“Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi” nga Miranda Agolli

“Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi” është shkrimi letrar i Miranda Agolli, me të cilin ajo merr pjesë në konkursin “Antologji kujtimesh”, i mundësuar nga Albas-i.

Kur fillova rrugën time si mësuese para shumë vitesh, nuk e dija ende se kisha përpara një udhëkryq të mbushur me sfida dhe emocione të befasishme. E zgjodha këtë rrugë me dëshirën e madhe për të frymëzuar dhe ndikuar në jetën e nxënësve, por nuk prisja ndryshime të mëdha edhe në jetën time.


Fillimi ishte sfidues, si në çdo punë të re. Si fillim kisha disa luhatje të besimit në veten time, por pasi njoha nxënësit e mi, ai besim nisi të rritej gradualisht. 


Njëri prej nxënësve që më ka lënë një përshtypje të thellë, ishte Klodi, një djalë simpatik e çapkën, që pëlqente muzikën, këndonte në grupin e shkollës në aktivitete shkollore, por me pak interes për lëndën që zhvillonim bashkë. Gjatë fillimit të vitit, dukej shpesh mospërfillës dhe larg detyrimeve të procesit mësimor. Kjo sjellje më bëri të ndihesha mosbesuese ndaj aftësive të tij.


Një ditë, pasi përfundoi ora e mësimit, më ndaloi në korridorin e shkollës, teksa isha drejtuar për te salla e mësuesve, më pa drejt në sy dhe më tha i vendosur: 

-Mësuese, unë do të bëhem gazetar!


E vështrova disi e çuditur dhe pandeha se ishte një shaka e çastit, por dukej shumë serioz. Më pas i fola: 

-I shtrenjti Klodi! A mund të flasim në përfundim të mësimit?


Me të rënë zilja, vura re që Klodi priste aty, i heshtur dhe me kërshëri për të dëgjuar përgjigjen time. E kuptova se priste gjithë shqetësim reagimin tim. 


Së bashku u ulëm në stolat e shkollës dhe e pyes me seriozitet:

- A je i sigurtë se e ndjen veten të gatshëm të vijosh në këtë rrugë të vështirë? Ndoshta po tregohem disi skeptike, por gazetaria kërkon shumë mundim. A je i sigurtë për përballjet që mund të të ofrojë kjo fushë? 

- Po, mësuese. E di që është rrugë e gjatë, plot sfida dhe vështirësi, por do të punoj fort për të zhvilluar aftësitë e mia dhe për të bërë ndryshimin.


Tek i vë dorën mbi sup vijoj fjalën time: 

-Karriera në gazetari mund të jetë shumë e ngarkuar dhe në fillim të duket romantike, por a do të jesh i gatshëm të punosh në çfarëdo lloj hapësire dhe kushtesh që të ofrohen, madje dhe me orë te zgjatura...?

Përgjigjet me zë disi të ndrojtur, por i vendosur: 

- Jam i gatshëm të bëj çdo gjë që kërkohet për të arritur suksesin. Do të punoj në çdo lloj hapësire që të më ofrohet dhe do të jem i përgatitur për çdo sfidë që do të vijë. Do të bëj çdo gjë për ta arritur ëndrrën time. 


- Ç’të bën të mendosh se do t'ia dalësh? – e pyes me buzagazje.

-Më pëlqen shumë të shkruaj. Ëndërroj një ditë të bëhem gazetar – vijoi me këmbëngulje Klodi. 

Një shkëndijë buzagazjeje u ndez në fytyrën time. 

- Kjo është një ëndërr e mrekullueshme, Klodi! Për çdo gjë që të kesh nevojë unë do të të ndihmoj, në mënyrë që ti ta realizosh ëndrrën tënde. 


Suksese në këtë rrugëtim!

Vitet kaluan… 


Një ditë, shoh në ekranin e televizorit një fytyrë të njohur për mua. 


Ishte ai, ish nxënësi im, që kishte pushtuar ekranin dhe me një zë të plotë, të kumbueshëm e gazetaresk po jepte lajmet e ditës në një nga mediet më të njohura.

Sot është një nga gazetarët më të njohur që raportojnë lajmet më të rëndësishme të vendit. 

Me atë prezantim më kujtoi se, ndonjëherë mosbesimi fillestar i shfaqur në natyrën e një personi mund të zhduket dhe të zëvendësohet me një besim të madh. 


E ndoqa tejet e emocionuar dhe me zë shqiptova: 

-Po, Klodi, ti ia dole! E bëre realitet ëndrrën tënde!

Tani e shoh çdo ditë dhe e përshëndes nga ekrani i televizorit....

Me gjithë sfidat dhe lodhjen e vazhdueshme që të shkakton mësimdhënia, kam mësuar se një mësues jo vetëm ndihmon nxënësit të rriten e të zhvillohen, por edhe vetë transformohet në proces.  



Ky rrugëtim në arsim dhe përvojat e mia me nxënës të ndryshëm, më kanë bërë të kuptoj se një mësues nuk duhet të vendosë vlerësime të parakohshme mbi nxënesit e vet; nxënësit kanë potencial të fshehur që mund ta nxjerrin në dritë dhe të sjellin surpriza të mëdha; mësuesi duhet të jetë i hapur për të mësuar edhe nga nxënësit e tij. 


Në fund të këtij rrugëtimi emocionesh, ndiej një përmbushje profesionale për mënyrën me të cilën kam ndikuar në jetën e nxënësve. Cilido mësues që synon të frymëzojë botën e një nxënësi, të ndryshojë pikëpamjet e tij dhe të japë shpresë për realizime të aspiratave, le të kujtojë se potenciali i fëmijëve është i pakufishëm. 


Në fund të ditës, ne të gjithë mund të jemi si Klodi, duke ndjekur ëndrrat tona dhe duke korrur suksese në mënyra të paparashikuara më parë. 


Kjo është magjia e jetës:

Aftësia jonë për të ndikuar në të tashmen dhe në të ardhmen e fëmijëve.

Le të kujtojmë se në çdo degëzim të jetës, mund të kemi surpriza të mrekullueshme dhe emocione befasuese. 


Sot është Klodi në televizion, por kushdo prej nesh mund të jetë protagonisti i një historie të mrekullueshme në të ardhmen.


Historia e Klodit është një kujtesë e bukur, që na sjell në vëmendjen tonë parimin se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi, që na sjell sukses dhe arritje profesionale.

Kushtuar nxënësit tim K. K




Miranda Agolli

Miranda Agolli ka lindur në Korçë në vitin 1968. Ka përfunduar Fakultetin e Gjuhë Letërsisë në Tiranë, në 1990. Punon mësuese  në shkollën "Kongresi i Lushnjës". Pasioni i saj është të shkruajë. I pëlqen veç të tjerave të lexojë. Letërsia është udhëtimi i saj i përhershëm, një dritë në errësirën e saj personale. Ajo e konsideron letërsinë më shumë se fjalë mbi letër;  është një pasion që e bën të ndiejë më thellë, të mendojë më gjerë dhe të lidhet me botën në një mënyrë të pazakontë. Dhe kjo është ajo që e bën të ndihet gjallë.



©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,920 Lexime
6 muaj më parë