“Në Kosovë, pati helmime!”, nga Bedri Tahiri

“Në Kosovë, pati helmime!” është shkrimi letrar i profesor Bedri Tahirit, me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.

“Në Kosovë, pati helmime!” është shkrimi letrar i profesor Bedri Tahirit,me të cilin ai merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas.


Në Kosovë, pati helmime!

(Dr. BernardBenedetti)


-Mirëdita, profesor Petrit!

-Mirëdita!

-Më duket, nuk po ju kujtohem!

-Po, po, por më ndihmo pakëz, se emrat nuk i mbaj mend! 

-Hadija jam, ajo vajza e helmuar e klasës sate!

-Ah, po, më fal, të lutem, se vitet e kanë bërë të veten dhe  ka rrjedhur kjo mendjeshkreta.

-Jo, jo, nuk keni aspak faj, tepër mirë jeni, sa keni hequr e sa keni vuajtur nëpër këto katrahura. Ju, mësimdhënësit, e bartët barrën e gjithë kauzës kombëtare, andaj u jemi borxhlinj për jetë të jetëve.

-Vërtet kemi hequr të zitë e ullirit, por ç’e do të shkretën!

-Mire qenke, profesor i nderuar, e paske mbajtur veten, ju lumtë!

-Po, faleminderit! Po ju, si jeni?

-Si të të them, në të parë, dukem mirë, veçse pasojat e atij helmimi të mallkuar nuk m’u shqitën këmbësh ngado që shkova, deri në Australinë e largët. Vajta për shërim në mërgim dhe u martova me një korçar të pashëm e fisnik, por kurrë nuk u bëra nënë dhe…

Fjalët i ngelën në grykë. Mua m’u lëbyrën sytë dhe sakaq mendja më fluturoi tej e tej në ato mote ogurzeza… 


* * *


E shtunë, 23 mars 1990. Atë mëngjes isha zgjuar më i lodhur se kurrë. Kapakët e syve, nga pagjumësia, po më rëndonin si gurë mulliri. Isha i dërrmuar fare. Çdo pjesë e trupit po më dhembte. Dita e djeshme, e premtja e 22 marsit 1990, qe e gjatë shekull. Edhe më parë kishim përjetuar zezona e ditë të vështira, por, ajo ua kalonte të gjithave. Po, po, të gjithave...


...Isha zgjuar, si zakonisht, në orën 5 e 15 minuta. Autobusin e orës 6 e zura me njëqind mundime. I uruari, larg më linte, mbi dyzet minuta në këmbë. Balta si tutkall dhe terri i zi burg, të pengonin të ecje dhe sikur të thonë “ndal!”. Në shkollë mbërrita në kohë. Për çudi, edhe pse udhëtoja më së largu, nga Drenica heroike, kurrë nuk mungoja, as nuk vonohesha. Përkundrazi, i pari arrija në shkollë. Herë-herë, sidomos kur ato shtigje malore bllokoheshin nga dëbora, ia mësyja edhe me këmbë. Me HazirMehmetin takoheshim në kodër të Zuçakëve dhe ia grahnim si me krahë. Nxënësit na prisnin në oborr. Pëshpëritjet e tyre me zëra të ngjizur ngjasonin me zgjoje bletësh. Interesant, tingëllimën e ziles nuk e kisha dëgjuar fare. 


Dhe, ende pa hyrë në klasë, një rrëmujë e mbuloi shkollën.

-Profesor, eja më shpejt, se Hadijes i ra të fikët! Edhe Fetijes... edhe Agronit...edhe...

Me vrap u ngjita në mësonjëtoren e parë të katit të dytë. Aty mësonte klasa ime,  II-28, të cilën e kisha përcjellë që nga viti i parë, duke u mishëruar me ta si me fëmijët e mi. O Zot, ç’të shihja! Djem e vajza të alivanosur e duke dihatur, pa  mundur të ngopeshin me frymë. Të tjerët përreth, të zverdhur si limoni. Të gjithë të hutuar e të lemerisur.


