Në kujtim të profesor Albert Riskës, mësuesit që la gjurmë në auditorë dhe në zemra

Një shkrim i ndjerë për ndarjen nga jeta të profesor Albert Riskës, përmes kujtimeve të një studenti dhe miku, Besnik Bedollarit. Një homazh për njeriun, pedagogun dhe studiuesin e gjuhës shqipe, që la pas dije, libra, miqësi dhe një boshllëk të madh në Universitetin e Elbasanit.

Përgatiti: Besnik Bedollari (publicist)


Të dhimbshme janë ikjet, por doza bëhet më e rëndë kur ato mërgojnë para kohe. Rëndojnë mbi supe si akullnajat shekullore dhe ftohin thellë në dëshpërimin që i mungon ilaçi i qetësisë. E bukur është jeta ta jetosh, por bukuria e saj zbehet kur të braktis në mes të udhëtimit të saj.          


Si çdo ditë padyshim që të ‘rrëmben’ celulari me infot e tij në YuoTube apo rrjete sociale. Dhe befas ekrani i celularit mpihet dhe zbehet nga lajmi i hidhur:


‘Profesorit sot i japim lamtumirën’. Mekesh kur lexon dhe nuk u beson dot syve. Pastaj psherëtin thellë me dhimbjen që të zë për fyti. Jo, nuk është e mundur? Përse e bëre profesor i dashur!? Është ende herët. Përse kaq shpejt?     


Merr frymë thellë dhe ‘kërrusesh’ nga dëshpërimi që të rëndon mbi supe. Përpiqesh të përshtatesh me realitetin e hidhur. Dhe me lotë në sy tashmë mbeten veç kujtimet dhe lamtumira që të ngatërron këmbët duke të gjunjëzuar. Na njohën studimet universitare. Ju i jepnit dritë dhe gjallëri auditorit me leksionet e tua që e adhuronit aq fort gjuhësinë i dashur profesor Berti. 


Ndërsa aftësitë i shpalose me botime dhe me tituj shkencorë në gjuhësi. Përveç leksioni dhe dëshira për të mësuar sa më shumë rreth gjuhësisë na i shtoi respektin dhe fakti që të dy ishim nga Shqipëria Juglindore. U lumturova shumë që diploma do të mbante firmën tuaj. Pasi mbaroi mbrotja e diplomës shkove diretk në sekretari dhe më sigurove vërtetimin e mbylljes së studimeve. Dhe unë gjithmonë përkujdesjen tuaj i vlerësoja plot respekt. Ajo më ndiqte nga pas. 


Ditën që diplomën e mbaja në dorë duke ju takuar u thashë: - "Profesor, do të mbetemi miq gjithmonë". Ju buzëqeshët dhe pohuat si me mëdyshje, pasi sot janë të rrallë miqtë e vërtetë, të cilët të duan dhe respektojnë atëherë kur nuk kanë nevojë nga ndihma jote. 



Sa herë udhëtoja në Tiranë e bëja ndalesën në Elbasan dhe rendja drejt universitetit për të pirë një kafe së bashku. E vëreja në sytë e tu se ‘të përkëdhelte’ respekti im që ishte i çiltër. Tashmë takoheshim si dy miq. 


Kur ju telefonoja më pyesje nëse do ju dhuroja ndonjë libër, botimin e radhës. Dhe kështu këmbenim librat e njëri-tjetrit. Unë në letërsi, kur ju i dashur profesor studimin e radhës në gjuhësi. Unë përpiqesha të bëja art, kurse ju shkencë. Ishit aq thellë i apasionuar me gjuhësinë, sa me shaka të thoja më duhet të lexoj dy-tre herë të kuptoj çfarë shkruani. Ju buzëqeshnit, por dhe kënaqeshit pasi e kuptonit që unë vërtet ju lexoja. Pasuroja bibliotekën me botimet e tua, kurse sot gjej ngushëllim me të, pasi aty bëjmë bashkëbisedimin, por në heshtje. Ehh ... profesor Berti. Bulevardin drejt universitetit e bëja plot emocion, kurse sot hapi është i çalë, i mpirë dhe shpirti i zymtë si ditët e errëta të vjeshtës së ngrysur. Në atë universitet kemi miq dhe profesorë të tjerë, por ti për mua mbetesh i pazëvendësueshëm. 


I mungon shumë Universitetit Aleksandër Xhuvani. Hapat e tua. Zëri yt. Fryma jote. I veshe petkun e muzgut me ikjen tuaj. Këputet një hallkë të gjerdanit të profesorëve të nderuar të këtij universiteti që nuk kanë qënë të pakët në numër. I le një boshllëk të madh gjuhësisë dhe këtij universiteti me emër. 


I mbaje meritat gjithmonë në heshtje edhe pse ishe një minierë në fushën e gjuhësisë. Të pyesja gjithnjë: - A do të vinë të tjerë si ju? E pohoje në po.  


Kurse unë nuk bindesha, pasi e shoh të vështirë. Ju i duheshit kaq shumë gjuhës shqipe, por jo të largoheni kaq herët.


Unë do të kaloj përsëri në qytetin e Elbasanit, tashmë me emocione të përziera, por kokën nuk e kthej dot lart. Rruga e bulevardit drejt universitetit tashmë me mërinë e saj më devijoi qarkullimin. Tabela në hyrje të bulevardit lexon ‘Lamtumirë’. Dhe unë si një fëmijë i lënduar më turbullohet shikimi nga lotët që zihen në faj dhe shkasin përmallshëm.    


I paharruar Profesor i nderuar, Albert Riska! Do ju kujtojmë përherë më shumë respekt e mirënjohje. Ju bëni një zë dhe unë shumë pranë e kam bibliotekën, aty do të çmallemi dhe do kuptoj më mirë se disa njerëz nuk vdesin. Ata vetëm shtegëtojnë për pak.


Të qoftë rruga dritë miku dhe profesori ynë i mirë!

  


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

213 Lexime
2 orë më parë