Ndahet nga jeta profesor Menduh Dërguti, bashkëpunëtor i çmuar i Albas-it dhe figurë e shquar e arsimit shqiptar

Profesor Menduh Dërguti, një nga figurat e vyera të arsimit shqiptar, pedagog, historian, autor dhe bashkautor i teksteve të historisë e metodist, është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Ka qenë bashkëpunëtor i hershëm i Albasit dhe ka lënë një trashëgimi të çmuar në edukim dhe në botime.

Shtëpia Botuese Albas ka humbur sot profesor Menduh Dërgutin, një nga bashkëpunëtorët e saj më të hershëm dhe më të nderuar, që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në hartimin e teksteve shkollore të historisë për arsimin parauniversitar dhe jo vetëm. 


Menduh Dërguti (Shkodër, 21 tetor 1935 – 2025) ishte arsimtar, pedagog, rektor, deputet dhe autor tekstesh, me një karrierë të shquar mbi 60-vjeçare në shërbim të arsimit shqiptar.


Pas përfundimit të shkollës pedagogjike “Shejnaze Juka” në vitin 1953, ai nisi punën në sistemin parauniversitar në Kukës dhe më pas shërbeu si drejtor, nëndrejtor dhe përgjegjës i kabinetit pedagogjik në disa shkolla të veriut të vendit. Nga viti 1968 deri në 1992 ai ushtroi një nga rolet më afatgjata si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, ku kontribuoi në formimin profesional të mësuesve të historisë dhe në metodologjinë e mësimdhënies.


Në periudhën e tranzicionit demokratik, Dërguti dha kontribut të çmuar në fushën publike: ishte deputet i rrethit të Shkodrës (1991–1996), kryetar i Komisionit të Arsimit dhe Shkencës në Kuvendin Popullor dhe për një vit Rektor i Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Në këtë rol, ai nisi lidhjet e para akademike me universitete ndërkombëtare si ai i Prishtinës dhe i Nebraskës (SHBA), dhe kontribuoi në krijimin e Fakultetit të Drejtësisë dhe përgatitjen e programeve për Fakultetin e Ekonomisë.


Kontributi i tij në fushën e teksteve shkollore dhe universitare është i jashtëzakonshëm: hartoi dhe bashkëhartoi tekste për arsimin parauniversitar dhe universitar për lëndën e historisë, përfshirë vepra si Historia e Kohës së Re, Qytetërimi Perëndimor 1871–1918, Metodika e Historisë dhe të tjera.


Ai gjithashtu ishte autor i fletoreve të punës dhe librave për mësuesin, si dhe trajner në seminaret e kualifikimit të mësuesve në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Albas, ku dha kontribut të veçantë në përgatitjen e programeve dhe përdorimin e teksteve të reja mësimore në qytete të ndryshme të vendit.


Ndërkohë, ai botoi edhe artikuj studimorë shkencorë mbi tema historike kombëtare, si: Lëvizja Guerile në Shkodër, Kryengritjet e Hamza Kazazit (1835), Rrugët tregtare të Shkodrës gjatë Mesjetës dhe Mbi vazhdueshmërinë iliro-shqiptare, të cilat janë publikuar në Buletinin Shkencor të Universitetit të Shkodrës.


Për veprën e tij është dekoruar me Urdhrin e Trimërisë (1991), titullin “Mësues i Merituar” (1987), Medaljen e Shërbimit Ushtarak (1974) dhe Urdhrin “Naim Frashëri” të shkallës III (1983). Në vitin 2012 u nderua me “Mirënjohjen e Universitetit” për kontributin në arsimin e lartë.



Bashkëpunimi me Albas-in 


Në kuadër të bashkëpunimit të gjatë me Albas-in, profesor Dërguti ka qenë autor dhe bashkautor i mbi 35 botimeve shkollore dhe universitare, të cilat janë përdorur dhe vlerësuar gjerësisht në sistemin parauniversitar në fushën e historisë. Që nga viti 2004, të gjitha tekstet e përgatitura prej tij janë përzgjedhur fituese nga Ministria e Arsimit, janë vlerësuar nga mësuesit dhe nxënësit, duke dëshmuar cilësinë dhe rëndësinë e punës së tij. 

Përveçse njohës i gjuhëve të huaja si italishtja dhe anglishtja, ai ishte gjithashtu një studiues me një përvojë të gjerë në terren, që i jepte thellësi dhe vërtetësi çdo botimi e trajnimi që realizonte. 


Albas do ta kujtojë përherë profesor Menduhin si një njeri me karakter të fortë, me integritet të lartë dhe me një energji të pashtershme për punën. Ai mbeti aktiv deri në ditët e fundit të jetës, duke dhënë shembullin më të mirë se dashuria për dijen nuk njeh moshë.


Në këtë moment ndarjeje të dhimbshme, ndajmë me lexuesit dy mesazhe ngushëllimi nga dy prej bashkëpunëtoreve që e njohën nga afër dhe ndanë me të vite pune, përkushtim dhe mirënjohje.


“U prehsh në paqe profesor Menduh Dërguti! Na pikëllove kaq shumë miku ynë i dashur dhe bashkëpunëtori më i vjetër, që në themelimet e Albas-it. Një njeri aq mendjehapur, një historian e didakt i shkëlqyer, që deri ditën e fundit nuk u ndale së punuari dhe përherë në përshtatje me çdo metodë të re që sillte koha. Do na mungosh profesor! Do na mbetesh në mendje veçanërisht, kur hyje te zyrat tona, me sytë përherë shkëlqyes dhe zërin e fortë e plot energji: Hajdeni vajza, se fillimisht du me ju dhanë nji kafe!”– Rita Petro, presidente e Shtëpisë Botuese Albas.


“Ngushëllime për ikjen në amëshim të profesorit të nderuar, të njeriut tuaj shumë të dashur, por edhe mikut dhe njeriut tonë shumë të dashur dhe të respektuar. Bashkëpunimi shumë i gjatë me profesorin ishte një shkollë e vërtetë për mua, për Albasin, për bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, për mësuesit/et që mezi prisnin trajnimet dhe bisedat me të, për nxënësit që mësuan për 20 vjet me librat e tij të shkëlqyer të historisë. Mendje kthjelltësia e tij e veçantë, i bënte takimet me stafin aq të bukura dhe të mirëpritura. Sa hapej dera e në të dukej profesori, të gjitha ngriheshim me shpejtësi ta takonim e të përshëndeteshim me të. Kafeja në lulishte ishte kapaku i takimit dhe një seancë mësimi për ne. Nuk besoj dot se nuk do ta shohim më profesor Menduhin.”– Natasha Pepivani, specialiste didakte dhe autore e shumë teksteve shkollore.





Motoja që e ka shoqëruar gjithnjë profesorin Menduh Dërguti ka qenë:

“Arsimi meriton një hap të ri në rrugën drejt përmirësimit dhe rifitimit të vlerave.”

Dhe ai këtë hap e ndërmori, e drejtoi dhe e realizoi me pasion, me përgatitje të lartë shkencore dhe me rezultate të dukshme.



Ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të profesor Menduh Dërgutit. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten të paharruara.



Përgatiti Nanila Allkja Biçaku 

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

564 Lexime
2 javë më parë