-Mos u shqetësoni, mos u frikoni, mos...- u përpoqa t’u jepja kurajë, pa ditur as vetë se ç’po ngjiste në ato çaste.

E njëjta gjë edhe në klasat e tjera. Numri i atyre që kërkonin ndihmë, rritej e rritej. Një erë mbytëse kundërmonte gjithandej, por më së shumti vinte nga WC-të në fund të korridorit.

-Profesor, na helmuan!- thirri dikush nga nxënësit.

- Serbët po na e qesin helmin!- u dëgjuan zëra të tjerë.

-Po, po, i pamë tek iknin prapa shkollës!- çirreshin gati të gjithë syzgurdulluar.


Mësimdhënësit shqiptarë, të hutuar, përpiqeshin t’u dalin në ndihmë nxënësve të tyre. Serbët, në anën tjetër, bënin sehir dhe gajaseshin në heshtjen e tyre të zakonshme. Ata, me kohë e kishin paramenduar një gjë të tillë. Kishte kohë që ishin ndarë veçan, kishin bërë segregacion, siç i thoshin asokohe. Ata mësonin ndaras shqiptarëve, plan i eksperimentuar për herë të parë në komunën tonë.  E parapriu Prilluzha me drejtorin e shkollës Tomisllav Mashiq dhe ishte rasti i parë edhe në Kosovë.


-Të shkojmë të mjeku!- u kujtua dikush dhe veturat që qëlluan atypari u mbushen me nxënës të pavetëdije e që shkumonin si në prag të vdekjes.

-Kthehuni prapa! Nuk ka helmime. Ju po simuloni, jeni bërë aktorë holivudianë!- kërcënonin policët serbë, duke mos lejuar t’u afrohej ndihmë mjekësore atyre që përpëliteshin me vdekjen.

-Unë nuk ndaloj dot, nuk lejoj që nxënësit e mi të vdesin pa i dërguar te mjeku!- kishte ngulur këmbë profesor HazirMehmeti dhe nuk ua kishte ndalur veturën që ia mori një kolegu, edhe pse i kishte ngrënë ca grushte fytyrës dhe ishte përgjakur i tëri. 

Edhe para spitalit e kishin pritur policë të tjerë dhe  e kishin zhdëpur me shufra gome e me shqelma. Fat të tillë përjetuan të gjithë ata, kolegë, taksistë e qytetarë, që dërguan nxënës të helmuar në emergjencë.


-Në Qendrën e Mesme Shkollore “MuharremBekteshi” të Vushtrrisë, nacionalistët dhe separatistët shqiptarë po manipulojnë me nxënës! 

Ky ishte vlerësimi i organeve të larta pushtetare për ngjarjet e atyre ditëve të llahtarshme...


Mirëpo, kjo histori makabre nuk u mbyll me kaq. Jo, ore, u preksha për të mirë, siç thonë plakat besëtyte. Ajo qe vetëm një nismë e vockël fare. Helmimi i vërtetë u bë ditët në vijim. Në qytete e në fshatra, në shkolla e në rrugë, në lokale e në tregje. U zunë me presh për dorë shumë helm-qitësshpirtkatranosur. Në mesin e tyre kishte pleq e të rinj, burra e gra, mjekë e profesorë. Kishte e ç’nuk kishte dhe të gjithë kishin vetëm një emër: VRASËS!


Edhe në anën e të helmuarve kishte larushi moshash, gjinish e profesionesh. U helmuan kryesisht nxënësit dhe të rinjtë, por pati edhe mësimdhënës e punëtorë, madje edhe policë shqiptarë, njëri serb e tjetri shqiptar: Sllavisha Cvetkoviq dhe Salih Gashi.  Si dëshmi, dy prej tyre u rrëzuan mu në oborrin e shkollës e para syve tanë. Për çudi, një dozë e vogël më preku edhe mua. Profesor Abedin Salihu i Druarit më dërgoi në spital, për ta marrë ndihmën e parë.


