“Orkidetë e mia” – rrëfim dhe akuarele nga Iriana Papamihali

Në shkrimin “Orkidetë e mia”, Iriana Papamihali, mësuese e artit pamor, autore tekstesh shkollore dhe artiste piktore, rrëfen lidhjen e saj të veçantë me orkidetë. Krahas këtij rrëfimi të ndjerë, ajo ndan edhe disa nga punimet e saj të fundit në akuarel, ku orkidetë marrin jetë përmes artit të saj.

Iriana Papamihali



Lulet më kanë tërhequr shumë, por së fundmi jam e dhënë pas orkideve. E para erdhi dhuratë për ditëlindjen time, përpara 4 viteve, pastaj pasuan edhe të tjerat një e nga një, dhe sot kam tetë orkide.


Në fakt kisha shtatë të miat, por u shtua edhe një orkide, të cilën ma dha një kolege.

Të gjithë më thonin se janë delikate, nuk rrojnë, e të tjera fjalë si këto. 


Mendova se duhej ndonjë shërbim i veçantë, por përkundrazi, ato janë lule shumë inteligjente, të cilat jo vetëm lulëzojnë, por edhe të kuptojnë shumë mirë. Nuk duan aspak shërbim të tepruar, por u pëlqejnë vendet pranë dritareve, ku dielli t'i përshendesë dhe t'u dhurojë ngrohtësi. Etje kanë shumë pak, një herë në javë.


Unë i përshëndes sa herë jam afër tyre. Dhe këto lule ma kthejnë përgjigjen duke më dhururar shumë gonxhe të vogla që rriten deri sa bëhen lule të bukura.


Kam kuptuar që këto lule duan t'u flasësh me fjalë të ëmbla dhe t'i përkëdhelësh nga afër gjethet, lulet, pra janë lule që e kuptojnë gjuhën me të cilën ne u drejtohemi. Jetëgjatësia e tyre varet nga marrëdhënia që ne krijojmë me to, nëse pëlqejnë fjalët tona, si dhe kujdesin që tregojmë ndaj tyre, dinë si të të dhurojnë kënaqësi, duke lulëzuar dy herë në vit dhe duke i mbushur degët plot e përplot me gonxhe.


Së fundmi, vendosa të bëj një cikël me orkidetë e mia, në teknikën e akuarelit. Dhe mbi të gjitha për të përjetësuar lidhjen time të veçantë me këto lule, që ma kanë zbukuruar jetën. Orkidetë më kujtojnë që fjala e mirë është themeli i shëndoshë i çdo marrëdhënieje, qoftë njerëzore ose jo.


Për mua këto lule janë shumë të rëndësishme dhe më kanë bërë për vete, pikërisht me inteligjencën e tyre, prandaj dhe vendosa t'i pikturoj, që t'i njoh më mirë dhe të zbuloj bukurinë e tyre.


To be continued....

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

79 Lexime
3 orë më parë