
"Pafajësi" nga Lavdi Zejnelhoxha
“Pafajësi” është shkrimi letrar i Lavdi Zejnelhoxha, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.
1 Shtator 1970.
Fshati Qafë, Shmil. Dita e parë e shkollës; dita e parë e rrugëtimit tim në profesionin e mësuesisë. Edhe pse kisha dhënë mësim gjatë praktikës pedagogjike, edhe pse kisha marrë shumë këshilla nga familjarët e të afërmit e mi (shumica mësues), emocionet ishin të forta. Bashkë me kolegët dola të mirëpres nxënësit. Shkolla ishte e vogël dhe ndodhej në mes katër lagjeve, e ndarë me përrenj të vegjël, herë të qetë e herë të zhurmshëm. Secila lagje ishte ndërtuar në faqe të kodrave. Gjelbërimi ishte mahnitës. Zhurma që krijonte rrjedha e ujit, fëshfërima e erës që luante me gjethet e gështenjave dhe arrave të moçme, thirrjet e banorëve nga njëra kodër në tjetrën, siluetat e tyre, tek zbritnin tatëpjetë drejt qendrës së fshatit (shkolla, mensa, zyrat), krijonin një film dhe një simfoni mbresëlënëse.
Ra zilja (këmbore bagëtish) dhe nxënësit u rreshtuan. Vështrova orën (një orë tavoline) dhe pyeta koleget:
- Nuk do të futen nëpër klasa? Po shkon ora tetë!
- Ne e fillojmë dhjetë minuta më vonë, - m’u përgjigj njëra nga koleget, - sepse presim nxënësit nga fshati Qerret. Atje ka vetëm shkollë fillore, kështu që nxënësit e klasave të tjera vijnë këtu.
Në pritje e sipër, një nxënëse e klasës së tetë doli nga rreshti dhe me hap të nxituar hyri në godinën e shkollës. Nuk e kuptova. Askush s'i foli. Njëra nga mësueset më pëshpëriti:
-Është e fejuar. Sapo kaloi pranë shkollës i fejuari.
- Sa mirë! - thashë me vete - Edhe qenka e fejuar, edhe vazhduaka shkollën!
Mbërritën edhe nxënësit nga fshati tjetër, e kështu të gjithë hynë nëpër klasa.
Filloi ora e parë e mësimit. Mora regjistrin dhe hyra në klasën e pestë. Isha mësuesja kujdestare e tyre. Vetëm me një përshëndetje “Mirëmëngjes!” mora prej tyre shumë dashuri, ëmbëlsi e lumturi. Ngadalë, me një zë jo të lartë (klasa ishte e ndarë me kompesatë për të përftuar dy mjedise) i pyes për emrat, sa motra e vëllezër kishin, me ç'nota e kishin përfunduar filloren. Teksa ata përgjigjeshin, e ndieva të nevojshme t'i përkëdhelja, t'i përqafoja e t'i vështroja drejt në sy. Ata më falën shpirtbutësinë e tyre, gëzimin fëminor, brishtësinë…
Nisa t’i vendos dy e nga dy në bankë: një djalë e një vajzë, meqë tre-katër nxënës ishin më të gjatë, e këtë veprim e kishin bërë dhe mësuesit e mi. Pasi plotësova dy banka iu drejtova dy nxënësve:
-Si e ke emrin?
- N, - u përgjigj vajza.
- Po ti?
- E, - u përgjigj djali.
- Ju të dy uluni në bankën e parë!
Sytë e N dhe E u ngulën mbi sytë e mi. Në to nuk kishte egërsi, urrejtje, por pafajësi. I ulën përsëri poshtë sytë e me hap të lehtë e të pasigurtë ecën drejt bankës së parë. Klasa ra në qetësi. Deri në atë moment kisha dëgjuar bisedat e nxënësve të tjerë:
-Mua më pëlqen të rri në bankën e tretë.
-Nuk dua të rrish prapa meje se më tërheq vëmendjen.
-Dua që mësuesja të na vendosë bashkë në bankë.
Ç'po ndodhte? Vështroj me qetësi nxënësit. Dikush kishte kafshuar buzët; dikush i fliste me zë të ulët shokut; dikush…, dikush theu heshtjen:
-Mësuese! N dhe E janë të fejuar që në djep.