Dhe helmimi vazhdonte, sipas skenarit të sofistikuar e të përgatitur mirë e mirë në kuzhinat beogradase. 

Sakaq, ai përfshiu gjithë Kosovën. Numri i të sëmurëve arriti shifra alarmuese. Një dukuri e rrallë që çuditi botën e civilizuar. Diçka e paparë dhe e padëgjuar në historinë e re të njerëzimit. Ishte kjo një nga format e gjenocidit serb ndaj shkollës shqipe.


Pushtetarët serbë, mjerisht edhe ndonjë puthadorë shqipfolës, e mohonin një gjë të tillë. Ama, dielli nuk mbulohej me shoshë. Zëri i mekur i mjekëve tanë nuk dëgjohej përtej ordinancave të tyre të ngufatura. 

Mantel-bardhët, ata që me zemër kishin dhënë betimin e Hipokratit, duhet të pranonin  realitetin, të cilin krim-nxitësit  përpiqeshin ta kamuflonin e t’i hidhnin gjithë botës hi syve. 

Dhe, një ditë, mjeku francez, Bernard Benediks,  e tha të vërtetën: “Në Kosovë pati helmime!”

Lista e emrave të nxënësve të helmuar në shkollën  tonë dhe në gjithë rrethinën e Vicianës së lashtë,  u kompletua më vonë. Gjithsej 353 të helmuar. Vetëm në shkollën tonё, 264. Dhe, shumica femra, të cilat, sigurisht, do të ngelnin me pasoja jetike...


Bedri Tahiri 


Bedri Tahiri u lind në Galicë të Drenicës, më 1956. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa të mesmet në Gjimnazin e Skënderajt. Studimet i mbaroi në Universitetin e Prishtinës, dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe. Që nga janari i vitit 1980, ligjëron lëndën “Gjuhë dhe letërsi shqipe”në gjimnazin “Eqrem Çabej” të Vushtrrisë. Krahas punës edukativo-arsimore dhe veprimtarive të tjera shoqërore, merret edhe me artin letrar. Me shkrime ka zënë të merret qysh herët. Shkrimet e tij letrare-historike- dokumentare-publicistike mund t’i gjesh nëpër faqet e revistave e të gazetave shqipe që dalin në Prishtinë, në Tiranë e në mërgatë. Merr pjesë nëpër simpoziume e sesione shkencore me tema hulumtuese shkencore. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, nënkryetar i Art Club-it “Rifat Kukaj”, i cili u themelua më 2014, bashkëthemelues i Klubit letrar “Latif Berisha” në Vushtrri etj. Gjatë tërë kohës së luftës sonë çlirimtare qëndroi në shkrepat e Arbërisë së Vogël, përkrah luftëtarëve të lirisë, duke mbajtur shënime e ditar lufte dhe gëzon statusin e Veteranit të UÇK-së. Për sukseset dhe arritjet në punën me nxënësit, në krijimtari dhe në hulumtime shkencore, ka marrë shumë dekorata, mirënjohje, falënderime e Plaketa. Më 26 gusht 2012, Poetika Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi 2012”, nё Tiranë, i dha çmimin ”HASAN PRISHTINA”. Në Ditën e Çlirimit, më 17 qershor 2015, Komuna e Vushtrrisë e nderoi me çmimin PENA E ARTË, e më 2017, Klubi letrar “Latif Berisha” i Vushtrrisë e nderoi me çmimin special PENA E FJALËS. Në mars të vitit 2018 është pranuar anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Shqiptaro- Amerikane, duke marrë titullin AKADEMIK. Më 28 dhjetor 2018, shtëpia botuese “Lena Graphic” i akordon çmimin “ADEM JASHARI”, ndërkaq më 8 mars 2021 (ditën e pensionimit), iu akordua çmimi “Anton Çetta”. Deri sot, pa përmendur librat si bashkautorë, ka botuar rreth 50 libra. 



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

615 Lexime
9 muaj më parë