.



©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,328 Lexime
1 vit më parë