NXËNËSIT DHE DIJA

Nxënësit dhe tempulli i dijes

Shërbimi psiko-social duhet të bashkëpunojë me nxënësit, mësuesit edhe prindërit duke forcuar e përmirësuar më tej urat e ndërveprimit...

Nxënësit duhet ta shikojnë shkollën si institucion ku meren, analizohen, argumentohen dhe interpretohen njohuri dhe vlera. Realizohen aftësi dhe shkathtësi. Formësohen identitete dhe qëndrime. Nxënësit duhet të jenë të vetëdijshëm që shkolla luan një rol shumë të rëndësishëm në formësimin e tyre jo vetëm si individë po edhe si vlerë shoqërore. Nxënësit me potencialin e tyre përmirësojnë veten, familjen dhe shoqërinë. E lehtë për tu shprehur por e vështirë për tu realizuar! Për ta realizuar këtë mision duhet të përfshihen prindërit, mësuesit dhe shërbimi psiko-social.


Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm, motivues e komunikues shumë të mirë me fëmijët e tyre. Prindërit duhet të informohen rregullisht për kurrikulën që zhvillohet në shkollë, mënyrën si zhvillohet dhe për ecurinë e fëmijëve në frekuentim, sjellje e përparim. Nëse prindërit nuk informohen pasojat mbi fëmijët janë përgjithësisht negative si edhe qasja që kanë me shkollën. 


Mësuesit duhet të jenë tërësisht të gatshëm dhe bashkëpunues me prindërit për informimin e tyre sa më shumë të jetë e mundur. Komunikimi nuk duhet të jetë vetëm pjesë e takimeve mujore po shumë më shpesh edhe nëpërmjet telefonit ose internetit. Mësuesit duhet ta shndërrojnë mjedisin e shkollës në një mjedis tërësisht të ngrohtë e të sigurt jo vetëm në aspektin fizik po edhe komunikativ. Çdo progres shoqëror arrihet nëpërmjet komunikimit.


Shërbimi psiko-social duhet të bashkëpunojë me nxënësit, mësuesit edhe prindërit duke forcuar e përmirësuar më tej urat e ndërveprimit. Nxënësit janë qënie njerëzore që mësojnë shpejt e në mënyrë të vazhdueshme. Sa më mirë të ndërveprojnë prindërit, mësuesit e shërbimi psiko-social me njëri-tjetrin edhe me nxënësit duke promovuar edhe vlerësuar shkollën si tempullin e dijes aq më shumë nxënësit do ta duan shkollën. Nxënësit do të formësohen më mirë dhe e ardhmja e tyre dhe e vendit do të jetë e begatë.


(Ervin Gjeçi; Portali Shkollor)

3,283 Lexime
5 vjet më parë