BOTIMET

Panairi i 22-të i Librit vjen më 13-17 nëntor, promovohen mbi 40 vepra të reja në shqip

Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptar, Petrit Ymeri, ka thënë për Portalin Shkollor se viti 2019 për këtë ngjarje do të bëjë bashkë 100 shtëpi botuese nga të gjitha trevat shqiptare, ndërsa do të promovohen mbi 40 vepra të reja në shqip.

Nga Shoqata e Botuesve Shqiptar jemi venë në dijeni se Panairi i Librit në Tiranë këtë vit do të zhvillohet nga data 13 deri në 17 nëntor. Ai do të çelet ditën e mërkurë në orën 08:00, ndërsa për çdo ditë, deri të dielën, do të qëndroj i hapur deri në orën 21:00. I kontaktuar nga Portali Shkollor, kryetari i kësaj shoqate, Petrit Ymeri, ka thënë se viti 2019 për këtë ngjarje do të bëjë bashkë 100 shtëpi botuese, ndërsa do të promovohen mbi 40 vepra të reja të sjella në gjuhën shqipe. 


Panairi i Librit, si zakonisht, do të jetë një ngjarje e rëndësishme kulturore për botën shqiptare, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe diasporë. Ai do të ketë si objekt kryesor paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim vitin e fundit. Për këtë vit do të promovohen mbi 40 vepra të reja të sjella në shqip. Ky panair gjithashtu do të bashkojë të gjithë njerëzit, puna e të cilëve ka në epiqendër librin: autorë, botues, përkthyes, përfaqësues të shtypit dhe medias me qëllim zhvillimin e kontakteve midis tyre dhe promovimin e leximit në publikun e gjerë, veçanërisht te të rinjtë. Ky panair do të shndërrohet edhe në një panel të rëndësishëm diskutimi për artin dhe kulturën”- ka thënë Ymeri. 


Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptar ka shtuar se në Panairin e 22-të të Librit në Tiranë, përgjatë pesë ditë të tij do të zhvillohen gjithashtu edhe seminare dhe konferenca përsa i takon  problemeve të përkthimeve, ndërkohë që do të prezantohen edhe projekte të reja sipas programit evropian “Creative Europe”, pjesë e të cilit është edhe shtëpia botuese “Albas”.  

Pallati i Kongreseve do të flasë shqip në datat 13-17 nëntor dhe ju do të mund të përfitoni nga ofertat dhe zbritjet që do t’ju ofrohen. Mos mungoni!


(Nanila Allkja Biçaku, Portali Shkollor) 

1,538 Lexime
4 vjet më parë