Takim letrar

“Një roman në dosjet e policisë” dhe motivet nga jeta e Frederik Rreshpjes, takimi letrar në QKLL

Gazmend Krasniqi nëpërmjet veprës “Një roman në dosjet e policisë”, sjell një qasje krejt tjetër ndaj epokës që jetojmë, në antagonizëm me vertikalitetin e mendimit të së shkuarës. Për të folur mbi këtë botim të ri të ALBAS, në QKLL u zhvillua një takim letrar me pjesëmarrës njerëz të letrave dhe jo vetëm.

Gazmend Krasniqi, poet, prozator, kritik, profesor i letërsisë, u mirëprit në ambientet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në një takim mbi veprën e tij të fundit "Një roman në dosjet e policisë", botuar nga ALBAS. 


Një shoqëri e ardhur nga kohë totalitare ku çdo gjë qe e imponuar, u përmbys, duke lënë pas trauma. Ndaj personazhi kryesor i veprës së shkrimtarit Gazmend Krasniqi “Një roman në dosjet e policisë”, sjell një qasje krejt tjetër ndaj epokës që jetojmë, në antagonizëm me vertikalitetin e mendimit të së shkuarës. Kjo edhe për arsyen se sipas autorit, ka disiplina të tjera ku jepen përgjigje, letërsia, më së shumti ngre pyetje. 

 

“Në këtë roman nuk del asnjëherë ideja që kjo është rruga. Personazhi e kërkon rrugën duket u luhatur në gjeografi, duke u luhatur në kohë, duke u luhatur në situata të vështira, i izoluar, i burgosur, i privuar nga liria, gjithnjë kërkon vlerën, pa thënë që vlera është kjo që ju imponoj unë” tha Krasniqi.


Romani i poetit, prozatorit e studiuesit Krasniqi, i merr motivet nga jeta e Frederik Rreshpjes dhe fatit të tij tragjik.


“Vite përpara kur jetonte Frederik Reshpja, kisha botuar një prozë dhe më tha që romani e nxirrte lexuesin të ç’orientuar. Në fakt unë atë kërkoja. Një roman i tillë mund të kalojë në gjyq e të bëhet i dëmshëm. Ne e dimë historinë e Sokratit, filozofit të parë të perëndimit. Megjithëse sot është vlerë e pamohueshme, është dënuar për antivlera. Një paralele të tillë don të bëjë edhe ky roman”, u shpreh autori.


Me një ligjërim postmodernist, vepra ka një kontekst shqiptar dhe një shumësi ligjërimesh duke ritrajtuar raportin me të djeshmen.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

37 Lexime
4 muaj më parë