"I dashur autor"

Një fund i lumtur për shitësen e shkrepëseve ...

Kjo është një letër imagjinare drejtuar autorit të përrallës “Shitësja e shkrepëseve”. Lexuesja sugjeron një fund ndryshe të përrallës dhe këtë e ilustron edhe me piktura.

I dashur xhaxhi Hans,


Unë që po ju shkruaj, jam Bukuroshja nga Shqipëria.


Jam njohur me ty kur isha 6 vjeç, kur gjyshja ime më lexonte përrallat e tua. Që atëherë ato u bënë pjesë e jetës sime, u bënë ëndrrat e mia. Ti, xhaxhi Hans, më mësove të shpresoj se ëndrrat realizohen. S’e di. Ndoshta po. Megjithatë të jam mirënjohëse që më bëre të ëndërroj çdo natë.


Të gjitha përrallat e tua kanë fund të lumtur… Po pse, more xhaxhi Hans, je treguar kaq “mizor” me shitësen e shkrepëseve?! Pse duhej të vdiste ajo vajzë?!


Mos u çudit që të shkruaj kaq hapur. S’besoj se do të të mbetet qejfi, nëse unë do ta përfundoja kështu:


Gjyshja e përqafoi me dashuri vajzën e vogël dhe fluturoi e gëzuar lart, lart… mes yjeve që shndrisnin. Ndërsa gjyshja ngjitej qiellit, vajza e vogël flinte. Zjarri, i formuar nga shkrepëset, ia përskuqi faqet, e ngrohu, i dha jetë…


Një rrëkezë dielli depërtoi përmes perdeve e ra mbi shtratin ku ajo flinte. Vajza hapi sytë. U tremb kur e pa veten në një dhomëz të bukur e të ngrohtë. I mbylli përsëri sytë, por i hapi shpejt që të përjetonte këtë ëndërr magjepsëse.

Kërcitja e derës e bëri të kthente kryet. Përballë saj qëndronin duke buzëqeshur një burrë e një grua rreth të gjashtëdhjetave. Nga sytë e tyre buronte një shkëlqim i ëmbël dhe një ngrohtësi që ajo s’e kishte provuar kurrë. Iu afruan shtratit. Gruaja u ul në gjunjë e dora e saj e butë dhe e ngrohtë i lëmoi fytyrën, ndërsa burri buzëqeshte. Sytë e të dyve dukej sikur thoshin: “Do të rrish këtu? Të lutemi, mos u largo!”


Nga sytë e kaltër të vajzës bulëzoi një pikëz loti blu që, ngadalë, u shkëput prej syrit, e humbi kaltërsinë e rrodhi faqeve...


Ajo u rrëmbeu duart,  vuri mbi to buzët dhe i puthi fort, fort… Deri atëherë ajo as kishte marrë e as kishte dhënë një puthje kaq të ngrohtë, kaq të ëmbël, kaq…


Ata dolën nga dhoma të lumtur, ndërsa ajo mbylli sytë e para saj u shfaq një ndërtesë e madhe e bardhë që gëlonte nga zëra fëmijësh të lumtur, nga zëra, të cilët, duke u bashkuar me zhaurimën e dallgëve të detit, krijonin simfoninë më të bukur në botë… “Sa bukur do të ishte, - tha me vete. – Sikur të kisha mundësi t’i lumturoja të gjithë fëmijët e braktisur!”


Dhe ia doli. Ajo u bë nëna e qindra fëmijëve, nga të cilët “rrëmbente” dashuri pa fund dhe e “burgoste” brenda zemrës së saj të madhe, për t’ua rikthyer përsëri atyre, fëmijëve…


Xhaxhi Hans, të pëlqeu? Të lutem, mos u zemëro me mua. Në fund të fundit, a nuk je ti ai që të gjitha përrallat i përfundon bukur?


Faleminderit, xhaxhi Hans!


Bukuroshja


*Ky punim është vlerësuar ndër më të mirët në konkursin “Lexuesit e së ardhmes”.


( Bukuroshe Rakipaj, shkolla "Flatrat e dijes" Fier, Portali Shkollor )

1,442 Lexime
9 muaj më parë