-Çfarë?!... Si?!...
-Po, mësuese! Vëllai i N ka marrë për grua motrën e E, kështu që E…
Nuk e dëgjova deri në fund zakonin e martesave në atë zonë të largët të Elbasanit.
Si të veproja?...
Pse nuk më tha kush, që aty ku do të punoja duhej të mësoja për zakonet, kulturën e vendit?
Si do të reagonin prindërit, banorët e lagjes Bicaj? (të dy nxënësit jetonin në të njëjtën lagje).
Isha e tronditur, e prekur, e shqetësuar dhe e mallëngjyer. Hodha vështrimin nga dritarja e klasës. Gjethet e gështenjës vareshin në xhamat e dritares duke lëshuar hije, ndërsa era i largonte që rrezet e diellit të përkëdhelnin fytyrat e nxënësve, ndoshta edhe shpirtin tim të trazuar. M'u duk sikur gështenja shekullore ishte aty për të mbrojtur doket dhe zakonet, ndërsa dielli dhe era për të përqafuar të renë, përparimin. U përhumba pak çaste në këtë përfytyrim, po shpejt e kapa situatën, e mblodha veten.
-Po ata?
-N dhe E ishin ulur në bankën e parë, aty ku i kisha caktuar. Rrinin larg njëri-tjetrit dhe më ndiqnin në çdo lëvizje. Ata ishin të pafajshëm; nuk e kuptonin se ç'fat u kishte servirur koha, vendi, zakoni.
U fola për lëndën e gjuhës dhe të leximit, që do të zhvillonim bashkë. Dëgjova nga nxënësit, madje dhe nga N e E, pjesë të recituara, përshkrime të vendlindjes, tekste këngësh të zonës etj.
Dita e parë e mësimit mbaroi, por ankthi i pritjes po më zinte frymën. Vështroja nga dritarja e dhomës (dhoma ku qëndronin mësueset ishte brenda godinës së shkollës) se mos dikush vinte për të më kërkuar llogari.
Jo! Qetësi!...
Ata ishin njerëz bujarë, mikpritës. E donin shkollimin e fëmijëve të tyre. Ruanin zakonet, por dëshironin edhe zhvillimin. Punova dhe jetova me ta dy vjet. Shumë shpesh, fundjavave, na ftonin në shtëpitë e tyre, sepse në qytet shkonim një herë në dy javë. Shijova ngrohtësinë njerëzore dhe shpirtërore pranë vatrave në netët e ftohta të dimrit, bukën e misrit, çorbën dhe gështenjat e pjekura. Koha që kalova atje, më dha mundësinë të njihja nga afër ritet, zakonet, doket sa herë që ata më ftonin në gëzimet familjare: fejesat, dasmat, festat në të cilat pata mundësinë të vesh kostumin popullor tradicional të zonës.
Jo vetëm gjatë karrierës sime, por edhe sot që jam pensioniste, dita e parë e shkollës më risjell këtë kujtim.
Lavdi Zejnelhoxha
Lavdi Zejnelhoxha ka lindur më 13 janar 1951 në Elbasan. Nga viti 1980-1982 ajo ka kryer Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, kursin e plotë në degën “Gjuhë shqipe -Letërsi”, ndërsa në vitin 1970 ka përfunduar Institutin Pedagogjik të Shkodrës, po në kursin e plotë të degës “Gjuhë shqipe - Letërsi”. Fill pas këtij viti punoi si mësuese e lëndës Gjuhë Shqipe- Letërsi në shkollën 8-vjeçare (me sistemin e dikurshëm) Qafë, Shmil e pas dy vitesh në shkollën 8-vjeçare Pajovë, Peqin. Më pas eksperiencat e saj si mësimdhënëse e kësaj lënde kanë vijuar për gati 30 vite në shkollat e Elbasanit si, në shkollën “Adem Krasniqi” dhe Fadil Gurmani (dikur Abdyl Myzyri). Pas vitit 2008 ka dal në pension.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Buzëqeshja që pas fshihte dhimbje” nga Dhurata Hoj (Haxhia)
“Klithma memece që mbërthejnë gjuhën pas telave të fatit të tyre”, nga Mirela Muçaj
“Motivimi kundër heshtjes” nga Rudina Luzi