Praktika mësimore të kaluara

Orët argëtuese të kohërave të vështira

Përtej arsimit profesional, mbetet një nevojë dhe domosdoshmëri që të tilla lënde të tilla si, “Ekonomia shtëpiake”, “Puna me dru”, “Puna me metal” etj, të vihen edhe në arsimimin e përgjithshëm, qoftë edhe në formë projektesh kurrikulare hedh mendimin mësuesi Evans Drishti.

Mezi pritej ajo ditë, e cila nganjëherë përkonte një herë në dy javë e nganjëherë një herë në muaj, në varësi të situatës dhe rrethanave. Bëhej një përgatitje shpirtërore dhe fizike disi ndryshe, pasi i rëndësishëm ishte fakti që bëhej një distancim “sado i përkohshëm” të ishte nga ambienti i shkollës. Ndryshonte edhe veshja në rrethana të këtilla, pasi këtë herë nuk ishte “uniforma” si për t’u zhveshur nga klasikja. Shkuarja bëhej në këmbë, si të ishte një ditë sportive. Me të mbërritur e shihje veten në një hapësirë të pakufijshme, një gjelbërim i paanë, një tokë bujqësore që të ofronte një peizazh shpotitës. 

Rreshtoheshin për të marrë veglat e punës si: lopatë, kazmë, drapër, kosë bari, kosore, krera bari, sfurkë, shatë etj… S’ishin të panjohura të tilla vegla… 

Ishte e kuptueshme se puna që do bëhej ishte “Puna prodhuese bujqësore”. 

Ishte një kënaqësi tejet e veçantë, pasi kjo punë i bënte të preknin dheun, barin, ta shkriftonin tokën, të ndjenin më nga afër aromën kundërmuese të tokës, e mbi të gjitha të përfitonin sa më shumë nga energjia dhe rrezatimi që të ofronte “toka mëmë” Askush nuk shqetësohej se do të ndotej pasi “puna me dheun ishte puna me jetën”, pasi toka jepte gjallëri, freski, harmoni, toka jepte jetë… 


“Ekonomia shtëpiake”

Kur përballemi sot më këtë koncept, natyrshëm mendja na shkon tek “paraja”, si baza e ekonomisë së një familjeje, por ja që në kohët e mëparshme kishte një lëndë të tillë mësimore, si pjesë e kurrikulës. 

Atë ditë, kur zhvillohej kjo lëndë, secili mbante në çantë një kutizë, ku qenë të vendosura mjete të tilla si: gjilpëra, peri, gërshëra, metri, lastiku, teli, copa të formave të ndryshme etj… 

  • Përshkimi i perit në gjilpërë 
  • Qepja e një pulli apo kopse në një copë 
  • Prerja e copës në forma të ndryshme 
  • Marrja e masave të qepjes apo prerjes 
  • Arnimi 

Ishin këto vetëm disa prej proceseve që mësoheshin në këtë lëndë tepër argëtuese, ku mësuesja me plot zell u mësonte nxënësve:

  • Si të mbanin një gjilpërë dhe si të përshkonin perin
  • Si të prisnin apo të qepnin një copë 
  • Si të vizatonin një lule 
  • Si të qëndisnin një “kollë” me lule shumëngjyrëshe 

Ashtu sikurse kishte edhe momente tepër inspiruese, ku shtronin një gazetë mbi tryezë dhe bënin matjet e duhura për të përgatitur formën e një “fundi” për vajzat apo “pantallona” për djemtë. Për të mos harruar më pas edhe punimin e “fshirëses së tabelës”, punimet me “letër kopjative” ku bënin vizatime të ndryshme për qëndistarinë, apo edhe sa e sa punime të tjera që i bënin me aq ëndje. 


“Puna me dru” 

S’mungonin laboratoret në ato kohë të vështira, mes tyre edhe ai i “punës me dru”, që ishte vërtet një laborator i mirëfilltë me të gjitha pajisjet e duhura. 

Puna me drurin ishte tepër argëtuese për ndërtimin dhe strukturimin e formave të ndryshme të drurit. 

Çdo nxënës dispononte arkën e veglave të punës gjatë kësaj ore mësimore të tilla si: 

1. Çekiçi  

2. Lima gjysmërrumbullake 

3. Kacavidë, për kanal të madh 

4. Kacavidë, për kanal të vogël 

5. Shënuesi 

6. Bulino 

7. Morsetë 

8. Pincë 

9. Mjet vijëzues 

10. Sharrë 

11. Skuadër 

12. Metër çeliku 

14. Bazë kompensate 

15. Copë  

Secili nxënës, përpara mbarimit të çdo orë praktike duhej të kontrollonte nëse arka e veglave të punës ishte e plotë duke u bazuar tek kjo listë. Në rast se lista nuk ishte e plotë, ai duhej të njoftonte mësuesin e praktikës profesionale. 


“Puna me metal” 

I të njëjtave përmasa ishte edhe laboratori i “punës me metal” 

Edhe për këtë orë mësimore kishte një kuti me veglat e dorës për punën me metal, me të cilat nxënësit njiheshin nga afër dhe zhvillonin praktikën. 

1. Vizore çeliku  

2. Çekiç  

3. Shënues 

4. Lima  

5. Furça për lima 

6. Skuadër 

7. Kalibër 

8. Bulino me majë të hollë 

Edhe gjatë kësaj ore mësimore njiheshin me të tilla materiale, me përdorimin e tyre, ushtroheshin për punime sa më efikase, në dukje të thjeshta, por tepër kreative për kohën. 

Mësuesit e praktikave profesionale jepnin shënime të rëndësishme në lidhje me mënyrat e zhvillimit të punëve praktike, nëpërmjet të cilave nxënësit njiheshin me teknika të larmishme. 


Në kohët e sotme të tilla lënde mund të shihen vetëm në arsimin profesional duke kryer edhe synimin e mirëfilltë të profesionalizmit të një nxënësi dhe për rrjedhojë të një brezi për ushtrimin me sukses të zanateve të larmishme. 


Megjithatë, përtej arsimit profesional, si një domosdoshmëri e vendosjes së një strukture të këtillë, mbetet një nevojë dhe domosdoshmëri që të tilla lënde të vihen edhe në arsimimin e përgjithshëm, qoftë edhe në formë projektesh kurrikulare duke sensibilizuar brezat e rinj që të zgjerojnë horizontet dhe diapazonet përkatëse jo vetëm në shkencat natyrore apo shoqërore, por edhe në menaxhimet e zanateve të duhura. Kjo sjell gjithashtu edhe një bashkëpunim dhe bashkëveprim ndërinstitucional duke realizuar projekte mjaft efikase që padyshim vihen në shërbim të shoqërisë apo edhe grupeve të interesit.  


Në kohët e sotme projekte të tilla mund të zhvillohen mjaft mirë edhe me bashkëpunime ndërinstitucionale të Drejtorive Arsimore përkatëse dhe administratës shtetërore të Bashkisë së qytetit apo Komunës, ku grupe të nxënësve mund të vizitojnë fshatra të ndryshme duke vëzhguar nga afër hapësirat e kultivimit të prodhimeve të ndryshme bujqësore. 


Sot është koha e projekteve që vihen në shërbim të komunitetit për të sjellë risi për gjallërimin e jetës sonë. 


Sot është koha të përqafojmë të tilla hapësira për të kuptuar sërish se praktika të tilla përbëjnë një çelës kyç në mbarëvajtjen e procese që na çojnë drejt integritetit. 


Nga Evans Drishti 


© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,662 Lexime
2 vjet më parë